Michael Morpurgo, autori i “Kali i Luftës” flet për famën dhe pasurinë
Pëlqej
Abonohu për lajmet me e-mail:
E-maili juaj:      Tani, kontrolloni e-mailin tuaj dhe konfirmoni abonimin!
A ka ndikuar fëmijëria juaj në qëndrimin e mëvonshëm që keni pasur dhe keni ndaj parasë dhe punës?

Sigurisht. Para kam pasur pak dhe kjo ka qenë një situatë e përgjithshme për të gjithë ata fëmijë që janë rritur në vitet ’50 dhe ’60. Njerku im ishte botues dhe mamaja ime qëndronte në shtëpi dhe kujdesej për mua dhe dy vëllezërit e mi. Në moshë të hershme ishte aktore. Duke qenë se jam rritur në një familje socialistësh të krishterë edhe etika ime e punës ishte më e fortë.

A ka pasur periudha në jetën tuaj kur jeni shqetësuar për paratë?

U martova i ri, shumë i ri, por më mirë kështu. Ende sot vazhdoj që të jem i martuar me gruan time të vetme, pas 48 vitesh së bashku. U martova kur isha 19 vjeç. Ime shoqe ishte studente në atë kohë dhe ne fillimisht u mbështetëm te prindërit financiarisht, por ishim gjithsesi mirë, sepse babai i sime shoqeje ishte shumë njeri i mirë.

Kur nisën librat tuaj që të kishin një vlerë në treg, pra t’u jepnin të ardhura?

Jo shumë kohë më parë. Kam nisur që të shkruaj në vitin 1972 sapo kisha mbushur 30 vjeç. Sigurisht që për 25 vjet librat më sollën vetëm disa të ardhura shumë modeste, të cilat vinin e rriteshin me kalimin e kohës, por gjithsesi ishin të pakta. Më kujtohet llogaritari im që më thoshte se fitimi ishte shumë i pakët dhe se nëse do të vazhdoja kështu duhet të hiqja dorë nga shpenzimet e mëdha. Ka pasur me raste disa momente të mira financiare kur për shembull nga ndonjë libër bëhej ndonjë film i shkurtër dhe paratë që fitoja kapnin shumën me katër shifra në vend të atyre me tre me të cilat isha mësuar, por thelbësisht kam jetuar me rrogën që kam marrë si mësues. Kam dhënën mësim rregullisht në shkollat tetëvjeçare. Vetëm kur u shkëputa pak nga puna e përditshme që më duhej për të mbajtur veten gjallë, dhe krijova një të ardhur nga një shoqatë, nisa që të përmirësohem edhe në shkrime dhe si pasojë të kisha edhe më shumë të ardhura nga librat e mi.

Si arriti që libri “Kali i luftës” të bëhej kaq i rëndësishëm?

“Kali i Luftës” është libri im i gjashtë i botuar në vitin 1982 dhe për hir të së vërtetës fillimisht nuk pati shitje të mira. Pas katër vjetësh nga publikimi ishin shitur vetëm 2000 kopje. Ky ishte maksimumi dhe botuesi im, Zoti i bekoftë zemrën, e botoi herë pas here së bashku me librat e mi të tjerë, pavarësisht shitjeve të pakta. Jam i sigurt që tani ata e kuptojnë se çfarë pune të mirë bënë me këtë libër dhe me mua. Fama e madhe erdhi plot 21 vjet pasi libri ishte botuar. Ai u zbulua krejt rastësisht. Isha në një emision radiofonik për të folur për një nga librat e mi për fëmijë dhe marr një telefonatë, gjatë emisionit. Ishte mamaja e drejtorit artistik të Teatrit Kombëtar, Tom Morris, dhe pasi e kishte lexuar vetë librin ajo këshilloi edhe të birin që të bënte të njëjtën gjë. Si e lexoi, i pëlqeu shumë dhe ai ndërkohë ishte duke kërkuar për një histori të tillë në qendër të së cilës të ishte një kafshë. Pra ishte një fat i pastër. Dy vjet më vonë, librin e bëra dramë dhe gjithçka ishte gati për shfaqjen në West End, Brodway dhe më pas në Kanada, Australi dhe në të gjithë Amerikën në një turne të gjatë. Në vitin 2009, një producent që punonte me Spilbergun e pa shfaqjen për shkak të vajzave të saj dhe më pas i tha Spilbergut që ta shihte si projekt të mundshëm. Vetë Spilberg erdhi për ta parë shfaqjen në Londër dhe e pëlqeu shumë. Më pas nisi që të gërmonte për rolin që luajtën kuajt në Luftën e Dytë Botërore. Mënyra se si libri u bë i suksesshëm në fakt është një histori që është më e mirë se çdo libër që kam shkruar deri më tani. Tani ky libër ka shitur mbi 1 milion kopje.

Si ua ka ndryshuar jetën ky libër?

Më ka sjellë një ndryshim të jashtëzakonshëm. Dhurata më e çmuar që kam marrë prej këtij libri është sigurisht që të mos e vras më mendjen për para, sepse për mua kjo çështje ka qenë gjithmonë një arsye për pak ankth në jetë. Me këto para tani mund t’u jap nipërve të mi një shkollim shumë të mirë dhe kemi bërë edhe shumë donacione për bamirësi. Por ka edhe një anë “të errët” i gjithë ky ndryshim dhe ai është ideja që kanë të tjerët se unë tashmë jam super i pasur, pra notoj në para. Kjo do të thotë se nëse nuk je i kujdesshëm mund të të huajëzojë me të tjerët. Mendoj që paratë i ndajnë njerëzit, pra janë të rrezikshme. Të japin një rehati, por të marrin shumë vlera. Për të mos u ndier në pozita të tilla duhet të jesh shumë i kujdesshëm. Sa për mua jam i lumtur që ky takim me paratë e shumta më ndodhi në moshë të shkuar. Kur kam qenë i ri edhe mund të kisha dalë mendsh dhe të kisha ndryshuar nga parët, por tani nuk ka ç’më bën më asgjë veç vdekjes.

Ju jeni shpenzues, apo kursimtar i parave?

Gruaja ime është shumë kursimtare. Ka qenë gjithë jetës dhe është e kuptueshme, sepse pa një kursim të mirë nuk do të arrinim që të jetonim normalisht, pasi të ardhurat tona kanë qenë për shumë kohë modeste dhe nevojat të mëdha. Unë jam një shpenzues parash. Shkoj në një supermarket dhe bëj namin në blerje për gjëra që edhe mund të mos më hyjnë në punë. Ndërsa ime shoqe nuk blen kurrë më shumë gjëra nga sa na duhen. Ajo ka të drejtë, por unë kam një tjetër temperament dhe kam blerë shpesh gjëra me një impuls të parë që më pas nuk i kam përdorur kurrë. Kjo edhe kur ishim keq me të holla dhe kjo na ka kushtuar shpesh jo pak. Kur isha student në kolegj pashë një kostum në një vitrinë rrobaqepësi dhe bëra gabimin e madh që pa e provuar e bleva dhe kur e vesha ishte dy numra më i vogël.

Preferoni që marrëdhëniet me bankat t’i kryeni online, apo të keni një kontakt të drejtpërdrejtë me bankën?

Ime shoqe është njeriu që merr e jep online me bankën gjatë gjithë kohës. Është një mënyrë që i pëlqen shumë edhe si punë. Unë jo. Jam tradicional dhe nëse ndonjëherë më duhet që të kem punë me bankën preferoj që të lemë kontakt të drejtpërdrejtë. Ime shoqe ka çdo dijeni për llogaritë bankare dhe për situatën financiare tonën dhe ajo nuk mund të ishte në duar më të sigurta. Ajo është marrë edhe me anën e biznesit të karrierës sime dhe më njofton për gjërat vetëm ku i duhet firma ime apo ndonjë gjë që mund t’ia jap vetëm unë. Unë më mirë të lihem jashtë parave.

Ju keni edhe një fondacion bamirësie me emrin “Ferma për fëmijët e qyteteve. Kur e patët këtë vizion për herë të parë?

Edhe këtë herë ishte ideja e time shoqeje. Ajo e ka adhuruar shumë fshatin dhe i ka pëlqyer që të kalojë kohë me djemtë aty. Por në qytet ka shumë pak mundësi që një fëmijë të mund të ketë një ambient ferme, sepse gjithçka është e betonuar. Disa vite pas martese përdorëm një pasuri të babait. Është një përvojë që e pëlqej shumë dhe ndoshta një herë tjetër mund të flas më hollësisht.

Cili është mësimi më i mirë që keni marrë nga një përvojë e tillë?

Të drejtosh një fondacion bamirësie është njësoj si të drejtosh një biznes. Këtë kemi zbuluar. Fillimisht menduam që gjithçka kishte të bënte me shpirtin e projektit se si t’i bënim fëmijët që të ndiheshin mirë, por që kjo të ndodhë duhet që të gjesh burime për ta mbështetur një ide shpirtërore. Tani kemi disa të rinj të mrekullueshëm që e drejtojnë.

Cila është gjëja më e çmuar që keni në pronësi?

Është një shall shumëngjyrësh leshi për thurjen e të cilit gruaja ime shpenzoi plot një vit.
(Gazeta Shqip)
Shtuar më 12/04/2012, ora 11:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori
 
A mendoni se Shqipëria do të kalojë fazën e grupeve në EURO 2016?
65.63 %
28.89 %
5.47 %
Total 9064 Vota!
 
Tauland dhe Granit Xhaka janë dy vëllezërit që përballen në skuadra të ndryshme për herë tëparë në një Kampionat Evropian

Tauland dhe Granit Xhaka janë dy vëllezërit që përballen në skuadra të ndryshme për herë tëparë në një Kampionat Evropian