Më 1 janar rriten rrogat! Sa shkojnë pagat për mjekët e mesuesit në Shqipëri (FOTO LAJM)

Qeveria do të rrisë nga 1 janari 2021 me 40 për qind pagat e mjekëve dhe infermierëve dhe me 15 për qind pagat e mësuesve parauniversitarë.

Kryeministri Rama, gjatë konferencës me gazetarët për çështjet ekonomike, e cilësoi historike një rritje të tillë. “Sot jemi në kushtet kur mund ta japim zyrtarisht lajmin për rritjen e pagave për të gjitha bluzat e bardha dhe për arsimtarët.

Janë dy kategori që meritojnë gjithmonë më shumë dhe që në këto kushte, pavarësisht të gjithë shtrëngesave të krijuara nga dy goditjet e mëdha njëra pas tjetrës, tërmeti dhe COVID, kemi detyrimin t’iu japim sot një mbështetje të fortë për të shpërblyer mundin, profesionalizmin, angazhimin me dy kategori shoqërore, një kategori e lëvizshme shoqërore fatmirësisht, që është kategoria e njerëzve që kanë nevojë për shërbim shëndetësor dhe kategoria e palëvizshme shoqërore, që janë fëmijët.

Nga ana tjetër, për të nxitur më tutje motivimin, dhe përmes motivimit, një cilësi në rritje të këtyre dy shërbimeve absolutisht jetike për të sotmen dhe të ardhmen. Pagat për bluzat e bardha do të rriten 40%. Padyshim rritja më e madhe historike e pagave për bluzat e bardha. Pagat për arsimtarët do të rriten me 15%”, tha Kryeministri.

FONDI

Sipas tij, fondi i pagave rritet me afërsisht 300 milionë dollarë, krahasuar me vitin kur qeveria socialiste erdhi në pushtet në 2013-ën. “E dyta shifër që do t’ju jap është që me një numër punonjësish në sektorin publik, që është më i vogël sesa numri i punonjësve në sektorin publik në vitin 2013, – por le ta marrim njësoj dhe të mos hyjnë në këtë detaj, – fondi i përgjithshëm i pagave është rritur nga 450 milionë dollarë në 2013-ën në 710 milionë dollarë, duke përfshirë edhe rritjen e sotme.

Që do të thotë që dy mandate qeverisëse të atyre që nuk e di ku e gjejnë kurajën që kërkojnë të rikthehen, dhe në dy mandate qeverisëse tonat është thuajse dyfish fondi i pagave në sektorin publik, në pikëpamje të shumës me të njëjtin numër punonjësish, pavarësisht se numri i punonjësve është pak më i vogël sot”, tha Kryeministri Rama.

TAKSIMI

Si të mos mjaftonin rritja e pagave për dy kategori sociale, Kryeministri nënvizoi dhe përfitimet që kanë pasur shqiptarët nga taksa progresive që ka aplikuar që nga viti 2014. “Shifra e tretë, për të gjithë ata që ngatërrojnë pagesat me taksat, për ata që ngatërrojnë atë që duhet të paguajnë për konsumin e energjisë, ujit, me taksat, por dhe për të gjithë ata që insistojnë jashtë realitetit të fakteve se ne paskemi rritur taksat, kursimi nga taksimi i ndershëm në Shqipëri është 21 milionë dollarë në vit dhe 166 milionë dollarë në këto vite.

Pra, 166 milionë dollarë, të cilët ata ua u merrnin njerëzve dhe ne ua kemi lënë njerëzve në arkën e familjeve të tyre vetëm nga kursimi i asaj takse famëkeqe të sheshtë, që ne e shembëm dhe e kthyem në taksë të ndershme: kush fiton më pak, paguan më pak dhe kush fiton më shumë, paguan më shumë, dhe që ata duan ta rikthejnë, për të bërë përsëri që infermierët, arsimtarët, punonjësit e shtetit me një pagë mesatare të paguajnë më shumë sesa “oligarkët” ose të pasurit e këtij vendi. Gjyshja ime thoshte:

“Të gabosh është njerëzore, të insistosh në gabim është djallëzore”. Këta mirë që gabuan njëherë, por insistojnë në gabimin e tyre dhe gabimet e tyre duan t’ua shesin shqiptarëve si virtyte. Kap ça të kapësh, kush ta hajë, ta haje, e pastaj shihemi”, tha Rama.

AHMETAJ

Ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj, akuzoi qeverinë e Partisë Demokratike se paratë e buxhetit të shtetit i shpërndante me sipërmarrjen e pasur dhe nuk i materializonte në rritje pagash. “Për të materializuar efektin e taksës progresive, do t’ju lutesha të fokusoheshim te slide-ja tjetër, sepse është shumë interesante për qytetarët.

Fondi që kemi shtuar në rritjet e pagave të vazhdueshme është 18,2 miliardë dhe është 16,635 milardë vetëm për administratën publike. Për ta futur në narrativën qytetare, këto para dikur mbeteshin në buxhet dhe lehtësohej biznesi i madh dhe të pasurit, përpara 2014-ës.

I gjithë ai flamuri ynë i drejtë, qytetar, në funksion të politikave sociale tona, taksa progresive, lehtëson shtresën e mesme dhe shtresën në nevojë. Ato 16,6 miliardë merreshin nga qytetarët me pagë të ulët, me pagë të mesme dhe iu hiqeshin nga xhepi e tryeza dhe kalonin në xhepat e atyre që ishin dhe janë më të pasurit e kësaj shoqërie legjitimisht. Por politika jonë bën diferencën. Prandaj është e majtë në themel, sociale në themel”, tha Ahmetaj si përgjigje ndaj akuzave që opozita bën ndaj qeverisë.

Ministrja e Financave, Denaj: Përfitojnë 54.300 punonjës

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, duke folur me gjuhën e shifrave, tha dje se “falë politikës së re të pagave, pagat në sistemin shëndetësor për vitet 2013- 2020 janë rritur me 27%, nga e cila përfitojnë mbi 18 mijë mjekë dhe infermierë”. Denaj tha se “për vitin 2021 do të ketë një rritje page deri në 40% për mjekët dhe infermierët”.

“Konkretisht, rritja e pagave për sektorin e shëndetësisë është 40% mbi pagën e funksionit për mjekët, infermierët, laborantët e shërbimeve parësore e dytësore të shëndetit publik dhe do të jetë 15% për mësuesit e sistemit parauniversitar.

Në sistemin shëndetësor do të përfitojnë 18.415 punonjës, prej të cilëve 4.650 mjekë dhe 13.765 infermierë, sikurse 35.883 punonjës të sistemit parauniversitar të arsimit.

Është e rëndësishme të theksojmë se gjithë kjo ka një kosto në buxhetin e shtetit, e cila në tonalitet në 2020- 2021 llogaritet në shumën e 8 miliardë lekëve, një kosto më e lartë seç e kishim parashikuar në projekt-buxhetin afatmesëm, kjo për t’i dhënë një vlerë të shtuar të gjithë punës që bëhet në këto dy sektorë.

Shumat konkretisht për secilën kategori: Në sistemin shëndetësor paga për funksion në nivel mesatar sot është 57.000 lekë, me një rritje 40% në 2021- in shkon 79.800 lekë”, tha Denaj. Sipas saj “paga për funksionin e infermierëve dhe laborantëve sot është 37.000, me rritjen në 40% shkon në vitin 2021 51.810. Paga mesatare bruto e mjekëve në 2020-ën së bashku me rritjen shkon nga 67.753, në 110.553 lekë.

Paga mesatare bruto e infermierëve nga 50.890 shkon në 65.700”. Po ashtu, sipas ministres së Financave, “në sistemin arsimor, në vitin 2020 kemi një pagë mesatare 65.800 lekë që së bashku me rritjen shkon në 72.000 lekë në 2021-in. Paga mesatare bruto e mësuesve nga 68.800 shkon në 75.550 në 2021-in”. /panorama


Shtuar 7.10.2020 14:21