Maggie Gobran “Nënë Tereza” e Egjiptit
Lindi në Kajro para 63 vjetësh në një familje të pasur, por në vitin 1987 braktisin karrierën si ekonomiste për t’iu kushtuar fëmijëve.

Ajo ishte kandidate edhe për çmimin “Nobel” të paqes. Sipas saj, jeta është shumë e bukur.

Kur kalon nëpër rrugicat e spitaleve e sheh të mbuluar kokë e këmbë me shall të bardhë. Të gjithë e quajnë nënë Maggie.

Për shkak të punës së saj në favor të më të varfërve, disa e quajnë “Nënë Tereza e Egjiptit”. Maggie Gobran nuk është murgeshë, por një laike e krishterë. E lindur para 63 vjetësh në Kajro, e braktisi familjen e saj (ishte viti 1987) dhe gjithçka kishte për të veshur ishte një tunikë e bardhë dhe e thjeshtë. Në vend të kompjuterit dhe karrierës ajo preferoi periferitë egjiptiane, ku çdo ditë ndihmon fëmijët dhe përpiqet të vendosë paqen mes të krishterëve dhe myslimanëve. Për t’ia arritur qëllimit, në fund të viteve ‘80 krijoi shoqatën “Stephen’s children”, me të cilën sot ndihmon rreth 30 mijë familje të varfra të Egjiptit. Në vitin 2010, shoqata i ndihmoi vendasit përmes 80 klinikave, disa qendra edukuese për fëmijë, 65 kampe trajnimi dhe 5 kampe të tjera trajnimi profesional të shpërndara në të gjithë Egjiptin. Për punën dhe projektet që bën Maggie financohet nga bamirësit egjiptianë dhe ata të të gjithë botës. Për këtë mision ajo ishte edhe kandidate e çmimit “Nobel” për paqe. Kandidatura për çmimin erdhi nga një grup anëtarësh të kongresit amerikan dhe kështu nënë Maggie u bë gruaja e parë kopte që priste këtë çmim.

Si erdhi kjo kandidaturë?

Pata fatin të flisja në të gjithë botën para plateve ndërkombëtare. Mbeta pa fjalë nga shumë vende që e kishin zhvilluar bamirësinë tonë. Nga këtu u lindi ideja disa politikanëve amerikanë për të më kandiduar.

Tani Amerika është në qendër të fanatikëve myslimanë për filmin mbi Muhametin. Ju çfarë mendoni?

Unë dënoj çdo akt që nxit çdo bindje ose dogmë. Jam absolutisht kundër këtij filmi, që i ka plagosur vëllezërit tanë myslimanë. Natyrisht që jam pro lirisë së të shprehurit, por kurrë nuk duhet prekur asnjë besim fetar.

Filmi ka shkaktuar reagime të dhunshme…

Më vjen keq për dhunën kundër ambasadave amerikane dhe mbi të gjitha atë kundër njerëzve. Unë lutem çdo ditë që paqja të mbizotërojë në vend dhe që Zoti të na lejojë të jetojmë sipas vullnetit të tij të shenjtë.

Një prej qëllimeve tuaja është pikërisht bashkimi mes të krishterëve dhe myslimanëve…

Unë shpresoj në bashkimin e të gjithë popujve. Për këtë arsye qendrat tona janë të hapura si për fëmijët e krishterë ashtu edhe ata myslimanë. Nëse që në fëmijëri rriten bashkë, do të mbeten miq edhe kur të rriten.

Ju mendoni se mënyra më e mirë është duke i edukuar me bashkëjetesën që kur janë fëmijë?

Po. Ne po përpiqemi t’i kurojmë dhe t’ua transmetojmë vlerat pozitive që kur janë të vegjël, duke i thënë jo gënjeshtrës, dhunës e duke i thënë po punës, ndershmërisë, respektit reciprok, bashkëpunimit me të afërmit, dashurisë, familjes, atdheut.

Cila ishte arsyeja që ju bëri të ndryshonit jetën tuaj?

Kam lindur në një familje që është mësuar të shërbejë dhe që si hyjnë në sy gjërat materiale.

Përse fëmijët janë në qendër të punës suaj?

Gjithmonë thuhet se ata janë e ardhmja. Nëse rrisim një fëmijë të shëndetshëm, kemi bërë hapin e parë për të krijuar një komunitet të shëndetshëm dhe të lumtur. Këtyre fëmijëve të varfër ndonjëherë u laj edhe këmbët për t’ju treguar dashurinë time, sidomos atyre që nuk kanë pasur prindër. Kryesorja është që ata të ndihen të rëndësishëm, të dashur dhe të pranohen nga të gjithë.

A keni pasur rezultate të mira?

Tek ata shosh buzëqeshjen e Zotit dhe kam gjetur vetveten. Mësimin më të madh e mora njëherë kur një fëmijë i uritur, pavarësisht barkut bosh, hëngri pak dhe tha se pjesën tjetër të bukës do t’ia ruante motrës. Jeta është një shkollë dashurie.

Por jo gjithmonë mbretëron dashuria. Gjatë vitit të fundit ka pasur shumë të vdekur në Egjipt…

Zemra ime është copëtuar për çdo jetë të humbur gjatë protestave. Por duhet gjetur forca e faljes; roli im është që të jap dashuri dhe dashuria mund t’i ndryshojë njerëzit. Në fund të fundit jemi qenie njerëzore. Do të lutem për të gjithë njerëzit e vendit tim që janë në gjendje të mirë ekonomike, t’i ndihmojnë të varfrit. Besoj se Zoti ka një plan për popullin tim. Nuk duhet të kemi frikë.

Çfarë u tregoni fëmijëve tuaj?

Për secilin prej tyre kam këto fjalë: “Të dua shumë. Jam gati të bëj gjithçka për të të ndihmuar. Je qenia më e çmuar në botë”.

A ka pasur ndonjë rast ku jeni prekur vërtet?

Po, po i blija një palë këpucë një vajze të varfër, e cila më tha se nuk duhej të mendoja për atë, por t’ia blija këpucët mamasë së saj që kishte mbetur zbathur. U trondita jashtëzakonisht. U ktheva në shtëpi duke qarë dhe mendoja që në vend të asaj nëne mund të kisha qenë unë.

Cila është ëndrra juaj më e madhe?

Të shoh buzëqeshjen në buzët e të gjithë fëmijëve të varfër të botës, që secili prej tyre të arrijë të gjejë Zotin në jetë. Ky është misteri më i madh i dashurisë dhe dua që ku mesazh të tejçohet edhe pas vdekjes sime.

Meqë nuk e fituat çmimin “Nobel” për paqe, çfarë do të bëni tani?

Do të vazhdoj projektet e mia për një të ardhme më të mirë të Egjiptit dhe të gjithë botës. Ne ofrojmë shërbime të vogla, por e bëjmë me dashuri të madhe. Po përpiqemi të krijojmë një shpresë në zemrën e çdo fëmije, ndaj shpresoj që rrugëtimi ynë të vazhdojë brez pas brezi.



Biografia

Maggie Gobran, 63 vjeçe, lindi në një familje pasanike të komunitetit kopt të Kajros. Pas diplomimit dhe një masteri në administrim-biznes, u mor me marketing dhe jepte mësim në fakultet në degën e Informatikës. E martuar, nënë e dy fëmijëve, në vitin 1987 vendosi të ndryshonte jetën: vizita në një lagje të varfër të Kajros e shtyu të transferohej mes të dëbuarve. Krijoi shoqatën “Stephen’s children” që ndihmon 30 mijë familje të varfra në Egjipt. Ajo ishte një prej kandidateve të çmimit “Nobel” për paqen. (Shqip)
Shtuar më 19/10/2012, ora 18:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori