Njeriu që ëndërron presidencën amerikane më 2016-n
Guvernatori ambicioz i Nju Jorkut pengohet nga Hillary Clinton në ëndrrën e tij presidenciale

Që kur mori postin si guvernator, Andrew M. Cuomo i ka bërë punët mirë, duke e pozicionuar veten si një kandidat i mundshëm për president. Por disa që dëshirojnë që Cuomo të hyjë në garë në vitin 2016, thonë se në rast se Hillary Rodham Clinton i vihet përballë, i ka shanset e pakta.

Ai ka sfiduar dhe fituar mbi ligjvënësit problematikë në kryeqytetin Albany. Ka arritur të kontrollojë temperamentin problematik që dikur e bëri të famshëm. Ka ngritur një operacion të shkëlqyeshëm për mbledhjen e fondeve dhe ka fituar besimin e qytetarëve nëpër sondazhe. Por rezultatet e tij ia kanë zili shumë guvernatorë të tjerë. Por Cuomo, një njeri që parapëlqen të përcaktojë vetë fatin e tij, përballet me një problem jashtë kontrollit të tij: Hillary Rodham Clinton.

Duke krijuar shqetësim në qerthullin e tij të brendshëm, demokratët i kanë sytë nga zonja Clinton, e cila mund të garojë për presidente. Ajo sakaq ka një staturë të shkëlqyer mes demokratëve, e krijuar nga bashkëshorti i saj, ish-presidenti Clinton, i cili di si të kënaqë popullin me fjalime dhe e dëshmoi sërish këtë aftësi në konventën e fundit demokrate, ku mbështeti Presidentin aktual Barack Obama.

Zonja Clinton i komplikon ambiciet e Cuomo-s në shumë mënyra. Pavarësisht se ajo përshëndet nga Ilinoisi, sot shihet më shumë si një njujorkeze dhe zotëron besnikëri të thellë mes establishmentit demokratik të këtij shteti. Cuomo, 54 vjeç, e adhuron bashkëshortin e Hillary, ish-presidentin Bill Clinton. Ai e sheh Billin si një mentor që e ndihmoi të fillojë karrierën në politikë.

Përqendrimi i këshilltarëve të Cuomo-s mbi zonjën Clinton u bë i dukshëm gjatë konventës së demokratëve. Në një pikë, një këshilltar i rëndësishëm i guvernatorit pyeti një mik të familjes Clinton, nëse sekretarja aktuale e Shtetit ka në plan të garojë për presidente më 2016-n.

“Ata të gjithë po përpiqen të gjejnë se çfarë do të bëjë ajo”, tha një demokrat në kushtet e anonimatit. Një demokrat tjetër tha se Cuomo po bëhej disi problematik, për shkak se si një strateg i shkëlqyer, nuk dëshiron të gjendet në një situatë përballë Clinton-it. Një grumbullues fondesh thotë se për guvernatorin “një ish-zonjë e parë, e cila është njëkohësisht ish-senatore e Nju Jorkut, përbën një figurë të rëndë përballë tij. Ai tani nuk ka as mundësi të fillojë të veprojë, sepse do të duhet të presë që të shohë se çfarë ka ndër mend të bëjë zonja Clinton.

Zonja Clinton, 64 vjeçe, shërbeu si senatore për tetë vite para se të jepte dorëheqjen për t’u bërë sekretare Shteti në administratën Obama. As ajo, dhe as Cuomo, nuk kanë dhënë asnjë sinjal publik se kanë ndër mend të kandidojnë më 2016-n dhe guvernatori thotë se është i përqendruar në punën e tij aktuale. Clinton nuk pritet të vijojë të qëndrojë në postin e saj aktual nëse Obama fiton një mandat të dytë. Por thjesht ideja se mund të ketë një përplasje mes tyre sakaq ka krijuar thashetheme të shumta në botën politike të Nju Jorkut.

Ndërsa Cuomo ka respekt të thellë për zotin Clinton dhe e thërret atë për t’i marrë mendim, marrëdhënia e tij me zonjën Clinton është më pak personale. Ajo që është më shqetësuese për mbështetësit e Cuomos, është se zonja Clinton, për shkak të popullaritetit të madh që ka në parti, mund të shpenzojë ca kohë para se të vendosë të garojë për presidente, gjë që në praktikë ka ngrirë të gjithë garën brenda Partisë Demokratike. Në biseda private, thuhet se Cuomo sakaq e ka bërë të qartë se çdo mundësi për të kandiduar do të analizohet pasi të merret vesh se çfarë ka ndër mend të bëjë zonja Clinton. Një zëdhënës i Cuomos mohoi ekzistencën e diskutimeve të tilla dhe këmbënguli se guvernatori nuk po e poziciononte veten për një garë për president. Në javët para konventës, Cuomo, i cili shërbeu si sekretar i kombit për banesat gjatë presidentit Clinton, refuzoi ofertat nga miqtë e vjetër të babait të tij, ish-guvernatorit Mario M. Cuomo, për të folur qetësisht mbi perspektivën e tij për t’u zgjedhur president. Demokratë të tjerë, si guvernatori i Merilendit, Martin O’Malley, kanë filluar sakaq të bëjnë plane dhe të hedhin farën për një kandidim të mundshëm.

Mes mbështetësve të tij për garën presidenciale 2016, disa besojnë se nëse zonja Clinton vendos të garojë, besnikëria që Cuomo ka treguar gjithmonë ndaj zotit Clinton do ta ndalojë të bëjë një fushatë reale. Të tjerët besojnë se zonja Clinton nuk përbën pengesë serioze për Cuomo-n, duke argumentuar se ajo po shijon kohët më të mira politike aktualisht dhe ka ende shumë dobësi që e kanë penguar në të shkuarën, përfshirë imazhin e saj polarizues.

Ndryshe nga Clinton, ata besojnë se Cuomo është një fytyrë e re, të cilën demokratët dhe donatorët do ta mbështesin, për shkak se në 2014-n do të jetë rizgjedhur si guvernator, ndërkohë që në këtë kohë, Hillary Clinton ka shumë gjasa që të jetë në pension. (Gazeta Shqip)
Shtuar më 28/09/2012, ora 15:09

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori