Philip Roth
Pëlqej
Abonohu për lajmet me e-mail:
E-maili juaj:      Tani, kontrolloni e-mailin tuaj dhe konfirmoni abonimin!
Romancieri amerikan tregon sesi ka ndryshuar jeta e tij e përditshme, pasi la letërsinë.

“Pres mysafir në shtëpi, kam një kuzhinier që gatuan për mua dhe luaj çdo mëngjes me iPhone-n e sapoblerë”.

“Tani jetoj vërtet dhe nuk luftoj më kundër të shkruarit”.

Mbi kompjuterin e Philip Roth, në “Upper West Side”, është shkruar një shënim ku thuhet: “Lufta me të shkruarin përfundoi”. Kjo është një mënyrë për të kujtuar se Roth, që do të mbushë 80 vjeç në mars të vitit të ardhshëm dhe që ka shijuar një prej eksperiencave më të gjata e më të suksesshme të letërsisë amerikane, i dha fund të shkruarit (31 libra që prej fillimit të karrierës në 1959-n). “E shoh atë shënim çdo mëngjes dhe më jep shumë forcë”, thotë ai. Për miqtë e ngushtë ideja e një Roth-i që nuk shkruan më është njësoj si ideja e një Roth-i që nuk do të marrë më frymë. Ndonjëherë duket sikur gjëja e vetme që ka bërë në jetë është të shkruarit. Punonte vetëm për javë të tëra në shtëpinë e tij në Konektikut. Shkonte në studio herët në mëngjes (e kishte ngjitur me shtëpinë), ku shkruante në këmbë dhe shpesh kthehej mbrëmjeve vonë. Në një moshë kur shumica e romancierëve e rrallojnë aktivitetin e tyre, ai njohu një rini të dytë, madje shkroi disa prej librave të tij më të mirë, si për shembull: “Lamtumirë Kolombus”, “Pastorale amerikane”, “Komploti kundër Amerikës”, “Njolla njerëzore” dhe “Teatri i Sabbath”.

Roth duket i gëzuar, i çlodhur, në paqe me veten dhe me vendimin e marrë, që u bë i ditur për të herë të parë muajin e kaluar në revistën franceze “Les InRocks”. Bënte shaka dhe festonte, fliste për shkrimtarët dhe të shkruarin, madje nuk ngurronte të rikujtojë karrierën e tij me shumë kënaqësi dhe pa keqardhje. Në pranverën e këtij viti ai zgjodhi Blake Bailey si biografin e tij dhe që prej atij momenti punojnë bashkë. Roth thotë se e mori vendimin përfundimtar për të mos shkruar më në 2010-n, pak muaj pas përfundimit të “Nemesi”-t, një roman që flet për epideminë e poliomielitit në vitin 1944 në qytetin e tij të lindjes, Njuark. “Nuk thashë asgjë, sepse doja të isha i sigurt në vetvete”, thotë ai. “Mendova me vete: prit njëherë para se ta bësh të ditur se mund të bëhesh pishman e do të rikthehesh sërish. Nuk jam Frank Sinatra. Kjo ishte arsyeja që nuk thatë asnjë fjalë”.

Mbi një tavolinë në sallon janë vendosur disa fotografi, të cilat ia ka dërguar para pak kohësh një kushëri. Në njërën prej tyre është e ëma me fustan nusërie dhe vellon që i mbulon shkallët; në një tjetër Roth-i shumë i ri me prindërit dhe vëllain e madh, Sandy, para shtëpisë së tyre në Njuark; në një foto tjetër qëndron Roth adoleshent, i ulur në divan me të fejuarën e parë të vërtetë. Pranë tyre qëndron një “iPhone” të cilin Roth e ka blerë së fundmi. “Pse? Sepse tani jam i lirë. Mendoj se edhe pak e do t’ia marr mirë dorën. U bënë plot dy muaj që nuk lexoj asnjë fjalë. E kaloj kohën duke luajtur gjithë ditën me telefon”, tregon. Pastaj nuk vonon dhe e korrigjon menjëherë veten: “Gjatë ditës nuk lexoj, por në mbrëmje po. Në fakt dy orë në darkë ia kushtoj leximit. Sapo përfundova një libër të mrekullueshëm të Louise Erdrich, ‘The Round House’(Shtëpia e rrumbullakët). Zakonisht më pëlqen të lexoj libra të historisë së shekullit XX dhe biografi, sepse atëherë kam jetuar. Në fillim isha një fëmijë që shkoja në shkollë, pastaj burrë që punoja”.

“Mesa di unë”, thotë Roth, “shkrimtari tjetër që u tërhoq kur kishte akoma një shigjetë në hark, le ta quajmë kështu, ka qenë E. M. Forster, i cili i dha fund të shkruarit rreth moshës 40-vjeçare”. Në fakt Forster nuk shkroi më, sepse thoshte se nuk mund të publikonte libra rreth temës që atij i interesonte më shumë, që ishte dashuria homoseksuale. Roth reshti së shkruari, sepse mendon se i ka thënë të gjitha. Nuk i ka mbetur asnjë peng.

“Qëndrova ulur për një a dy muaj duke vrarë mendjen për diçka tjetër dhe me vete mendoja: ‘Ndoshta ka mbaruar!’. Po përpiqesha të rimerrja fuqitë duke lexuar shkrimtarë, që nuk i shfletoja prej 50 vjetësh dhe që kishin pasur ndikim të jashtëzakonshëm kur i pata lexuar. Lexova Dostoevskij, Conrad, dy a tre libra prej secilit. Lexova Ivan Turgenev, dy prej historive më të mëdha që janë shkruar ndonjëherë, “Dashuria e parë” dhe “Rrëketë e pranverës”, shton ai. Rilexoi edhe Faulkner e Hemingway. “Pas këtyre vendosa të rilexoja librat e mi dhe nisa nga i fundit, meqenëse e kisha më të freskët. Pasi i lexova thashë: ‘Ke bërë gjithçka ashtu siç duhet’. Por kur arrita te Portnoy (Ankesa e Portnoy-t, i publikuar në 1969-n) e kisha humbur interesin dhe nuk i lexova katër romanet e para që kam shkruar. Doja të thosha se pasi lexova gjithë ata autorë të mëdhenj dhe kalova nëpër duar veprat e mia, kuptova se mendimet e mira i kisha konsumuar”.

Tani Roth gëzon shëndet të plotë pas një ndërhyrjeje në shpinë në prill të këtij viti dhe bën çdo ditë ushtrime fizike. “E di që edhe nëse do të mundja, nuk do të shkruaja dot aq mirë si dikur. Nuk kam më forcë për të duruar zhgënjimin. Të shkruash është zhgënjim, një zhgënjim i përditshëm, për të mos folur pastaj për poshtërimin. Nuk mund ta imagjinoj më që të kaloj ditë të tëra duke shkruar dhe pastaj t’i bëj shuk letrat e t’i hedh në kosh. Nuk mundem më”, thotë shkrimtari.

Roth vazhdon ta kalojë shumicën e kohës në shtëpinë e tij në Konektikut dhe meqenëse nuk shkruan më, mund të dëfrehet në shoqërinë e miqve dhe të afërmve. “Këtë verë shtëpia ime ishte plot me njerëz. Çdo fundjavë ftoja në shtëpi miqtë dhe shokët, madje ndonjëherë ata e kalonin gjithë javën tek unë. Tani kam një kuzhinier që gatuan për mua. Në kohërat e vjetra nuk do të kisha pasur mundësi të ftoja askënd që doja. Më zinte frika kur vinte njeri në fundjavë, sepse nuk arrija të shkruaja asnjë germë”, thotë ai.

Roth nuk ka hequr plotësisht dorë nga e shkruara. Ai po bashkëpunon përmes postës elektronike për një tregim të gjatë me vajzën e tij 8-vjeçare që ka nga një ish e fejuar dhe mban shënime të shumta për biografin Blake Bailey. “Pagesa nuk është shumë e mirë, megjithatë Blake më ka hequr një barrë të madhe nga supet”, shpjegon. “Nuk kam më përgjegjësinë që të gërmoj pafundësisht në jetën time. E dini që për gjërat që shkruaja jeta ime më duhej si trampolinë. Duhej të kisha medoemos diçka nën këmbë kur shkruaja, sepse nuk jam njeri që fantazoj. Ecja sa këtej andej mbi trampolinë, pastaj zhytesha në ujin e tregimit”, thotë.

Në përfundim të këtij rrëfimi, Roth dëshiron të sqarojë një keqkuptim të vogël, kur tha se “romani po vdes”. “Nuk besoj se romani po vdes. Unë e kisha fjalën që publiku i lexuesve po konsumohet dhe ky është fakt, madje kam 15 vjet që e them. Ekrani po e vret letërsinë dhe kjo është e vërtetë, fillimisht ekrani kinematografik, pastaj ai televiziv, ndërsa tani ai i kompjuterit”.

Ndonëse numri i lexuesve po ulet, shkrimtarët vazhdojnë të shkruajnë kryevepra të mëdha. “Ed Doctorow, Don DeLillo, Denis Johnson, Franzen, Erdrich, dhe 20 shkrimtarë të tjerë që janë shumë, po shumë të zotë”, thotë Roth duke rreshtuar disa shkrimtarë që admiron. Kjo nuk është pak. Fundja përse duhet të kemi shumë lexues? Numrat nuk tregojnë asgjë, librat janë vlerë. (Shqip)
Shtuar më 21/11/2012, ora 14:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori
 
A mendoni se Shqipëria do të kalojë fazën e grupeve në EURO 2016?
65.69 %
28.84 %
5.45 %
Total 9040 Vota!
 
Tauland dhe Granit Xhaka janë dy vëllezërit që përballen në skuadra të ndryshme për herë tëparë në një Kampionat Evropian

Tauland dhe Granit Xhaka janë dy vëllezërit që përballen në skuadra të ndryshme për herë tëparë në një Kampionat Evropian