Shehi: Titulli detyrim, ndaj Vllaznisë duam fitoren

Orges Shehi u prezantua dje si trajner i Kukësit, ku mori vendin e Shpëtim Duros, i shkarkuar të shtunën në mbrëmje, pas barazimit 2-2 në Durrës ndaj Teutës, ndërsa nesër pritet të bëjë debutimin zyrtar në sfidën përballë Vllaznisë në “Elbasan Arena”.

Ish trajneri i Skënderbeut doli sot në konferencën e zakonshme për shtyp, ku vlerësoi shkodranët, por theksoi se do të kërkojnë fitoren, ndërsa shtoi se titulli kampion nuk është detyrim vetëm i tij, por i gjithë skuadrës verilindore.

Kundërshtari i radhës është Vllaznia, si e keni përgatitur ndeshjen?

Në këtë fazë të kampionatit është tepër e vështirë, aq më tepër që luajmë ndaj Vllaznisë. Është një skuadër shumë e rrezikshme sidomos jashtë fushe. Ka vlerësimin tonë maksimal, por do të bëjmë të pamundurën që të marrim fitoren. Koha është e shkurtër për t’u përgatitur, por synojmë fitoren.

Si është situata në ekip dhe a e keni organikën gati për ndeshjen nesër?

Është një situatë e tillë, që mezi presim të reagojmë. Kemi mungesa me peshë, plot 3 lojtarë, bashkë me Abazajn, i cili është në pikëpyetje, mund të bëhen 4. Kjo na vë në vështirësi, por nuk qajmë mungesat, por do të futemi për fitore.

Vllaznia vjen në një moment jo të mirë. Ju bën optimist ky fakt?
Çfarëdo situatë të vijë kundërshtari, siç kemi ne objektiva kanë edhe ata. Pas rezultateve negative do të kërkojnë të marrin fitoren, ndaj nesh do të japin maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv.

Çfarë mund të ndryshoni për ndeshjen nesër?

Kukësi deri në momentet e fundit i ka fituar ndeshjet, po ta shikojmë gjithë ndeshjen nuk e ka dominuar asnjë skuadër. Kjo i ndodh çdo ekipi dhe besoj se kësaj i ka ardhur fundi. Nuk është momenti të krahasohem me ish-trajnerin Duro. Do të fokusohem më shumë te ana psikologjike, për ti treguar skuadrës që ka elementë cilësorë.

A është titulli kampion objektiv për Shehin?

Kukësi është ndërtuar për të fituar. Nuk është detyrim vetëm i imi, por i gjithë skuadrës, për të bërë më të mirën dhe për të mbërritur te titulli.


Shtuar 3.03.2020 16:58