Leksioni finlandez për Ukrainën
Pëlqej
RENE NYBERG
“New York Times”

Nëse do të përftosh një ide fillestare mbi një finlandez, atëherë fillo të flasësh për “Finlandization” dhe servilizmin e përuljen e vendeve të vogla ndaj fqinjëve gjigantë. Ish-këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Zbigniew Brzezinski, e ka përdorur termin e mësipërm, për të sugjeruar se pranimi i dominimit rus, është i vetmi kurs që Ukraina mund të marrë. Unë nuk pajtohem me këtë.

Finlandization” — apo sfida e mbijetesës si një komb i vogël nën hijen e një të madhi — mund të jetë një inspirim për Ukrainën, por nuk funksionon në mënyrën që e mendon zoti Brzezinski. Rusia ka pasur probleme gjatë 20 viteve të fundit me, thuajse të gjithë fqinjët, me një përjashtim për t’u shënuar: Finlandën. Dhe kjo është më shumë një arritje finlandeze, se sa një ruse.

Përveçse i shpëtoi okupimit gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, mbijetesa e Finlandës vijoi duke u përballur me trashëgiminë e Stalinit, pa u bërë servile ndaj tyre. Vendet e vogla jetojnë nën hijen e të mëdhenjve dhe fqinjët më të mëdhenj duhet të gjejnë rrugën e tyre për të mbijetuar. Dhe eksperienca e Finlandës është unike për shkak të një fakti shumë të rëndësishëm, pasi ajo nuk u pushtua kurrë nga “Ushtria e Kuqe”. “Finlandization” nuk është një sinonim për kapitullimin; është çelësi për të menaxhuar një marrëdhënie pushtetesh asimetrike.

Siç ka argumentuar edhe historiani suedez, Kristian Gerner, shekuj të historisë ruse na kanë demonstruar se Moska ka dy përqasje për vendet fqinje: modelet e Kazanit dhe të Mançusë. Nën të parin, Rusia përthith, apo i mban nën detyrim ata (siç bëri në vitin 1552 kur “Ivani i Tmerrshëm” pushtoi Kanatin e Kazanit).

Nën modelin e dytë, ajo e njeh fqinjin si të barabartë, apo shumë të madh për t’u konfrontuar, sikurse bëri në 1689 me “Marrëveshjen e Nerçinskut”, që shënon edhe Traktatin e parë ndërkufitar të Rusisë me Kinën. Për shekuj me radhë, nuk ka pasur asnjë model tjetër, që të ketë qenë i ndërmjetëm. Por Finlanda provoi në vitet e pasluftës, se ishte një përjashtim.

Nuk është e vështirë për t’i vendosur fqinjët aktualë të Rusisë, në kategorinë e zotit Gerner. Rusia ka demonstruar në shumë raste në trajtimin e konflikteve të Gjeorgji, Moldavi dhe Ukrainë, se nuk ka pasur brerje të ndërgjegjes, kur bëhet fjalë për të sulmuar fqinjë më të dobët, dhe t’u marrë atyre territore. Finlanda i mbijetoi dhe u zhvillua në prosperitet pas Luftës së Dytë, sepse i doli përpara kohës së saj. Në një epokë të – thuajse – polarizimit total, adoptoi principet e mbrojtjes asimetrike, për vendndodhjen e saj vërtet të vështirë gjeografike.

Finlanda ishte larg të qenët një vasal ndaj Bashkimit Sovjetik. Ia doli të mbante më këmbë demokracinë e saj, një profil të ulët të mbrojtjes ushtarake, e para së gjithash, të gjithë orientimin e saj pro-perëndimor. Se si ne kemi qenë të aftë për ta bërë këtë, kjo është historia e vërtetë e “Finlandization”-it. Strategjia funksionoi sepse Finlanda mbeti besnike ndaj principeve të veta: mbrojtje e besueshme dhe një sistem i fortë i tregut të lirë. Pas vdekjes së Stalinit, Presidenti finlandez, Urho Kekkonen, u desh të sillte dy argumente për t’i kthyer krahët Nikita Hrushovit dhe Leonid Brezhnjevit.

E para; ai bëri të qartë se sovjetikët – pa përjashtim eksplicit kur themi kështu – se Finlanda do ta mbronte pavarësinë e vet, siç kishte bërë duke iu përgjigjur dy sulmeve sovjetike në vitet 1939 dhe 1944. E dyta; ai i bindi ata, se ekonomia finlandeze do të vuante, dhe se interesi i vetë Rusisë, do të dëmtohej, nëse Bashkimi Sovjetik do ta pengonte Finlandën nga anëtarësimi në traktatet ekonomike europianoperëndimore të pasluftës, siç ishin “European Free Trade Association” (EFTA) dhe “European Economic Community”, paraardhësi i Bashkimit Europian. Finlanda mbeti partneri perëndimor më i madh i Bashkimit Sovjetik, deri në vitet 1970. Duke iu bashkuar Unionit Europian në vitin 1995, u përjetua një kthim në shtëpi.

E parë nga kjo perspektivë, Presidenti Petro Poroshenko i Ukrainës, po ndjek kursin e duhur. Pasi erdhi në atë post, ai lëvizi fort drejt nënshkrimit të marrëveshjes me Bashkimin Europian, duke mos lënë asnjë dyshim mbi zgjedhjen e Ukrainës për t’u bërë pjesë e Perëndimit. Në të njëjtën kohë, zoti Poroshenko fortifikoi mbrojtjen e Ukrainës, ndaj një ndërhyrje ushtarake ruse në Lindje.

Rezultat i agresionit të Moskës ka qenë përgjigjja emergjente ndaj një identiteti të fortë nacional ukrainas. Rusia gllabëroi Krimenë dhe destabilizoi Ukrainën Lindore — por humbi ukrainasit. Në një botë të globalizuar, Rusia nuk mund të prosperojë dot si një ishull i inatosur, sado i madh të jetë. Rusia i ka prishur tashmë marrëdhëniet e veta me Europën dhe me SHBA. Sanksionet bankare janë veçanërisht të dhimbshme, dhe ekonomia e saj është e shtrënguar të vuajë pasojat. Interesi i rinovuar mbi anëtarësimin në NATO, në Finlandë dhe Suedi, të cilat nuk janë anëtare të Aleancës, është vetëm një ndër pasojat e paparashikuara. Siç kemi vëzhguar në muajt e fundit, Rusia po e kthen timonin kah Kina. Por kjo nuk do të thotë asgjë për sa i përket reduktimit të izolimit të Rusisë; roli i partnerit të ri në Mbretërinë e Qendrës, është tashmë i pashmangshëm.

Paaftësia e Rusisë për t’ia dalë me fqinjët e vet, është parathënia e kësaj që pretenduam më parë. Maksima e përcaktimit të sigurisë nga kontrolli total i perimetrit të saj, dhe përpjekja për të orientuar politikat e fqinjëve të tij me diktat, nuk është një zgjidhje në problemet moderne të Europës. Nuk ofron as siguri, e as stabilitet.

Më e mira që mund të bëjë Rusia tashmë, është të shpresojë për një marrëveshje në formën e një traktati paqeje, e cila mund t’i jepte efektivisht asaj Krimenë. Përndryshe, Krimeja do të mbetet një terren toksik për investitorët dhe një destinacion “mos shko” — që do ta dëmtonte më shumë Rusinë se sa Ukrainën. Mbrojtja më e mirë për Ukrainën është të mbahet e bashkuar e të tregojë se, sikurse dhe Finlanda në vitet 1960 e 1970, këmbëngulja e Rusisë për të penguar integrimin ekonomik të Ukrainës në Europë, do të mbjellë aq keqfunksionim dhe kaos, sa që Moska nuk do ta përballojë dot.
Shtuar më 04/09/2014, ora 17:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori