Lufta e Vietnamit / “Incidenti i Tonkinit”, emblema e fiaskos së NSA-së
Pëlqej
Para 50 vjetësh, Presidenti amerikan, Lyndon B. Johnson, bombardoi Vietnamin verior. Tmerrin për amerikanët do ta shkaktonin “raporte të fabrikuara të shërbimeve sekrete”, sikurse ndoshta edhe luftëra të tjera të ndërmarra më vonë nga SHBA-ja

Nga Peer Meinert dhe Pat Reber

Vetëm nga fundi, frika ishte sërish aty, papritur e pakujtuar. Barack Obama dërgoi nja njëqind këshilltarë në Irak – dhe sërish Presidenti amerikan foli për të ashtuquajturën “Vietnam Syndrome”. “Mission Creep” e quan ai katastrofën amerikane, të përkthyer pak a shumë me fjalët: rrëshqitja pa frena në një luftë, që nuk mund të fitohet. Para 50 vjetëve, për SHBA-në ia nisi një luftë e vërtetë – një datë që Amerika më mirë do të donte ta harronte.

Edhe në ato kohë, shërbimet e fshehta kishin futur duart në lojë. “Incidenti i Tonkinit” quhet ky fenomen tashmë në librat shkollorë: më 4 gusht 1964 – në mes të Luftës së Ftohtë – destrojeri amerikan Maddox gjendej para brigjeve vietnamezoveriore të qytetit të Haiphong-ut në Gjirin e Tonkinit – kur ai u godit me ç’duket nga torpedot e anijeve luftarake vietnamezoveriore. Presidenti amerikan, Lyndon B. Johnson, reagoi me shpejtësi, dërgoi bombardues mbi territorin e Vietnamit komunist. Tri ditë më vonë, Kongresi miratoi të ashtuquajturën “Tonkin-Resolution”, faktikisht një deklaratë lufte.

Ndërkohë, të gjithë historianët kanë rënë dakord me idenë se sulmi mbi destrojerin Maddox ishte vetëm një blof – që e kishte sajuar shërbimi i fshehtë ushtarak amerikan, NSA. “Raporte të fabrikuara sekrete”, e cilëson këtë Carl W. Baker, ekspert për Europën Juglindore në “Center for Strategic and International Studies” (CSIS) në Uashington. Në fakt, rezoluta për luftën ishte përgatitur javë përpara incidentit. “Kishte një interes në rritje të politikës që të miratohej Rezoluta e Tonkinit”, thotë Baker.

“Në pranverë 1964, planizuesit ushtarakë kishin hartuar materiale të detajuara për Vietnamin e Veriut”, thotë profesoresha Marjorie Cohn nga “Thomas Jefferson School of Law” në San Diegon kalifornian. Pas saj bëhej fjalë vetëm për një shkak për të hyrë në luftë – në emër të kryqëzatës kundër komunizmit.

Një aspekt interesant: edhe vetë Johnson ngrinte fillimisht dyshime nëse shërbimet sekrete ishin të besueshme në pretendimin e tyre për këmbim zjarri me vietnamezoveriorët. “E marrtë dreqi, mos këta marinarë kokëtrashë kanë qëlluar vetëm mbi peshkaqenë”, turfullonte ai në bisedat me këshilltarët e vet. Megjithatë, ata ishin bombarduar.

S’ia kishim idenë se ku ndodhej armiku

Sigurisht se presidentët amerikanë, Dwight D. Eisenhower, dhe John F. Kennedy, kishin dërguar këshilltarë ushtarakë në Vietnam dhe kësisoj e kishin vënë dalëngadalë në shina rrëshqitjen drejt luftës. Mirëpo vetëm me bombardimin e Johnson-it dhe dërgimin e trupave tokësore, ia nisi përshkallëzimi i situatës, që do të përfundonte në një fiasko.

Më shumë se 58 000 ushtarë amerikanë vdiqën në Vietnam, më shumë se 300 000 u plagosën – fuqia më e madhe ushtarake e botës në fund duhej të kishte mundur vetëm ca “luftëtarë zbatharakë”. “Ne nuk e dinim se ku ndodhej armiku”, saktësoi një veteran amerikan i Luftës së Vietnamit dilemën e madhe të luftës guerile. Në fund, çdo banor fshati, qoftë në Jug apo në Veri të Vietnamit, ishte bërë një komunist potencial, një armik, një vietkong.

Ish-ministri i Jashtëm amerikan, Henry Kissinger, e përshkroi kështu dilemën: “Unë refuzoj të besoj se një fuqi e kategorisë së katërt në rang botëror si Vietnami i Veriut, të mos dorëzohet dot në asnjë pikë”.

Operacione të vogla, që përfundojnë të mëdha

Në fund, Kissinger tashmë po e besonte: ai negocioi me Vietnamin e Veriut në vitin 1973 një traktat paqeje, që në fakt nuk ishte i tillë. Dy vjet më vonë, më 30 prill 1975, tanket vietnamezoveriore mësynë mbi kryeqytetin e atëhershëm të Vietnamit të Jugut, Saigon – ndërsa botës i mbeti në mend imazhi jodinjitoz i amerikanëve të fundit që largoheshin në panik me helikopterë nga tarraca e ambasadës amerikane.

Lufta ndryshoi si Amerikën ashtu dhe botën. SHBA-ja ishte parë vazhdimisht si mbrojtës i të pafajshmëve, si zjarri ndriçues për të vënë në vend të mirën dhe drejtësinë – por tmerret e masakrat e ushtarëve amerikanë në xhungël, e tronditën këtë imazh. Ishte ajo foto e vajzës së vogël, të zhveshur, që po merrte arratinë nga fshati i saj pas sulmit amerikan me napalm – imazhi tashmë “i urryer” i amerikanit tashmë po bënte xhiron e botës. Në fund, SHBA-ja po dyshonte në vetvete dhe rolin e saj në botë.

Ajo çka mbetej ishte trauma, frika për ndonjë “Mission Creep”. Nja njëqind këshilltarë dërgon Obama për të luftuar militantët islamikë në Irak, por frika se mos ndodhemi përpara një kënete, në të cilën mund të zhytej sërish fuqia më e madhe e botës, është evidente. Obama betohet për gur e dru, se nuk do të dërgojë asnjë trupë në atë vend. Mirëpo historiani Julian Zelizer nga “Princeton University”, paralajmëron se: “Mission Creep është vështirë të shmanget. Historia ushtarake na tregon se shumë operacione, që kanë nisur të vogla, përfundojnë të mëdha”.

Marrë nga gazeta gjermane “Die Zeit”. /G. Shqip/
Shtuar më 12/08/2014, ora 17:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori