“Oskar” dhe “Pulitzer”
Kur romanët e bukur bëhen filma të mëdhenj

Filmat dhe serialet televizive janë shndërruar në terrenin ideal për përshtatjen e veprave të mëdha letrare. Shkrimtarët gjithmonë shpresojnë se romanët e tyre të suksesshëm një ditë do të bëhen filma të mëdhenj

Një ditë të bukur të prillit të kaluar, Jennifer Egan zbuloi se romani i saj i katërt “A Visit From the Goon Squad”, kishte fituar çmimin “Pulitzer”. Disa ditë më vonë mori një tjetër lajm të mirë: kanali televiziv “HBO” donte të “përshtaste” një serial televiziv nga subjekti i librit. Shkrimtarët gjithmonë shpresojnë se romanët e tyre do të bëhen filma. “Është një fitim shtesë”, shpjegon Egan, ku një tjetër libër i saj është përshtatur për ekranin e madh më parë. Në fakt, ky fenomen duket qartë edhe në atmosferën para “Oskarit”. Katër prej filmave të nominuar për të fituar “Statujën e artë” e kanë marrë subjektin e tyre nga romanët e suksesshëm. Vërtet që lidhja mes librit dhe kinemasë është shumë e fortë. Por ka nga ata që refuzojnë të shohin filmin pa lexuar më parë librin, apo e kundërta, për të mos mbetur të zhgënjyer nga mospërputhjet mes fantazive të regjisorit dhe versionit origjinal të librit. Le ta nisim me radhë. “The Descendants”, është filmi fitues i një sërë “Golden Globe”, dhe kandidat për kategorinë e filmit më të mirë, regjisë dhe aktorit protagonist. Titulli i romanit, nga i cili është përshtatur filmi i shkruar nga Kaui Hart Hemmings, meriton vërtet të lexohet. Pas tij mund të përmendim “Extremely Loud and Incredibly Close”. Filmi përputhet plotësisht me titullin e romanit të Jonathan Safran Foer, të interpretuar nga Tom Hanks dhe Sandra Bullock. Libri nga është marrë subjekti i filmit, një tjetër pretendent për “Oskar”, ka qenë një ndër të parët romanë që ka treguar sulmet terroriste të 11 shtatorit nga pikëpamja e një fëmije. Pas tij vjen “The help”. Nën interpretimin e shkëlqyer të Emma Stone, subjekti është marrë nga libri me të njëjtin titull i Kathryn Stockett. Një histori e gjitha femërore, që tregon, falë një udhëtimi në Amerikë në vitet ’70, racizmin dhe respektin. Ata që e kanë parë thonë se nuk duhet humbur as mundësia për të lexuar librin dhe as për të parë filmin. I fundit në listë, “The Girl with the Dragon Tattoo”, ka lindur nga trilogjia e famshme e Stieg Larsson, me regji të David Fincher. Libri të cilit i referohet po me të njëjtin titull, përbëhet nga 900 faqe dhe duhet pak durim për t’u lexuar pas dy kapitujve të parë shumë të gjatë. Por ia vlen vërtet. Aventurat e çiftit të çuditshëm, Blomkvist-Salander, janë akoma më tërheqëse nëse më parë është lexuar edhe libri.

Serialet

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për serialet televizive. Kohët e fundit shkrimtarët janë më të kërkuar nga HBO se sa nga vetë Hollivudi. Kanali kabllor ka seleksionuar një numër të madh veprash letrare të suksesshme, si “Swampilandia” e Karen Russel, “Art of fielding” i Chad Harbach apo “Club of liars” nga Mary Karr. “Në këto kohë televizioni po shfaqet gjithmonë e më afër romanëve, sepse, pasi lexohet një libër dhe pëlqehet shumë, njerëzit e pëlqejnë shumë edhe filmin apo serialin që bazohet tek ai”, tregon Michael London, producenti i “Groundswell Films”. Tani janë të shumtë shkrimtarët që po punojnë për realizimin e një seriali televiziv (Salman Ruzhdie, Sam Lipsyte, Gary Shteyngart, Michael Chabon dhe Ayelet Waldmn) apo po i përshtatin romanët e tyre për në televizion. “Nuk ka lidhje vetëm me faktin se romanët duhet të përshtaten mirë. Shkrimtarët janë skenaristë shumë të mirë”, vazhdon më tej London. Shumë prej këtyre shkrimtarëve e kanë provuar veten edhe si skenaristë, por gara e televizionit është diçka e re. Madje edhe ata që dikur ishin skeptikë, tani shpresojnë të punojnë për ekranin e vogël. Në të vërtetë, për të nxjerrë një film nga një roman duhet gjithmonë të bëhen “shkurtime”, ndërsa për një serial televiziv duhen shtuar elemente shtesë. Kjo është të paktën ideja e Jonathan Franzen me “The corrections”. Ai thotë se seriali i bazuar në novelën e tij do të jetë diçka shumë origjinale. Ai po projekton një serial që do të zgjasë për katër sezone. “Personazhe shumë të vegjël në libër po bëhen figura mjaft të rëndësishme në serial. Është argëtuese. 12 vjet pasi e shkrova po punoj ende me romanin, dhe po plotësoj pjesët që kishin mbetur hapur”. Le të flasim edhe për “The next people”, seriali fantastiko-shkencor për zhdukjen e qenieve njerëzore që shkruan Salman Ruzhdie do të ketë liri të madhe në ekran. Shumë autorë e pranojnë se u pëlqen më shumë ideja të shkruajnë për televizionin se për kinemanë. Por ky nuk është një fenomen i ri. Gjithçka nisi në vitet ’30, kur William Faulkner, Raymond Chandler, Nathanel West dhe F. Scott Fizzgerald shkuan të gjithë në Hollivud.
(Gazeta Shqip)
Shtuar më 18/02/2012, ora 13:56

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori