“Luani i detit” – Misioni i sabotuar i amatorëve
Pëlqej
Marrë nga “Der Spiegel”

Për të kryer invazionin e dëshiruar, shërbimi i fshehtë gjerman dërgoi në vitin 1940">1940 një sërë agjentësh drejt brigjeve britanike. Të gjithë ata dështuan. Sot, një studim zbulon se oficerët e Zyrës së Hamburgut, që hartonin planet e spiunazhit, e kishin sabotuar atë qëllimisht
Misioni i spiunazhit të Karl Majerit përfundoi pak orë pasi kishte marrë udhë. Në natën, duke u gdhirë 3 shtatori i vitit 1940">1940, ai së bashku me Jozef Valdberg fon Bulonje kishin lundruar në drejtim të Kepit Gris-Nez, vendkalimit më të ngushtë në Kanalin e La Manshit. Prej këtej, anije luftarake çmanjetizuese gjermane e rimorkuan peshkarexhën deri para brigjeve të Anglisë Jugore. E pajisur me një radiotransmetuese, një pistoletë, bojë të padukshme, harta, ushqime të konservuara dhe 60 paund sterlina britanike, Majer dhe Valdberg u nisën me një gomone drejt plazhit Dungeness.

Mirëpo, në vend që të gjenin trupa të tjerë, apo zona të përshtatshme për ulje me parashutë, Majer qysh atë natë u mor nën hetim. Ai ishte larguar, pasi në mëngjes në lokalitetin Lydd ai donte të porosiste një shishe me verë molle – me shumë gjasa pa i ditur mirë rregulloret e sektorit përkatës në Britani, që e ndalonin paraditeve shitjen e alkoolit. Pronarja e lokalit e alarmuar lajmëron policinë, që arreston fillimisht Majerin e më pas, edhe Valdbergun.

Hetimi i tyre nëpërmjet pjesëmarrjes së oficerëve të shërbimit të fshehtë të brendshëm britanik MI 5, solli si rezultat se: gjermano-holandezi Majer, 24 vjeç, anëtar i së ashtuquajturës “National-Socialistische Beweging in Nederland” (NSB) d.m.th. i Lëvizjes Nacionalsocialiste në Holandë, dhe i gjysmëfrancezit Valdberg, 25 vjeç, kishin ardhur në ishullin britanik me mision të ngarkuar nga Shërbimi i Fshehtë Ushtarak gjerman ose më konkretisht “Amt Ausland/Abwehr” (Zyra për Mbrojtjen nga Jashtë), për të mbledhur informacione mbi invazionin e pritshëm mbi Britaninë e Madhe.

“Spiunë jashtëzakonisht të keqtrajnuar”

Çështja në fjalë dukej e qartë, megjithëse brenda radhëve të MI 5 britanike, po rritej dyshimi mbi misionin e dyshes së agjentëve gjermanë. Me radiotransmetueset e tyre, vetëm se mund të dërgoheshin lajme e mesazhe, por nuk mund të merreshin. Sipas një raporti, Valdberg për më shumë foli një anglishte të çalë, të dy me sa dukej zotëronin vetëm disa detaje mbi planet për invazionin, të cilat ata i diskutonin me njëri-tjetrin me shumë zell: por përse pra gjermanët kishin dërguar dy amatorë për të kaluar Kanalin Anglez (La Manshin)?

Për një kohë të gjatë, edhe historianët kanë diskutuar rreth kësaj çështjeje. A nuk kishte dërguar Shërbimi i Fshehtë gjerman qysh në vjeshtë 1940">1940, në kuadër të operacionit “Lena”, të paktën edhe 20 spiunë të tjerë me gomone, apo me parashutë, si pararojë për të zbuluar e mbledhur informacione në terren, të vlefshme për planin e invazionit mbi ishullin britanik, të cilët ngjashmërisht kishin dështuar, thuajse në një mënyrë fare amatoreske!?.

“Këta spiunë”, vërente Guy Liddell, shef i kundërspiunazhit në MI 5, “ishin jashtëzakonisht të keqtrajnuar, dhe secili prej tyre, që mund t’ia kishte sadopak haberin mbi raportet e rrethanat në vendin tonë, duhej ta kishte pasur të qartë se askush prej tyre nuk do të kishte pasur sukses”. Një vlerësim ky, që ka zënë vend madje edhe në letërsi tashmë.

Një operacion gjigant amfib

Autorja gjermane, Monika Zidentopf (Siedentopf) para pak kohësh sidoqoftë, në bazë të burimeve të papublikuara më parë, ka zbuluar se Shërbimi i Fshehtë gjerman, në asnjë mënyrë nuk rezulton të ketë qenë i paaftë, për të dërguar agjentë të përshtatshëm në drejtim të Britanisë. Madje e kundërta është e vërtetë me ç’ngjan: Sipas kërkimeve e përfundimeve të zonjës Zidentopf, operacioni “Lena” u sabotua qëllimisht nga kundërshtarë të regjimit nazist në departamentin përkatës që përgatiste planet agjenturore të Shërbimit të Fshehtë të Mbrojtjes, në Hamburg.

Si pasojë e kësaj veprimtarie, aktivitete spiunazhi kundër superfuqisë koloniale kundërshtare të preferuar të Hitlerit, nuk kishin luajtur asnjë rol edhe në të shkuarën. Kjo, gjithsesi ndryshoi, në kohën kur “Wehrmacht”-i ( ushtria naziste gjermane) në vitin 1940">1940 po qëndronte duke vështruar armët në brigjet franceze të Kanalit të La Manshit, e Anglia – për zhgënjimin e madh të Hitlerit – nuk ishte akoma gati, të sillej të paktën në mënyrë neutrale.

Për të realizuar synimin e tij të vërtetë, “zgjerimin e hapësirës jetike në Lindje”, duke mos rrezikuar çeljen e një fronti të dytë, Hitleri dekretoi më 16 korrik 1940">1940 “Urdhëresën e Fyhrerit Nr. 16″: Përgatitjen e një invazioni kundër Britanisë së Madhe. Ky aksion i koduar nën emrin “Unternehmen Seelöwe” (Operacioni Luani i Detit) u simulua në fundshtatorin e atij viti në Selinë Qendrore të Feldmarshallit fon Rundshtedt në një maket me bazë rëre – me një rezultat të kënaqshëm: operacioni gjigant amfib, në të cilin do të merrnin pjesë rreth 260.000 ushtarë, 62.000 kuaj, 34.200 tanke, bateri kundërajrore dhe mjete të tjera luftarake në brigjet ranore të Anglisë, nuk do të mbështetej mjaftueshëm as nga Flota Ajrore e as nga ajo Detare. “Luani i Detit” u planifikua të vihej në zbatim në pranverë 1941.

“Gjermanë të mirë, por nazistë të këqij”

Kur njësitë pararojë gjermane testuan në brigjet e Detit Balltik dhe ishullit gjerman të Zyltit, zbarkimin në brigjet angleze edhe me tanket modernë me periskop, të sapoprodhuar, të zotët e punës në Hamburg megjithatë vendosën ta shtynin operacionin “Luani i Detit”. Postkomandës në Harvestehude, i ishte lënë në dorë drejtimi i aferës së spiunazhit “Lena”. Me transmetuesit e tyre të fuqishëm dhe me më shumë se 100 oficerët dhe nëpunësit në dispozicion, Zyra në Hamburg renditej si më të rëndësishmet në çështjet e spiunazhit e shërbimeve të komunikimit të fshehtë në Gjermani. Këtu lëviznin informacionet që shpërndaheshin më pas ndër rrjetet e agjentëve gjermanë në Skandinavi, gadishullin Iberik dhe Amerikën Veriore.

Komandën mbi këtë vendkomandë, qysh prej vitit 1939, e mbante Herbert Vihman (Wichmann). Kapiteni i fregatave nuk renditej ndër oficerët më konservatorë nacional-socialistë, që kishin ushqyer qysh në fillim simpati për politikat e Hitlerit. Ai kishte qenë kritik ndaj regjimit nazist, qysh nga fillimi, dhe mbante fshehtas kontakte me rrethin e kolonelit fon Shtaufenberg (von Stauffenberg), që më vonë do të drejtonte puçin e dështuar ndaj Hitlerit. Edhe në rrethin shoqëror të Vihmanit gjendeshin shumë kundërshtarë të nazizmit, siç ishte dhe shefi i Mbrojtjes, ekzekutuar në vitin 1945, për shkak të afërsisë me grupin e rezistencës antinaziste gjermane, Vilhelm Kanaris (Wilhelm Canaris).

Vihman dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët edhe vetë MI 5 në hetimet e veta pas përfundimit të Luftës, i cilësonte si “gjermanë të mirë, por nazistë të këqij”, kishin nisur të binin sigurisht, gjithnjë e më shumë në fokusin e nën dyshimin e Partisë Nacionalsocialiste, e të Gestapos naziste. Ofensiva e tyre sabotative kundër Anglisë, megjithatë mbeti e pazbuluar. Sikurse edhe oficerë të tjerë të Marinës, Vihman i kishte njohur me kohë rreziqet e një operacioni zbarkimi: “Luani i Detit” do t’u kushtonte jetën mijëra ushtarëve nga të gjitha palët ndërluftuese. Por nëse komandës qendrore të “Wehrmacht”-it gjerman do t’i mungonin informacione bazë rreth çështjeve të spiunazhit, siç ishin për shembull vendet dhe pikat mbrojtëse britanike, atëherë rritej mundësia që invazioni i planifikuar të mos kryhej.

Dështimi i dëshiruar

operacioni “Lena” pra të shndërrohej në një dështim shkatërrimtar, grupi i sabotatorëve nga Hamburgu rekrutonte agjentë që mund të largoheshin shpejt – të përfshirë nga paniku në mes të popullsisë së irrituar angleze – në mos edhe si pasojë e mungesave të theksuara në njohuritë e anglishtes, e tekefundit, sigurisht edhe si pasojë e një trajnimi të mangët.

Ata gjetën spiunë si Çarls van den Kibom (Charles van den Kieboom) apo dhe Sjërd Pons (Sjoerd Pons): holandezët u arrestuan pak pas mbërritjes në Anglinë Jugore, pasi ata ishin larguar me vrap e ankth, kur kishin parë një patrullë të thjeshtë në plazhin ku kishin zbarkuar. Të dy kishin pranuar shpejt se kishin qenë rekrutuar nga shërbimet gjermane në vitin 1940">1940 në Amsterdam, pasi ishin kërcënuar nga nazistët më parë me dërgim në kampe përqendrimi, për shkak të tregtimit të paligjshëm të devizave.

Kështu, operacioni “Lena” u kthye në një dështim të paralajmëruar për agjentët – dhe gjithashtu në një barrë morale për organizatorët e saj: pasi në rastet më të shumta, aksionet e të tillë spiunëve diletantë, përfundonin para tytave të skuadrave britanike të pushkatimit. Viktimizimi i tyre i ndërgjegjshëm, nëpërmjet “Rrjetit të sabotatorëve të Hamburgut” kontribuoi pa dyshim që vënia në jetë e “Luanit të Detit” të shtyhej vazhdimisht në kohë, e që më në fund, të anulohej përfundimisht nga vetë Hitleri në shkurt 1942. Shtysë për këtë vendim u bë epërsia ajrore britanike mbi Kanalin e La Manshit, si një parakusht bazë për të kryer me sukses invazionin aq të dëshiruar.

Derdhja e gjakut që Vihman donte të pengonte në brigjet e Anglisë, kishte nisur megjithatë në një krah tjetër: në Frontin Lindor. A.P.
(Shqip)
Shtuar më 23/08/2014, ora 17:58
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori