Lufta për primatin e botës islame
Lindja e Mesme ishte një zonë e stërmadhe, pothuajse e gjitha nën kontrollin e Perandorisë Osmane deri në fund të Luftës së Parë Botërore. Kjo perandori u rrënua dhe më 1919-n miliona kilometra katrorë posedime të saj u ndanë nga fuqitë fituese në formën e “Mandateve”, një emër i përdorur për zëvendësimin e fjalës me nam të keq, “koloni”.

Britanikët morën Palestinën dhe Irakun. Francezët morën Sirinë dhe Libanin. Të gjitha këto vende gradualisht fituan pavarësinë pas Luftës së Dytë Botërore duke u bashkuar me Egjiptin, Arabinë Saudite, e Persinë, të cilat qenë të pavarura që më herët ose entitete politike të veçanta. Pasuritë e mëdha të nëntokës së disa prej këtyre vendeve, veçanërisht Iraku, Irani e Arabia Saudite, u dhanë rrugë ambicieve për ndërtimin e perandorive. Kështu nisën luftërat për primatin e kësaj hapësire të gjerë të njohur herë si Bota Arabe, (22 vende), herë si Bota Islamike. Nacionalizmi pan-arab dhe islamizmi politik qenë dy filozofitë bazë në këtë përplasje, ku socializmi dhe kapitalizmi hynë me raste në fushëbetejë.

Lufta Iran-Irak ishte më e ashpra në drejtim të përpjekjeve për këtë primat. Iraku, një vend me sipërfaqe më të vogël dhe relativisht i ri, u përplas me Iranin, një vend shumë më i vjetër, më i madh e me eksperiencë shtetare më të fuqishme. Në lojë ishte kontrolli i rrugëve detare nga ku kalon pjesa dërrmuese e naftës që konsumohet në botë. Një sukses në këtë luftë do t’i jepte Irakut kontrollin e prodhimit dhe transportit të një pjese të madhe të naftës së botës, do të nxirrte në hije Arabinë Saudite dhe rrjedhimisht do të vendoste bazat për një perandori me ndikim të gjerë nga Persia deri së paku në Egjipt.

Ideologjia
Irani ishte një perandori laike dhe e fuqishme deri në vitin 1979, kur shahu Mohammad Reza Pahlavi u rrëzua me një revolucion. Pahlavi pati investuar shumë gjatë dekadës paraardhëse në fuqizimin ushtarak të Iranit dhe qeveriste me një diktaturë të hekurt. Vendi i tij gjendej në mes të linjës së përplasjes së komunizmit me kapitalizmin. Revolucioni që e rrëzoi atë ishte pjesërisht islamik dhe pjesërisht marksist. Por, ana islamike triumfoi. Papritur Irani u bë qendra e islamit politik, si një faktor i kundërt ose në konflikt me nacionalizmin arab, i cili ishte në pushtet në Irak, në Arabinë Saudite e në vende të tjera. Revolucioni islamik i Iranit dërgoi valë tronditjesh në të gjithë rajonin. Në Turqi, ushtria bëri grusht shteti dhe pezulloi qeverinë civile e Kushtetutën për të shmangur një revolucion islamik në këtë vend. Iraku, i cili ishte përplasur disa herë me Iranin për kanalet detare dhe lumore të transportit të naftës, e pa shtetin islamik si një organizëm të dobët në krahasim me shtetin perandorak të shahut dhe rrjedhimisht mendoi se mund ta luftonte dhe ta mposhtte. Llogaritë e Irakut dhe diktatorit Sadam Husein dolën të gabuara.

Irani, megjithëse ishte tronditur në themele nga revolucioni dhe gjeneralët e kolonelët e këtij vendi patën përfunduar të ekzekutuar apo të burgosur, gjeti forcën të reagojë.

Shat al-Arab/Arvand Rud
I njohur për arabët si Shat al-Arab (lumi i arabëve) dhe në persisht si Arvand Rud (lumi i shpejtë), ky lumë 200 kilometra i gjatë krijohet në pikën ku Tigri dhe Eufrati takohen me njëri-tjetrin para se të derdhen në Gjirin Persik. Ky lumë është edhe kufiri zyrtar mes Irakut dhe Iranit në këtë zonë.

Kjo linjë kufiri ishte edhe kanal i rëndësishëm i transportit. Në kohën e mandateve britanike, lumi u propozua të mbahej i hapur për trafikun e të dyja vendeve. Por në vitin 1937, u propozua një formulë që praktikisht ia kalonte lumin Irakut, ku Irani detyrohej të paguante taksë për përdorimin e tij nga anijet e veta. Në vitin 1969, Irani, i fuqizuar ushtarakisht, e hodhi poshtë këtë marrëveshje dhe refuzoi të paguajë taksë. Iraku kërcënoi me luftë, por kur tanket e naftës së Iranit lundruan në këtë lumë të shoqëruara nga luftanije, Bagdadi nuk veproi, pasi ishte shumë më i dobët ushtarakisht. Në mungesë të përballjeve ushtarake direkte, filloi lufta asimetrike. Irani financoi nacionalistët kurdë brenda Irakut, Iraku financoi nacionalistët kurdë, si edhe fiset arabe brenda Iranit.

Më 1975-n, Iraku dhe Irani ranë dakord ta ndajnë lumin përgjysmë. Iraku nuk mbeti i kënaqur nga kjo, pavarësisht një periudhe relative qetësie. Më 1980-n, Sadam Huseini hoqi dorë nga marrëveshja dhe i shpalli luftë Iranit.

Një milion të vdekur
Lufta Iran-Irak zgjati gati tetë vjet, nga deklarata formale e luftës më 22 shtator 1980 deri në pranimin e armëpushimit nga ana e Iranit më 20 korrik 1988. Të vrarët vlerësohen nga minimalisht 500 mijë në 1 milion vetë. Mbi gjysmë milionë të tjerë ushtarë dhe civilë, u bënë invalidë permanentë.

Rreth 228 miliardë dollarë u shpenzuan drejtpërsëdrejti në luftë, e cila shkaktoi më shumë se 400 miliardë dollarë dëme të tjera. Lufta u mbyll në të njëjtën gjendje siç u nis. Pasi fitoi në fillim ekskluzivitetin mbi lumin mes dy vendeve, Sadam Huseini e dorëzoi këtë ekskluzivitet më 1988-n kur pati nevojë për neutralitetin e Iranit në pritje të pushtimit të Kuvajtit më 1991.

Tri gjëra qenë të veçanta në këtë luftë. E para, ajo ishte në mënyrë të panevojshme shumë e gjatë, veçanërisht për shkak se Irani nuk dëshironte t’i jepte fund asaj, ndërsa Iraku nuk mundej. E dyta, ajo ishte thellësisht asimetrike në mjetet e përdorura nga të dyja palët.

Ndërsa të dyja palët eksportonin naftë për të blerë armë, Iraku i ndihmuar në këtë skemë nga paratë e Kuvajtit dhe Arabisë Saudite, mundësoi blerjen e armëve të avancuara dhe ekspertizës në shkallë shumë më të gjerë sesa Irani.

E treta, në këtë luftë u përdorën tri mënyra lufte që patën munguar në të gjitha luftërat e mëparshme që nga viti 1945: sulme jodiskriminuese balistike mbi qytetet e të dyja palëve, por më së shumti nga Iraku; përdorimin masiv të armëve kimike nga Iraku dhe rreth 520 sulme mbi tanket e naftës në Gjirin Persik që u përkisnin vendeve të treta. Iraku përdori avionë dhe raketa antianije kundër tankerëve që merrnin naftë në Iran, ndërsa Irani përdori mina, varka silurlëshuese dhe raketa të lëshuara nga toka kundër tankeve që merrnin naftë në terminalet e mbështetësve arabë të Irakut.

Kur Sadam Huseini me delirancë e filloi luftën, ai bëri dy llogari gabim: e para, ai sulmoi një vend që ishte çorganizuar rëndë nga revolucioni, por në të njëjtën kohë, revolucioni i pati dhënë energji, ndërsa regjimi i ri i Iranit e gjeti me leverdi këtë luftë si një mjet për të shtypur rezistencën e brendshme përballë rrezikut të huaj dhe për të konsoliduar pushtetin me një luftë të gjatë “patriotike”. Kjo është një punë që e bëjnë të gjitha regjimet revolucionare në një mënyrë apo një tjetër. Llogaria e dytë gabim ishte strategjik. Ai bëri një sulm surprizë mbi një vend me territor shumë të madh, thellësia strategjike e të cilit ishte e konsiderueshme dhe ai nuk bëri as përpjekjen më të vogël për ta penetruar.

Sulmi surprizë ishte i domosdoshëm për Irakun, pasi Irani kishte kapacitetin që me një mobilizim total të mbronte kufijtë e vet. Kur forcat irakiane sulmuan, ato arritën me shpejtësi në limitet logjistike të tyre, pasi hasën vetëm rezistencë të dobët. Në këtë pikë, Irani vetëm sa kishte filluar të mobilizohej.

Por nga kjo pikë deri në fund të luftës tetë vjet më parë, Iraku u detyrua të mbajë pozicione mbrojtëse dhe u përball me ofensiva të ndryshme iraniane nga një sektor në një tjetër.

Në vitin 1982, Irani ripushtoi të gjitha territoret që pati humbur. Sadam Huseini shpalli një armëpushim të njëanshëm, por Irani nuk pranoi, duke kërkuar rrëzimin e tij nga pushteti dhe kompensim për dëmet e luftës. Pas refuzimit të Irakut, Irani filloi një operacion pushtimi dhe përgjatë viteve organizoi disa përpjekje për të pushtuar Basrën, porti i vetëm detar i Irakut.

Por Irani revolucionar ishte shumë i kufizuar në mjete të ofensivës taktike. Ai nuk kishte më furnizime nga SHBA-ja, ndërsa dispononte një ushtri gjerësisht të pajisur me mjete të prodhimit amerikan. Ushtarakët e shahut që dinin t’i përdornin këto mjete, qenë larguar në ekzil, qenë burgosur apo vrarë. Irani nuk ishte në gjendje të rindërtonte formacione të koracuara apo të mbante në punë forcat e veta ajrore në kapacitet të plotë. Ushtria e Iranit dhe forcat revolucionare qenë në gjendje vetëm të organizonin sulme të këmbësorisë nën mbështetjen e artilerisë konvencionale. Ata përdorën avantazhin e popullsisë. Irani kishte 40 milionë banorë përballë 13 milionëve të Irakut. Megjithëse sulmet e këmbësorisë mund të thyenin herë pas here linjat e kundërshtarit përmes kostove të stërmëdha njerëzore, ato nuk mund të penetronin mjaftueshëm thellë për të arritur një fitore vendimtare.

Nga viti 1988, Irani ishte demoralizuar nga dështimet e vazhdueshme të ofensivave që shumë shpesh i deklaronte si “finale”. Ajo nuk ishte në gjendje të importonte mallra civile dhe pajisje ushtarake, si dhe u përball me sulmet me raketat Skud mbi kryeqytetin e vet Teheran. Kur lufta më në fund po mbyllej, Iraku u rikthye menjëherë si forca kryesore sulmuese. Ai pati përdorur mekanizimin për të shmangur refuzimin e ushtarëve të vet për t’u përballur drejtpërsëdrejti me zjarrin e armikut. Këtë përgatitje e shfrytëzoi në prill 1988, kur filloi një ofensivë të madhe. Disa muaj më vonë, Irani pranoi rezolutën e OKB-së për armëpushim të menjëhershëm.

Aleanca të shumëfishta
Lufta Iran-Irak u zhvillua në kohën e Luftës së Ftohtë, ku shumë vende u përzien direkt apo indirekt në konflikt, shumë shpesh duke ndërruar krahë apo duke mbështetur të dyja palët njëkohësisht. Konvencionalisht thuhet se Irani mori mbështetje logjistike nga Koreja e Veriut, Siria, Libia, Izraeli e Brazili. Në një farë pike, Republika Islamike ishte në gjendje të blinte pajisje amerikane për të mbajtur në punë infrastrukturën e vet ushtarake të kohës së shahut. Iraku, nga ana e vet, mori mbështetje logjistike nga Bashkimi Sovjetik, Kina, Franca, Egjipti, Arabia Saudite, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italia e vende të tjera.

Gjatë viteve të para të luftës, dy superfuqitë, SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik, u përpoqën të mbajnë një distancë nga konflikti, por ato braktisën neutralitetin kur dolën në përfundimin se iranianët po bashkoheshin përreth qeverisë së Khomeinit dhe se Irani kishte mundësi reale për të fituar.

Sovjetikët rifilluan dërgimin e armëve në Irak më 1982, pasi Irani shpalli të paligjshme Partinë Komuniste të këtij vendi, duke arrestuar mijëra udhëheqës, si dhe duke përzënë tetëmbëdhjetë diplomatë sovjetikë. SHBA-ja ndryshoi gjithashtu pozicionin e vet duke rivendosur misionet diplomatike në Irak dhe duke dhënë 2 miliardë dollarë kredi në formën e mallrave, si dhe duke i lejuar këtij vendi të përdorë burimet e shërbimeve të informacionit të vetat. Angazhimi i SHBA-së erdhi pasi Irani kërcënoi se do të mbyllë Ngushticën e Hormuzit për trafikun ndërkombëtar rrjedhimisht duke ndaluar furnizimin e botës me naftë. Në vitin 1984, filloi “lufta e tankeve”, ku të dyja vendet sulmuan anijet tregtare të vendeve të tjera. Në fund, të dyja superfuqitë, si dhe luftanijet e pesë vendeve europiane u angazhuan në këtë luftë.

Ndërkohë, në fushëbetejë hyri edhe Izraeli. Qeveria e justifikoi vendimin e saj për shitjen e armëve në Iran duke argumentuar se kjo gjë ndihmonte në ndalimin e Sadamit për krijimin e një zone hegjemonie nën kontrollin e tij në anën arabe të Gjirit Persik.

Vendimi i Izraelit pati ndikim të jashtëzakonshëm krahas një grupi zyrtarësh amerikanë të sigurisë kombëtare, të cilët hartuan plane për t’i shitur Iranit armë dhe pjesë këmbimi me shpresë se në këtë mënyrë do të fitohej lirimi i pengjeve amerikane të mbajtur në Liban. Amerikanët qenë marrë peng nga terroristë të mbështetur nga Irani.

Plani i shitjeve u zgjerua me sugjerimin që fitimet e kësaj tregtie të përdoreshin për të ndihmuar kundërrevolucionarët në Nikaragua. SHBA-ja kishte gjatë kësaj kohe edhe shqetësimin se iranianët po “eksportonin revolucionin” drejt Arabisë Saudite.

Lufta e Irakut për primatin e botës arabe vijoi tre vjet më vonë me pushtimin e Kuvajtit, pushtim përmes të cilit synohej gjithashtu të vihej nën kontroll tregu i naftës. Pasi amerikanët hynë në luftë kundër Irakut dhe rivendosën Kuvajtin si shehikdom i pavarur, Iraku u bë një vend gjithnjë e më i parëndësishëm ushtarakisht dhe ekonomikisht. Por pushtimi amerikan në vitin 2003 dhe tërheqja e trupave perëndimore në vitin 2011, ka krijuar një situatë të re. Qeveria e sotme e Irakut drejtohet nga një Kryeministër që përgjatë viteve të shkuara ishte emigrant politik në Iran. Ai konsiderohet nga disa kritikë si fondamendalist shia në shërbim të Teheranit. (Shqip)
Shtuar më 05/09/2013, ora 17:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori