Kosova, mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, 1941-1945 (1)
Trajtesa e mëposhtme është një përpjekje për të shqyrtuar procesin e ndarjes së dytë të Kosovës nga Jugosllavia më 1941 dhe e bashkimit të dytë të saj me Shqipërinë në epokën bashkëkohore. Në të njëjtën kohë, artikulli pretendon të zbulojë rrënjet dhe mënyrën e pushtimit (riintegrimit) të tretë të Kosovës nga Serbia dhe Jugosllavia dhe të hedhë një dritë më të qartë e më të faktuar, mbi procesin e një gjenocidi të fshehtë, ushtruar në rrjedhën e vitit 1945, ndaj popullit shqiptar në Kosovë dhe në Maqedoninë veriperëndimore

nga Romeo Gurakuqi, Mapo

1. Hyrje në trajtimin e problemit

Bëhet fjalë për një spastrim të kujdesshëm, por intensiv mashkullor, nga rajonet e lartpërmendura, i kryer, për fat të keq, nën bashkëpunimin e heshtur dhe të hapur të autoriteteve partizane e komuniste të Shqipërisë, të cilët madje kishin ndihmuar qartësisht në procesin e riintegrimit të territoreve të lartpërmendura nën Serbi dhe Jugosllavi. Megjithëse procesi genocidal ndaj djelmnisë shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë Veriprendimore është pjesë e një strategjie të gjerë të udhëheqjes komuniste jugosllave të drejtuar nga Tito, për të eliminuar vatrat etnike jo-sllave nga territori i Jugosllavisë (kujtojmë në këtë rast masakrimin e popullsisë italiane të Istrias), rasti ynë paraqet veçantitë e veta, mbasi bëhet fjalë për spastrim selektiv gjinor, që synonte të nulifikonte forcën e rëndësishme të qëndresës ndaj një strategjie mjaft mirë të menduar, jo vetëm të aneksimit të Kosovës nën Serbi, por edhe të Shqipërisë nën Jugosllavi.

Studimi synon të nxjerrë në dritë rrënjët historike të eleminimit të djelminsë së Kosovës. Kërkimi e ridimensionon tërësisht edhe atë që konsiderohet si Masakra e Tivarit, kryer nga Brigada X partizane malazeze, mbasi ai nxjerr në dritë, mendoj për herë të parë, fakte që dëshmojnë se Masakra e Tivarit është vetëm një nga ngjarjet e procesit genocidal që është konsumuar në shumë cepa të Jugosllavisë, në Dalmaci dhe në Vojvodinë, por, fatkeqësisht edhe në Shqipëri, në rrugën nga Kukësi në Shkodër e drejt Ulqinit, nën syrin e armët e heshtura të partizanëve të UNÇSH.

Nga ana tjetër më duhet të pranoj se studimi është vetëm një hyrje e përciptë në një shqyrtim të vështirë, po aq i vështirë sa ka qenë për autoritetet italiane zbulimi i masakrës së kryer ndaj italianëve të Istrias nga autoritetet komuniste jugosllave, për shkak se gjenocidi është konsumuar në një hapësirë të pamasë të këtij vendi, në kushtet e mungesës së dëshmisë njerëzore, kryer me një urrejtje të paparë etnike, e denjë për Ballkanin dhe për komunistët ballkanikë, në rrethanat e turbullirës dhe mjegullës së fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Punimi mbështetet kryesisht në dokumentacionin arkivor britanik që autori ka mbledhur nga Londra në vitin 2005 dhe në disa dokumente arkivore shqiptare, pa pretenduar t’i shkojë në këte fazë deri në fund shfaqjes të së vertetës.

2. Parahistoria e marrëdhënieve ndërkomuniste shqiptaro- jugosllave. Pushtimi italian i Kosovës, 1939-1943

Në fillim të Luftës së Dytë Botërore, në mars të vitit 1941, qeveria mbretërore jugosllave vendosi për t’u bashkuar me Boshtin Qendror të shteteve, të përbërë nga Gjermania, Italia dhe Japonia, mirëpo një grusht shteti bëri që ky vendim të përmbysej. Pas këtij momenti, Gjermania vendosi ta sulmonte Jugosllavinë, pasi qeveria e re e ardhur në Beograd pas grushtit të shtetit, shfaqi ndjenja miqësie në drejtim të BRSS.

Ushtria Mbretërore Jugosllave nuk mund të kishte asnjë shans kundër makinerisë ushtarake të luftës së Gjermanisë naziste dhe gjithashtu disa pjesë të vendit, dhe para së gjithash Kroacia, kishin shfaqur pak disponim për të luftuar për Jugosllavinë e vjetër.

Kur Fuqitë e Boshtit arritën të fitonin kontrollin në Gadishullin Ballkanik, u ra në një mendje mes Gjermanisë dhe Italisë që Perandoria Italiane duhej të përfshinte brenda saj edhe territorin e Kosovës, që më parë ishte pjesë e Jugosllavisë (PRO.HS.7.70, S.O.E. History, File number 37/B, Allied Military Mission in Albania, 1942-1945, faqe 3.)

Pas pushtimit Jugosllavia u copëtua. Serbia u cungua dhe u vendos nën sundimin e një gjenerali gjerman, i cili caktoi gjeneralin serb Milan Nedic, si kryetar të Administratës Serbe. Kosova u inkorporua në Shqipërinë e pushtuar nga Italia; Mali i Zi iu dha Italisë; Hungaria mori rajonet e Baranja dhe Baçkës të zonës veriperëndimore të Serbisë; Maqedonia u nda në mes Bullgarisë dhe Shqipërisë së pushtuar nga Italia. Sllovenia u nda në mes Gjermanisë dhe Italisë; Kroacia u bë nominalisht shtet i pavarur, i emërtuar Shteti i Pavarur i Kroacisë (NDH), i cili nga ana e vet inkorporoi brenda njësisë së vet, Bosnjën dhe Hercegovinën. Qeveria e Kroacisë u vendos në duart e elementëve ekstremistë djathtistë, të drejtuar nga Ante Pavelic. (R.J.Crampton, The Balkans, Since the Second World War, Pearson Education Limited, UK, 2002, pg. 11-12.)

Le të dalim tek Kosova. Çfarë kuptohej aso kohe me Kosovë?

Termi Kosovë asokohe është aplikuar në tri mënyra:

- Sipas mënyrës së parë, me Kosovë kuptohej i gjithë territori i aneksuar nga dezintegrimi i Jugosllavisë në Shqipëri dhe pak më shumë se kjo, jashtë kësaj pjese të aneksuar, në pjesën veriore dhe lindore që aspirohej nga nacionalizmi shqiptar;

-Sipas mënyrës së dytë, e gjithë kjo pjesë e territoreve të aneksuara në Veri të Malit të Sharrit (Sar Planina) dhe në jug të Mokra Planina (dmth të gjitha territoret e aneksuara Shqipërisë, me perjashtim të disa (a) fragmenteve në Veri perëndim, të marra nga Mali i Zi, dhe (b) në disa hapësirave në Veriperëndim të Maqedonisë në pjesën jugore të territorit të aneksuar).

-Sipas mënyrës së tretë, kemi Fushë Kosovën, që është gjysma lindore e Kosovës në kuptimin e dytë (gjysma perëndimore është Fusha e Metohisë ose siç thirret ndryshe nga shqiptarët Rrafshi i Dukagjinit).

Hapësira e referuar si KOS-MET është e barabartë me Kosovën në kuptimin e tretë plus Rrafshin e Dukagjinit dhe që korrespondon tërësisht me Kosovën në kuptimin e dytë.(PRO.WO.204.9428,From, Captain Vandeleur Robinson to Miss Barker, 20 March 1944, Reference: Force 133’s B8/GSP/6?68 of 5th March.)

Duke u kthyer në brendësi të ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore, do të mund të kuptohen më mirë proceset politike të fundit të luftës dhe riintegrimit të Kosovës në Jugosllavi.

Me ndihmën e Gjermanisë hitleriane, gjatë periudhës 1939-1943, Italia realizoi ambiciet e saj në Ballkan, në dëm të Jugosllavisë. Në fillim të kësaj periudhe, irridentizimi shqiptar në Kosovë u nxit të përgatitej për bashkimin e këtij territori me Shqipërinë. Një bashkim i tillë u krye më anën e traktatit të datës 15 qershor 1941 me Bullgarinë. Menjëherë pasoi reagimi serb dhe malazez:
Gjatë verës së vitit 1941, u kryen sulme nga ana e kufirit malazez në zonën e Gucisë;

Gjatë dimrit 1941 u kryen sulme përgjatë kufirit serb në krahinën e Mitrovicës, Novi Pazarit dhe Sjemnicës.

Këto sulme u zmbrapsen nëpërmjet koordinimit të veprimeve të forcave italiane dhe shqiptare. Për pjesëmarrjen e tyre në veprime, disa udhëheqës të fiseve malësore shqiptare morën “Medaljen e Argjendtë” nga vetë Musolini. Pas kësaj, italianët krijuan “Gardën Shqiptare të Kosovës” nën komandën e Prenk Previzit, me rekrutë kosovarë, dhe “Komitetin e Mbrojtjes së Kosovës” nën presidencën kolektive me rotacion të Ferhat Dragës, Bedri Pejanit dhe Iliaz Agushit. Para armëpushimit me Italinë, ky i fundit ishte zëvendës kryeministër i Shqipërisë (Iliaz Agushi është vrarë në dhjetor 1943) dhe njëkohësisht president i radhës i Komitetit. Duhet të saktësojmë gjithashtu se Ferhat Draga dhe Bedri Pejani kanë qenë në periudhën pararendëse deputete të parlamentit jugosllav. (PRO.WO.204.9428, From Captain Vandeleur Robinson to Miss Barker, 20 March 1944, Reference: Force 133’s B8/GSP/6?68 of 5th March. Enclusire, Draft “Kosovë”)

Ferhat Draga ka qenë anëtari më aktiv i Komitetit të Mbrojtjes së Kosovës në verën e vitit 1943. Për këtë ai do të bëhej në vijim të kësaj periudhe Guvernator i Kosovës (dmth Kosovës në kuptimin e saj më të gjerë, që përfshinin të gjitha territoret e aneksuara Jugosllavisë, me përjashtim të territoreve të shtuara në prefekturat e vjetra të Shkodrës dhe të Dibrës).(PRO.WO.204.9428,From, Captain Vandeleur Robinson to Miss Barker, 20 March 1944, Reference: Force 133’s B8/GSP/6?68 of 5th March.)

Garda Shqiptare e Kosovës ka qenë përgjegjëse për mbrojtjen e kufijve të rinj dhe ushtrimin e veprimtarisë policore brenda kësaj hapësire të re të përfshirë në Shqipërinë nën pushtimin italian. Kosovarët shfrytëzuan këtë rast për t’u hakmarrë në këtë periudhë kundër kolonistëve serbë, të cilët u detyruan të largohen për t’u mbrojtur, në Serbi, ose në Mal të Zi, ku madje u bashkuan ose më forcat partizane, ose me ato çetnike.

Në janar të vitit 1943 forcat çetnike të drejtuara nga Gjurishiq dhe Mihailoviq, sërish invaduan Kosovën, duke shkatërruar fshatra të tëra dhe duke masakruar popullsinë në Bihor dhe Rozhajë. Sipas statistikave, 4626 shqiptarë u vranë ose u plagosën, dhe 200 gra dhe vajza u grabiten. Në këtë rast, italianët, të cilët në këtë moment ishin duke mbështetur Gjurishiq dhe Mihaijloviq, nuk ndërhynë. Ky fakt në mënyrë të padyshimtë ndikoi në ngritjen e ndjenjës anti-italiane në Shqipëri. (PRO.FO.371. 48090/8181/237/90, Mr. Ralph Skrine Stevenson to Mr. Eden, Belgrade, 27th April 1945.)

Me 16 shtator 1943, një regjiment i Gardës së Kosovës mori pjesë në luftime kundër malazezëve, të cilët kishin sulmuar Gjakovën. (PRO.WO.204.9428, From Captain Vandeleur Robinson to Miss Barker, 20 March 1944, Reference: Force 133’s B8/GSP/6?68 of 5th March. Enclusire, Draft “Kosovë”.)

Pas armëpushimit të Italisë, në Kosovë u krijua “Lidhja e Dytë e Prizrenit”, më 18 shtator 1943. Kjo organizatë krijoi edhe një Asamble Kushtetuese, pozicioni gjysmë autonom i së cilës u ratifikua nga Këshilli i Regjentëve të Shqipërisë, me 14 mars 1944. Qëllimi kryesor i kësaj organizate ishte të mbronte dhe të çlironte territoret e Kosovës nga serbët. Kjo organizatë arriti të kontrollonte të gjithë administratën brenda zonës dhe kishte katër batalione milicie nën komandën e major Bajazit Buletinit. Gjermanët e shfrytëzuan këtë rast dhe arritën të krijonin në mars 1944 Divizionin SS “Skanderbeg” me 7000 shqiptarë nga Kosova të drejtuar dhe stërvitur nga oficerë gjermanë. Në të njëjtën kohë, një konferencë e prijësve shqiptarë, që u mbajt respektivisht në Maqellarë dhe Rugovë, vendosi të krijonte një komitet ushtarak për Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit dhe ndërmori rekrutime masive anekënd territorit.
Kjo gjë pati sukses të konsiderueshëm. Rojet kufitare u përforcuan, njësi policore shqiptare u formuan dhe ata filluan të shërbenin si garnizone policore në Serbi (është fjala për territorin e kontrolluar nga gjermanët), por edhe në Francë dhe Holandë. Kur në verën e vitit 1944 pozitat e gjermanëve në Ballkan u përkeqësuan, Dr. Xhafer Deva u bë Kryetar i “Lidhjes së Dytë të Prizrenit” dhe Komisioner i Lartë i Krahinës së Kosovës. Përballë kësaj opozite të fuqishme lëvizja partizane në Kosovë asnjëherë nuk arriti përmasa të konsiderueshme.

Për arsye se vendet Perandoria Habsburge kishte qenë ndër kohë mbështetësja më e vendosur e krijimit të Shqipërisë natyrale dhe për faktin që nën Gjermaninë naziste, një aspiratë e tillë u bë realitet, duhet të thuhet, se në Kosovë mbështetja për partizanët, me frymëzim sllavo-komunist ka qenë pothuajse inekzistente. Këtu shumica e popullsisë shqiptare preferonte të ruante kufirin e kohës së luftës, i cili i kishte përfshirë ata nën shtetin amë shqiptar. Vetë KOS –MET, organizata nacional -çlirimtare e Kosovës, nuk ka pasur ndonjë mbështetje në popullsinë shqiptare të Kosovës, sa t’i mundësonte kësaj organizate partizane shqiptaro-jugosllave të ndërmerrte aksione brenda territorit të krahinës së lartpërmendur. Kështu kjo organizatë më shumë ka vepruar jashtë territorit të Kosovës (në Tetovë), (krahinen e Preshevës) dhe në (Shqipërinë verilindore). Arsyeja kryesore pse KOSMET ka qenë jo popullor në Kosovë është lidhur me bashkëpunimin e ngushtë të kësaj organizate me Marshallin Tito. (PRO.WO.204.9428, From Captain Vandeleur Robinson to Miss Barker, 20 March 1944, Reference: Force 133’s B8/GSP/6?68 of 5th March. Enclusire, Draft “Kosovë”.) Për më tepër, KOSMET, si organizatë, ishte njohur prej anës së Gjeneral kolonelit Enver Hoxha, që të vendosej nën urdhërat e Titos, me zonën e Kosovës si sferë të saj të ndikimit (PRO.HS.7.70, S.O.E. History, File number 37/B, Allied Military Mission in Albania, 1942-1945, faqe 16.)

Ajo çfarë duhet të saktësohet është se, së paku duke filluar nga fillimi i vitit 1944, Kosova u bë një fushë betejash dhe ballafaqimesh të interesave nga më të përkundërtat ushtarake dhe politike, të cilat përfshinin, forcat kombëtare shqiptare, forcat çetnike serbe, forcat partizane jugosllave, reparte të majta bullgare etj.

Në rrethanat e konsolidimit të pushtetit shqiptar në Kosovë, Lëvizja Nacional-Çlirimtare Jugosllave, që aspironte të merrte pushtetin pas Luftës së Dytë Botërore, filloi që në këtë kohë përgatitjet për minimin e bazave të unifikimit të Kosovës në Shqipëri.

Nga vitit 1941 u bënë përpjekje për të përthithur një lloj mbështetjeje mes shqiptarëve dhe po këtë vit dy delegatë nga Tito, Ali Dushanoviq dhe Miladin Popoviq, morën pjesë në mbledhjen themeluese të PKSH.

Vijon këtu : Kosova, mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, 1941-1945 (2)
Shtuar më 15/08/2011, ora 19:21

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori