Politika, arti i llafollogjisë
Pëlqej
Abonohu për lajmet me e-mail:
E-maili juaj:      Tani, kontrolloni e-mailin tuaj dhe konfirmoni abonimin!
Jon Kelly, BBC - Fjalimet për të humbur kohën, të njohura si filibaster, ndoshta do të kthehen një herë në politikën amerikane. Po si mund t’ia dalë dikush të flasë gjithë ditën?

Ti ngrihesh para kolegëve tuaj, kruan fytin dhe përgatitesh për të folur. Përgjatë të gjithë natës, pa pushim. Ndoshta ke sjellë ushqim me vete, ose ke ndonjë adresar telefonik, të cilin e lexon me zë të lartë, në rast se nuk të vijnë më ide se çfarë mund të thuash.

Dhe nuk ke mundësi të shkosh në banjë, nëse ke nevojë, duhet të vijosh të flasësh.

Filibastering – një taktikë që synon të harxhojë qëllimisht kohën e Parlamentit, përdoret zakonisht nga ligjvënësit për të mos lejuar zhvillimin e një votimi për një çështje që ligjvënësi e di se e ka të humbur. Kjo metodë është përdorur në sistemet demokratike që nga kohët që nuk mbahen mend.

Parlamentarë të dalluar e kanë përdorur shpesh këtë taktikë duke realizuar sipërmarrje mbinjerëzore, vetëm me synimin për të humbur kohë, ngadalësuar apo bllokuar miratimin e një ligji.

Shembujt më spektakolarë janë hasur në Senatin e Shteteve të Bashkuara. Më 1935, një demokrat nga Luiziana, Huey Long, u përpoq të ndalonte një ligj duke folur për më shumë se pesëmbëdhjetë orë, duke recituar mes të tjerash, edhe receta për garniturë sallate dhe duke diskutuar në detaje si të fërgohen më mirë gocat e detit.

Njëzet e dy vjet më vonë, një senator veteran nga Karolina e Jugut, Strom Thurmond, vendosi një rekord në llafollogji duke ndaluar miratimin e një ligji për të drejtat, duke folur për 24 orë e 18 minuta, duke lexuar me zë të lartë ligjet e votimit të secilit shtet të SHBA-së dhe duke cituar fjalën e lamtumirës së George Washinton në mënyrë integrale.

Filibaster është një fjalë me rrënjë holandeze, “vrijbuiter”, dhe në kuptimin origjinal do të thotë “pirat”. Kjo është një taktikë kaq e rëndësishme në sistemin politik amerikan sa filmi i vitit 1939 i Frank Capra, “Zoti Smith shkon në Uashington”, paraqet heroin James Stewart, duke mbajtur një fjalim llafollogjik të stërgjatë në Senat, gjë që shpëton Amerikën përmes ekspozimit të korrupsionit politik.

Gjatë viteve të fundit, anëtarët e senatit amerikan kanë qenë në gjendje të kryejnë një teknikë që quhet “filibasteri i heshtur”. Në këtë rast, ata thjesht sinjalizojnë synimin për të bllokuar një ligj për sa kohë mbështetësit e ligjit nuk janë në gjendje të sigurojnë tri të pestat e senatit.

Por Harry Reid, udhëheqësi i shumicës demokrate, i cili vetë mbajti foltoren për gati nëntë orë në vitin 2003, tashmë kërkon që çdokush që ka një kundërshti të ngrihet dhe të deklarojë kundërshtinë ndaj në ligj në rast se dëshirojnë ta bëjnë një gjë të tillë.

Kjo nënkupton një kthim në debatet e viteve 1950 dhe 1960, kur politikanët e jugut si Strom Thurmond dhe Robert Byrd flisnin përgjatë të gjithë natës për të mos lejuar miratimin e ligjeve që u jepnin të drejta të barabarta njerëzve me ngjyrë.

Në rast se kjo ndodh, një gjeneratë e re ligjvënësish do të duhet të thërrasin në ndihmë rezervat e pashfrytëzuara të qëndresës fizike – megjithëse ka gjasa që nuk do t’u pëlqejë t’i krahasojnë me llafollogjinë rekordthyese të Thurmond, i cili me këtë teknikë synoi të ruajë segregacionin racor në SHBA.

Sipas biografit të Thurmond, Joseph Crespino, një profesor historie në Universitetin Emory, politikani mbrojtës i segregacionit – i cili vdiq në zyrën e tij në vitin 2003 në moshën 100 vjeç – qe jashtëzakonisht i përgatitur fizikisht për një sipërmarrje të tillë.

Thurmond kishte marrë me vete furnizime – përfshirë një copë të madhe bukë elbi, një copë mishi kundërfiletë, tableta qetësimi, lëng frutash e ujë, thotë Crespino. Senatori foli në një mënyrë të qetë dhe monotone për të kursyer zërin e tij nga mekja.

Me përjashtim të një pushimi gjysmë ore në fillim, kur rregullat i lejonin atij t’i linte vendin senatorit tjetër, Barry Goldwater, Thurmond qëndroi në këmbë në foltoren e Senatit përgjatë të gjithë kohës.

Për historianët, aspekti më habitës i kësaj sipërmarrjeje është se si ia doli të shmangë vajtjen në tualet për kaq shumë kohë.

“Kjo është një lloj misteri urologjik se si ai ia doli ta bëjë një gjë të tillë”, thotë Crespino.

“Pas fjalimit, pyetja e parë që i bënë gazetarët qe se si ia doli të mbajë urinën pa i shpëtuar.”

Thurmond u tha atyre se kishte vizituar dhomën e avullit të senatit para fjalimit për të dehidratuar veten, në mënyrë që trupi i tij të qe në gjendje të absorbonte lëngje si një “sfungjer”.

Por thashethemet qenë të shumta dhe thoshin se kishte përdorur një metodë shumë më praktike dhe hileqare. Një punonjës i senatit afro-amerikan, me emrin Bertie Browman deklaroi në kujtimet e veta se në fakt senatori qe pajisur me një tub dhe një qese.

Ndërsa në SHBA mund të jetë vendosur rekordi botëror për llafollogji gjatë shekullit të njëzetë, praktika ka një histori të gjerë në të gjithë botën.

Në Romën e Lashtë, Kato i Riu, arrinte të irritonte Senatin në rastet e diskutimit të ligjeve që ai nuk i pëlqente, duke vijuar të flasë derisa binte nata. Në Senatin e Romës qe e ndaluar me ligj që Senati të merrte vendime pas Perëndimit të diellit, në mënyrë që të shmangeshin tentativat për komplote, apo organizim seancash pa dijeninë e të gjithë senatorëve.

Fjalimi më i gjatë në dhomën e ulët të Parlamentit të Anglisë, qe një maratonë që zgjati për gjashtë orë nga Henry Brougham, më 1828. Por kjo në fakt nuk qe një filibaster për të harxhuar kohë e për të ndaluar miratimin e një ligji. Në anën tjetër, Charles Stewart Parnell i Partisë Parlamentare Irlandeze, e përdori rregullisht këtë taktikë në Uestminster gjatë viteve 1880 në përpjekje për të fituar autonominë dhe për të futur në axhendën e Parlamentit vetëqeverisjen në Irlandë.

Fjalimi më i gjatë në dhomën e ulët të Parlamentit të Anglisë gjatë shekullit të njëzetë qe një fjalim i mbajtur nga deputeti konservator, Sër Ivan Lawrence, i cili foli për katër orë e 23 minuta kundër një ligji në vitin 1985.

Sër Ivani qe një avokat dhe kishte eksperiencën e mjaftueshme për fjalime publike për të mbajtur fjalët e tij brenda temës, por përpjekjet e tij nuk e ndaluan dot miratimin e ligjit që po kundërshtonte.

“Nuk mendoj se kisha as një shishe ujë me vete”, kujton ai. “Qe me të vërtetë adrenalina që më mbajti të vijoja. Për fat të keq, gjithkush mendoi se kjo qe një hile”.

Deputetët e tjerë ndërhynin ta ndërprisnin me shaka herë pas here. “A është miku im i nderuar i vetëdijshëm se më ofroi të më dërgojë me makinë në shtëpi sot”, tha njëri prej tyre.

Një mik i tij, më vonë i tha Sër Ivanit se atë natë kishte mbajtur një kopje të transkriptit të fjalimit te koka e krevatit për të vënë veten në gjumë, sepse vijonin i vinin në mendje orët e kaluara në Parlament.

Ndryshimet në procedurat parlamentare tashmë e kanë bërë shumë të vështirë për përdorimin e teknikës së filibasterit kundër ligjeve të mbështetura nga qeveria në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, megjithëse disa deputetë laburistë u akuzuan se po përpiqeshin të bënin diçka të tillë në një debat të kohëve të fundit.

Me raste, ligjet e propozuara nga deputetët dytësorë, ndalohen përmes diskutimeve të gjata. Në vitin 2005 një deputet laburist, Andrew Dismore, foli për 197 minuta kundër një propozimi ligjor që synonte të qartësonte se deri në çfarë mase pronari i një shtëpie kishte të drejtë të reagonte me dhunë ndaj një dhunuesi të banesës së tij.

Por jo të gjitha filibasterat kërkojnë fjalime të gjata. Një deputet në Zelandën e Re, bllokoi reformën për qeverisjen vendore në vitin 2009, duke propozuar një mijë amendamente – shumë prej të cilave qenë në gjuhën e indigjenëve vendës Maori. Këto të fundit do të duhej të përktheheshin në anglisht, rrjedhimisht u humb kohë.

Gjithsesi, shumë parlamente – përfshirë të dy dhomat e parlamentit të Australisë, si dhe Dhomën e Përfaqësuesve (kongresit) në Shtetet e Bashkuara, – kanë rregulla të qarta mbi kohën që i lejohet një kongresmeni të flasë.

Senati i SHBA-së nuk e ka një rregull të tillë dhe 60 nga 100 senatorë mund të votojnë për hapjen e një debati para votimit.

Rritja e armiqësisë mes palëve gjatë kohëve të fundit është akuzuar si shkaktare e rritjes së rasteve të përdorimit të filibasterave të heshtur. Por në rast se plani i Reid ecën përpara dhe ndryshon rregullat, fjalimet maratonë mund të rikthehen në dhomën e Senatit.

Çështja nëse opinioni publik do t’i tolerojë këto hile, gjithsesi është një diskutim tjetër.

Në epokën e lajmeve 24 orëshe, politikanët mund të mos jenë shumë të gatshëm të bëhen shaka publike përmes fjalimeve të gjata për të humbur kohën, siç qenë paraardhësit e tyre, argumenton Gregory J Wawro, profesor i politikës në universitetin Cornell dhe bashkautor i librit “Filibasteri: pengimi i ligjvënies në Senatin e Shteteve të Bashkuara.”

“Në kohën e filibasterave të mëdhenj kundër të drejtave civile dhe në ditët e Huey Long, diçka e tillë nuk shfaqej në televizor”, thotë Wawro

“Mbetet për t’u parë nëse senatorët do të jenë të gatshëm të shikohen nga të gjithë amerikanët duke lexuar nga një adresar telefonik apo duke recituar receta kulinarike”.

Dhe përveç pajisjes së bollshme me ujë e ushqim, ata do të duhet të mendojnë se si do ta marrin votuesit e tyre një tentativë kaq të qartë humbje kohe. Frika nga votuesit që shohin televizor është e mjaftueshme për ta bërë edhe fjalimin më serioz, por gjithsesi të gjatë, të tepërt për çdo politikan.

Llafollogët e mëdhenj të Amerikës
Një nga filibasterat më të gjatë në histori ndodhi kur senatori i SHBA-së, Strom Thurmond foli për 20 orë e 54 minuta në 28 gusht 1957 deri në orën 21:12 minuta të mbrëmjes së nesërme kundër reformës për të drejtat civile.

Senatori Alfonse D’Amato nga Nju Jorku, vijoi të flasë për 23 orë e 30 minuta në një përpjekje për të ndaluar një ligj mbi ushtrinë në vitin 1986.

Robert Byrd nga Virxhinia Perëndimore foli kundër Aktit të Lirive Civile më 1964 për 14 orë e 13 minuta.

Huey Long i Luizianës diskutoi cilësitë e recetave të ndryshme kulinarike më 15 orë në vitin 1935.


Llafollogjia nëpër botë
Në dhjetor 2010, deputeti nga Partia e Gjelbër e Austrisë, Werner Kogler, mbajti një fjalim që zgjati 12 orë dhe 42 minuta.

Deputeti konservator i Kanadasë, Tom Lukiwski, foli për gjashtë orë në një komision parlamentar në vitin 2008.

Në Britaninë e Madhe, në shkurt 1983, laburisti John Golding foli për 11 orë mbi ligjin mbi telekomunikacionet, por për shkak se fjalimi u mbajt në një komision dhe jo në sallën e Parlamentit, ai kishte të drejtë të bënte pushime.

Më 1936, deputeti Tommy Henderson nga partia e Unionistëve të Pavarur në Parlamentin e Irlandës së Veriut, foli për dhjetë orë rresht.
Shtuar më 15/12/2012, ora 18:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori
 
A mendoni se Shqipëria do të kalojë fazën e grupeve në EURO 2016?
65.63 %
28.89 %
5.47 %
Total 9064 Vota!
 
Tauland dhe Granit Xhaka janë dy vëllezërit që përballen në skuadra të ndryshme për herë tëparë në një Kampionat Evropian

Tauland dhe Granit Xhaka janë dy vëllezërit që përballen në skuadra të ndryshme për herë tëparë në një Kampionat Evropian