Misteri që rrethon Sfinksin egjiptian të zbuluar në Izrael
Tel Hazor, në Izraelin Verior, ka qenë prej kohësh një thesar i groposur për arkeologët, por një zbulim i kohëve të fundit i një pjese të Sfinksit 4000-vjeçar egjiptian ka rezultuar i papritur për këdo.

Në mënyrë të pashpjegueshme, të varrosur larg prej Egjiptit, putrat e statujës së Sfinksit që pushon në bazën e tij të madhe, janë zbuluar me një mbishkrim në hieroglif që shkruan për Mbretin Mycerinus.

Faraoni ka sunduar në vitin 2500 para Krishtit dhe mbikëqyri nderimin e një nga tri piramidave të Gizës, vend ku ai aktualisht prehet.

“Zbulime të tilla mund të bëhen vetëm një herë në jetë”, shprehet Amnon Ben-Tor, drejtor i kërkimeve dhe profesor në universitetin hebre, i cili sponsorizoi gërmimet.

“Zbulimi ka jashtëzakonisht rëndësi nga shumë këndvështrime, duke qenë se është Sfinksi i vetëm në botë i kushtuar këtij mbreti, madje edhe në Egjipt.

Është gjithashtu pjesa e vetme monumentale e skulpturës egjiptiane, që është zbuluar gjetkë në Levant”, tha ai, duke iu referuar rajonit që shtrihet në lindje të Detit Mesdhe.

Ben-Tor tha se Sfinksi ishte thyer qëllimisht, meqenëse ishin edhe 10 statuja të tjera egjiptiane që ishin gjetur më parë në po të njëjtin vend. Kur qytetet binin, shumica e statujave i kishin duart dhe koka të prera.

“Pikërisht kjo gjë i ndodhi edhe kësaj statuje, që ka humbur duart”, tha drejtori i kërkimeve. Sfinksi i plotë vlerësohet të jetë një metër i gjatë dhe peshon gjysmë ton.

Skuadra do të vazhdojë të kërkojë për pjesën e mbetur të trupit të tij në pjesën arkeologjike, që përbëhet nga 200 akra, edhe nëse do të duhen 600 vjet, kohë që mendohet se do t’i duhen zonës për t’u zbuluar plotësisht nga mbetjet arkeologjike.

Sa për pyetjen më të rëndësishme nga të gjitha, si përfundoi Sfinksi në Tel Hazor, kjo mbetet ende një mister. “Mbase është një dhuratë që mbreti egjiptian i çoi mbretit vendas të Hazorit. Kjo është një hipotezë për të cilën nuk ka prova”, tha Ben-Tor.

Tel Hazor ishte dikur qendra e qytetit të Kanaan 4000 vjet më parë, me një popullsi që arrinte 20,000 njerëz. I vendosur në rrugën që lidh Egjiptin me Babiloninë, qyteti lulëzoi.

Gërmimet filluan për herë të parë në vitin 1950 dhe tani vendi njihet si Pjesë e Trashëgimisë Botërore i mbrojtur nga UNESCO.

Në pjesën më të madhe të vitit, kjo pjesë e largët e Izraelit është e qetë. Por çdo verë, arkeologë, studentë dhe vullnetarë vijnë në Tel Hazor për të zbuluar sesi jetonin të lashtët.

Vendi është bërë i rëndësishëm edhe për arkeologjinë biblike, e cila synon të ndriçojë ngjarje në Bibël.

Nuk ka mungesë të artefakteve në vendin e mbrojtur nga UNESCO pasi çdo herë zbulohen gjëra në dukje të zakonshme si enë balte dhe tasa. Por qëllimi i vërtetë është përdorimi i tyre për të kuptuar civilizimin e humbur.

“Dokumentet që kemi gjetur në Hazor tregojnë për njerëzit, për emrat e tyre, për kulturën dhe kultet e tyre. Ato rrëfejnë për martesën, divorcet dhe ekonominë vendase të kohës”, shprehet drejtori i kërkimeve dhe profesori i universiteti hebre.

Arkeologët nuk kanë thjesht detyrën të zbulojnë sendet prej guri, por ata duhet t’i bëjnë ato të flasin për historinë e tyre.

Por ekspertët dhe vullnetarët thonë se pjesë e shpërblimit për punën e tyre në gërmime është njohja me grupe të ndryshme njerëzish që jetojnë në atë zonë.

Shlomit Bechar, një kandidate e doktoraturës në arkeologji në universitetin hebre, shërben si mbikëqyrëse e vullnetarëve gjatë verës në Hazor.

Ajo tregon se ekziston një histori pas çdo gjetjeje. Një histori njerëzore, jo thjesht e njerëzve të lashtë, por edhe e vullnetarëve që gjenden në zonë.

Ardhja këtu konsiderohet si një përvojë unike në jetë, edhe pse puna është e vështirë dhe nuk paguhet. Ndërsa vullnetarët që vijnë nga e gjithë bota çdo vit e përshkruajnë kohën që kalojnë në Izrael si të pakrahasueshme me asgjë tjetër. (Shqip)
Shtuar më 14/09/2013, ora 18:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori