Letra e rrallë/ Pse Kruja këshilloi Abaz Kupin, si shmangu kasaphanën mbi shqiptarët në kohën e Enverit
Pëlqej
Kuvend letrash me miqtë, letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Më poshtë botojmë një letër të rëndësishme të Krujës për Abaz Kupin, pa datë, ku i tërheq vëmendjen e i jep këshilla për të mos bërë krime si Enveri mbi shqiptarët
Letrën që botojmë më poshtë, pa datë, Mustafa Kruja ia ka drejton mikut të tij, Abaz Kupit, ku ndihet dëshpërimi dhe dorëzimi përballë çështjes së Shqipërisë. Kruja është krejt i tërhequr në përballimin e jetës së tij, por ndërkohë letra e gjatë për Kupin, veç të tjerash, hedh disa këshilla pothuaj politike. Nuk dihen arsyet që e kanë shtyrë t’i drejtohej Abaz Kupit me këto tone, por ndihet qartë urtësia e Krujës për të ndalur ndonjë veprim që do të rëndonte mbi shqiptarët. Kruja i kërkon Abaz Kupit të ketë përgjegjësi që të mos ndodhin krime mbi jetët e shqiptarëve e të mos u besojë agjentëve të Aleatëve, me të cilët, si duket, ishte i lidhur edhe Enveri.
“Me Abaz Kupin nuk kemi në dorë një letërkëmbim të gjatë, por në vëllim janë dy materiale, një letër e M. Krujës, në të cilën, veç argumenteve të tjera, ai kërkon ndihmë për dokumente vetjake nëpërmjet Oborrit Mbretëror dhe në tjetrën janë “porositë” që ish-kryeministri, falë përvojës dhe disa viteve më shumë si moshë, i lejon vetes t’i përcjellë mikut në lidhje me veprimtarinë e tij në Lëvizjen e Legalitetit e në Komitetin “Shqipëria e lirë”. Është një shpalosje e opinioneve të tij për shumë pjesëmarrës në politikën shqiptare. Janë opinione vetjake, të diskutueshme, por kanë vlerën e tyre, sepse janë të sinqerta e i jepen një miku e bashkëpunëtori prej shumë kohësh, edhe pse jo gjithmonë rrugët e tyre politike kanë përkuar. Por edhe nëse drejtimet politike kanë shkuar herë-herë në kahe të kundërta, stima dhe respekti i ndërsjellë nuk kanë munguar asnjëherë deri në vdekjen e tyre”, – shkruan trashëgimtari i Krujës, Eugjen Merlika. Këto letra bëjnë pjesë në vëllimin e tretë, ku letërkëmbimi i pasur i Mustafa Merlikës-Kruja, i përfshirë në katër vëllime, jep dimensionin jo vetëm të këtij personaliteti, por dokumenton e zbardh shumë anë të errëta të historisë sonë në periudhën më delikate, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushtetin e morën e komunistët. Gazeta “Standard”, me të drejtat e botimit nga “OMSCA-1”, nis ciklin e publikimit të disa letrave të rralla, me personalitete të politikës e të kulturës. Edhe pse letërkëmbim, ajo që çmohet në to është sqima e dijes, sikur këta të ishin artikuj të publikuar për lexues, e jo mes vetes. Ndoshta kjo ishte një projekt-perspektivë e Krujës, gjë që ia impononte çdo letërkëmbyesi, si në këtë rast, duke na dhënë një shkollë të mendimit.

***
Vlla i dashëm,
Ka kohë qi e kam marrë letrën t’ate. Faleminderës Zotit për shëndet e jetë qi të ka dhanë. Sa të jenë këto dy gjana themelore për tjerat rron njeriu me shpresë.
Vërte, si thue ti, koha e ardhëshme asht krejt e panjohun për né. Si duken sod punët e botës vështirë asht për kedo me pasë nji mendim të qartë për ç’do të gjajë nesër. Prandej kshillet dhe nxitjet e urta për nji bashkim të gjithë shqiptarvet të përjashtëm qi po vijnë herë mbas here ka do kohë e këndej prej rrethit të Mbretit janë fare me vend.
Por, o i dashun Baz e din edhe ti e sidomos Mbreti vetë ma mirë se kushdo tjetër qi ne na ka mallkue Zoti nji ditë ma keq se çfutnit e kishem me thanë se vetë i Lumi me pasë për të dalë për fushë s’ka me i ba pare kshilli e fjala për me na bashkue ! Shtëpia ka marrë zjarm, robt gati të gjithë i kemi atje në njimijë gazepe, na vetë kha prap në pikë të hallit e në mëshirë të rasavet, me halle e me rreziqe : e me gjithë këte e shikojmë shoshoqin shtrembët e me mëni në zemër. Thuhet se jemi të damë trish. Por e vërteta asht se jemi sa bishta aqë krenë : gjithkush ka mendimet e bukura të vetat për Shqipnin qi sod nji herë po e ka në dorë tjetërkush, edhe s’i ep të drejtë kurrkuj me e mendue ndryshe, se cilido e njeh veten ma të mendshëm se tjerët !
E me gjithë këte pra lum Vllai, rruga e bashkimit për Shqiptarët mbrenda e jashtë kudo qofshin, qyshë kur qe pa ma se si po mbaron puna e Shqipnis mbas ksaj lufte, ka qenë e asht nji e vetme dhe nj’aq açik sa me e pa e me e gjetë deri kalamajt e djepit : me u vue të tanë në dispozicjon të Mbretit si ushtarë të dishiplinuem. Por un s’e shoh e s’e besoj qi të gjajë kjo mrekulli.
Mblidh e çëmblidh nji pjesë mezi mbërrini me vendue qi duhet çue nji delegacjon në Kajro!
Nji pjesë tjetër mezi mundi me qitë prej nji grumbulli të madh njerzish ndonji qi ishte ma i panjoftuni ndër të gjithë, ndonji kalama qi porsa asht hudhë në fushë të politikës me nji vrullë ambicjoni të pandalueshëm edhe ndonji të tretë qi, në rasa tjera, mund t’ishte nji ndër ma të mirët por qi koha s’i përmeton sod me u dukë në ballë. Edhe këta përbajnë nji delegacjon të dytë. Për të tretin s’asht nevoja të flas un.
Tashti për vete.
Sa për ndonji farë veprimtarije, me të thanë të vërtetën, e kam pa t’arsyeshme me ndejtë krejt mbë nji anë me hallet e kasavetet e mija. Sa herë qi kam pasë rasë me u takue me miq e me shokë qi më besojnë e më ndigjojnë i kam kshillue ashtu siç m’a ka marrë mendja mue se e lyp e mira e përgjithshme. Tjetër ç’mundet me u ba sod për sod? Për mue asht edhe rreziku i jetës s’atyne qi kam në duer të xhelatvet.
Vlla i dashëm, po due me t’u lutë për nji nderë, në qoftë se ka si bahet. Këtu n’Itali gati qyshse kam ardhë jam vu me kërkue ndonji farë pune për me i sigurue vetes nji kafshatë bukë. Deri sod s’ka qenë e mundun me u gjetë kurrgja. E thika ka hasë n’asht ! Kam dashë me shkue në Tyrqi, ku ndoshta me ndihmën e ndonji miku të vjetër mund të gjejshem ndonjë punë.
Por Tyrqia s’ka pranue deri sod kurrkend. Tashti kam do kohë qi kam diktue nji mik n’Argjentinë. Ky m’asht zotue se ka për t’u mundue me më gjetë punë atje. Mirë po dhe atje s’asht pun’ e lehtë me shkue. Vështirsit janë të shumta. E ma e para nji herë pasaporta.
Qe pra kjo asht ndera qi po due me të lypë sod. Kam ndie se Përfaqsija mbretnore e Misirit u ka lëshue pasaporta disave, qofshin edhe njerëz si un e me emën të madh. Por kjo asht punë për t’a gjykue tjetër kush e jo un. Po të mbyll këtu edhe dy fotografi e shënimet qi duhen për pasaportën. Emnin po e ve Asim Merlika e s’asht nevoja me u zgjatë me spjegime për hjekjen e Mustafait dhe të Krujës. Ti e kupton vetë. Sa për Asimin, ky ka qenë heret bishti i emnit t’em, e sod po e ngjallim prap e bajmë emën.
Po qe pra se ka si lëshohet pasaporta e ime, do të mendojsh edhe për Bashkimin Ky tashti merr doktoratin në kimi e del kimist në këtë muej qi vjen ase ma së largu në korrik. Bashkimi, sa për nji bark bukë, ka gjasë qi të gjejë punë edhe n’Itali. Por s’po m’a ban zemra me u largue fort prej të vetmit djalë qi mund të kem afër vetin. Edhe për te pra po të çoj fotografi e shënime.
Si vend për me shkue, duhet me vue gjithë Shtetet, mbasi puna e jonë asht ku të na dalë fati.
Të lutem shumë, Baz i dashun, mos me m’a vonue nji përgjegje për këtë punë, se ti e merr vesht sa randsi ka ajo për mue. Deri sod kam jetue në kurriz të vjehrrit t’Asllanit qi ka nji restorant të vogël. I kam ra n’oxhakt edhe nji miku tjetër. Por nuk rrohet gjithmonë me lypa e lëmosha. Ti më njeh e më beson se s’i qahem kot as mikut ma të dashëm si ti.
Ma e mira gja për këtë turmë të padishiplinueme politikansh do t’ishte me u gjetë kund ndonji vend e punë për t’u sigurue kafshatën e gojës, mbasi uja për fat të zi asht kshilltarja ma e mbrapshta, se t’u ven perde syvet e të çon edhe ku s’duhet me shkue. E dij se s’asht punë e lehtë, por po e shënoj si nji qëllim për t’i ra mbrapa. Këtu mbasandej janë të gjithë me frikë e, deri diku me të drejtë, se mos të dorzohen nji ditë në dorë t’anmikut.

Kshilla Abaz Kupit
1. Me ba çmos për me fitue zemrat e besimin e burrave të ndershëm përgjithsisht. Por ma të parët e në krye të të gjithve për ty, Baz, janë Kapidani e Vërlaci qi i ke në dy krahët e vendit t’and. Vetëm me bashkpunimin e ju të treve bahet vendi nji copet prej Mirdite e deri n’Elbasan. Mos harro kurrë se këto krahina janë zemra e Shqipnis e se këto e kanë luejtë gjithmonë ma të madhin rol në historin e Shqipnis. Prandej komitet a pa komitet, ju të tre duhet të jeni të pada prej njani tjetrit.
2. Ju të tre bashkë mbasandej duhet të bahi qendra tërhjekse e nji përmbledhjeje ma të gjanë e ma të plotë me burra të mirë sa të jetë e mundun e me njerëz tjerë qi mund të luejnë nji rol në Veri e në Jugë. Të përpiqi mos me ftofë kurrkend, por besimin e shpresën duhet t’a mbështetni vetëm në burra qi para çdo gjaje, edhe para vetvetes, mendojnë Shqipnin. usht e vërtetë se ksi burrash ka pak, por duhet të dijni me zgjedhë ata ma të mirët qi janë.
3. Muharrem Bajraktari asht egoist e i marrë. Por për fat të keq ka nji emën e asht guximtar. Prandej mundet me luejtë nji rol në Veri. Prej asaj ane si elementa të dorës së dytë për influencë, por burra me vjeftë, keni Tahir Kolgjinin, Asllan Zenelin e Miftar Spahin. Dibranë qi mund t’i besohet për besë e patrijotizëm, asht Fiqriu, por mjerisht asht i plogët. Atij qi asht i gjallë, Hysniut, s’i besohet as deri ke dera. Cen Elezi s’meriton as me e zanë me gojë.
4. Prej Kosovarvet, për burrni, gjallni e kulturë, Xhafer Deva peshon ma randë se të gjithë tjerët bashkë. Seid Kryeziu, ndër syt e të tanë Shqiptarvet qi u qan zemra për vendin, nuk asht tjetër veçse nji agjent i huej.
5. Për në Jugë pa dyshim rolin kryesuer e luen Balli. Me mendue ndryshe don me thanë vetëm me i ba qejfin vetes me andrra. Përjashta Ballit s’kemi tjetër element me vjeftë e qi mund të luejë nji rol n’at’anë, përveç Ago Agajt. Ky sod në gjithë krahinën e Vlonës zen edhe vendin e Qazim Koculit e të Shaskajvet. Sikurse dihet, veç, Balli përbahet sod prej dy tendencash të kundërta, njana ekstremiste, me Abaz Ermenjin në krye, e tjetra e urtë, e matun e antare e nji bashkpunimi të përgjithshëm, me Ali Këlcyrën si pris. Na pra duhet të bajmë gjithë ç’asht e mundun qi influenca e ksaj tendencës së dytë të shtohet sa ma shumë në Ballin Kombtar e mundsisht drejtimin e ksaj organizate t’a marrë ajo në dorë. Ali Këlcyra asht edhe njeriu qi gzon ma fort se kushdo tjetër besimin e nji krahine të madhe në Jugë, si në Kurvelesh, Këlcyrë e Tepelenë. usht i vetmi, bashkë me Koço Mukën e shokë tjerë, qi mund t’u rrijë kundra në Jugë ekstremistave të Ballit.
6. Duhet me u përpjekë me çdo mënyrë qi të krijohet nji besim e nji bashkpunim ndërmjet gjith’elementave t’urtë kundra ekstremizmës, pa shikue krahina e partina. Gabohet fort kush mendon se ekstremistat s’kanë ç’na bajnë, sepse janë të pakët e persona pa randsi. Vërte të pakët e pa randsi janë në krahasim me tjerët, por nuk duhet harrue qi janë edhe të guximshëm, të lidhun ngusht me shoqishoqin e të dishiplinuem. E kemi pa me komunistat se ç’do me thanë guxim e dishiplinë për nji pakicë kur shumica gjindet e shkatrrueme e e palidhme me besë e me zemër. Pra në mos daçim qi të përsritet prap nesër me nji formë tjetër e njajta gja qi na gjet dje, duhet qi të bajmë nji front të fortë e të dishiplinuem kundra ekstremizmës së Ballit tue marrë në këtë front edhe elementat e urtë ballista. Tue ba kështu, largojmë edhe rrezikun e nji dasije ndërmjet Gegvet e Toskvet.
7. Nuk duhet harrue asnji minutë qi influenca në vent, trimnija e zotsija me tërhjekë dhe me komandue turmat nuk mjaftojnë për t’a fitue davan t’onë, sidomos deri atë ditë qi s’do të ketë ardhë ende koha me përdorë forcën. Sod jemi ende në fazën përgatitore, ku rolin kryesuer e luen politika. E në këte duhen mende të prefta, kulturë e eksperjencë. Kudo në botë tjerë janë ata qi luejnë rolin politik të nji kombi e tjerë ata qi përgatisin planet e luftës, tjerë edhe ata qi venë në zbatim këto plane. Prandej edhe ju, burrat e luftës, keni nevojë të domosdoshme sod për bashkpunimin e shokve t’uej të dijshëm e të regjun në politikë, sidomos në marrdhanjet me të huej, qi në çdo hapë kanë para sŷsh vetëm e vetëm interesat e vendit të vet. Për këtë rol në krye të të gjithve qëndron Mbreti, politikani ma i holli i vendit t’onë e prandej, edhe pa qenë mbret, do t’a lypte interesa e Atdheut qi të pyetej për çdo gja me randsi. Këtu jam edhe un e nuk më vjen marre me thanë se kam nji kompetencë politike ma të madhe se shumkush prej Shqiptarvet. usht Ago Agaj, me kulturë të gjanë e inteligjencë të preftë, qi nderojnë jo veç emigracjonin, por gjithë kombin t’onë. Ndër shokët qi kemi n’Itali, për kulturë e të gjitha cilsit tjera bashkë, un nuk mund të rakomandoj kurrkend tjetër në fushën e politikës para Ernest Koliqit. Prej Ballit Kombtar vijnë në krye Hasan Dosti e Ali Këlcyra. Të gjithë këta burra duhet t’i apin çashtjes kombtare kontributin e mendes e të dijes së tyne e jo të lehen në nji anë si pushkë të gjata. Atdheu ka nevojë sod ma fort se kurdoherë për veprën e gjithë bijve të vet të vjefshëm. Çashtjen kombtare kurrkush s’ka të drejtë t’a monopolizojë për vete e të jetë aq’i guximshëm sa me marrë mbi kurriz të vet nji përgjegjsi aqë të randë. Ka Shqiptarë t’urtë e të dijshëm edhe tjerë përjashta, por s’asht nevoja me i përmendun këtu të tanë.
8. Me të huejt duhet me pasë guximin edhe me u kundrështue kur t’a lypë interesa e kombit t’onë, e jo me i u shtrue qorras planeve të tyne. Këte e lyp jo veç patrijotizma, por edhe burrnija. Ata duhet t’a kuptojnë qartas qi s’kanë para tyne vegla qorre, por burra e atdhetarë. Për ç’do gja qi kërkojnë ata lypset me u mendue mirë e me u kshillue ma para nëse i përshtatet interesës së popullit t’onë. Kështu duhet të veprojë Komiteti e jo sikur me qenë nji zyrë e Intelligence Service-it ingliz.
9. Komitetin përpiqi jo veç me e plotsue, por mundsisht edhe me e reformue. Në të dy pjesët e tij ka elementa qi s’duhen gja. Qaje Zot të keqen e Shqipnis, veç, se si asht formue ky komitet ! Ky duhet të përmbledhë në gjit të vet njerëz qi kanë të drejtë e zotsi me marrë fatin e Shqipnis në dorë, lulen e burravet shqiptarë qi gjinden përjashta, jo disa kalamaj qi s’i njef kurrkush në Shqipni e disa tjerë, me të cilët disa burrave s’u ka as hije qi t’ulen bashkë në nji sofër. usht e tepër të shtoj këtu qi s’jam tue dashtë me folë për vete, qi s’jam për atë vend si për arsye të përgjithshme ashtu edhe private.
10. Derisa mos të na kenë sigurue Aljatët me nji deklaratë zyrtare – e jo me përrallat e agjentave të tyne – se kufijt t’anë edhe indipendenca e jonë s’kanë ndoj rrezik, asht nji krim me i çue njerzit e popullin t‘onë në kasaphane. Ju duhet t’a mendoni shumë mirë këtë përgjegjsi. Me marrë më qafë njerzin, popullin mbarë e vendin t’onë, për interesë të tjetërkuj, këte lenjau atyne qi i a kanë nisë, Enver Hoxhës e Mehmet Shehut me shokë!
M. Kruja
(Standard)
Shtuar më 15/08/2014, ora 14:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori