Kirgistan, "konflikti" për minierën e arit (FOTO-LAJM)

Dmitry Solovyov, Reuters



Në një vend të ri dhe të varfër, ku ekziston vesi i rrëzimit të udhëheqësve të vet, e ardhmja tashmë qëndron te një mal me flori që gjendet në çatinë e botës, atje ku ajri është kaq i rrallë sa shumë vizitorë bien në tokë nga mungesa e oksigjenit dhe dërgohen me urgjencë në dhoma me presion ajri për të marrë veten.

Pas dy revolucioneve në tetë vjet, nacionalistët në Kirgistan po kërcënojnë se do të dalin sërish në rrugë për të rrëzuar një qeveri tjetër në rast se ajo nuk shpronëson minierën e arit Kumtor, një thesar për të cilin ata thonë se është shitur tepër lirë te të huajt.

Parlamenti në këtë ish-republikë sovjetike të largët në Azinë Qendrore ka vendosur si afat final 1 qershorin për qeverinë për të rinegociuar apo anuluar marrëveshjen e firmosur në vitin 2009 me kompaninë kanadeze “Centerra” për minierën.

Një komision shtetëror tha se kompania kanadeze ka paguar shumë pak për të shfrytëzuar minierën si dhe e ka akuzuar atë për dëme mjedisore. Shteti e ka gjobitur kompaninë me 457 milionë dollarë për dëmet mjedisore.

Tre ligjvënës u dënuan javën e kaluar sepse qenë përpjekur të marrin pushtetin në vend me forcë pasi patën drejtuar demonstrata vitin e kaluar, duke kërkuar shtetëzimin e minierës.

Kryeministri Zhantoro Satybaldiyev, i cili e mori detyrën shtatorin e kaluar, është një teknokrat që ka premtuar të lehtësojë varfërinë në vendin me 5.5 milionë banorë. Ai thotë se një kompromis duhet të arrihet sepse shtetëzimi i hapur do të ulë shpresat e vendit për të thirrur më shumë investime të huaja.

“Klima jonë për investimet do të varet drejtpërsëdrejti nga mënyra se me sa sukses ne do ta zgjidhim problemin Kumtor”, tha kryeministri 57-vjeçar për “Reuters”.

Flori

Një vend pa dalje në det në mes të rrugës mes Moskës dhe Pekinit, Kirgistani e ka pasurinë e vet kombëtare në një minierë që gjendet 4 mijë metra mbi nivelin e detit në malet Tien Shan, pranë zonës më të largët të botës, në kufirin e vjetër mes Kinës dhe ish-Bashkimit Sovjetik.

Kamionë me përmasa sa shtëpi trekatëshe ngarkohen në një gropë gjigante për të transportuar shkëmbinjtë në një fabrikë për ekstraktimin e floririt, e cila punon 365 ditë në vit.

Brenda një dhome me roje, dy punëtorë lëvizin ngadalë brenda veshjeve të tyre kundër të nxehtit, duke derdhur floririn në kallëpe. Minuta më vonë, katër kallëpe me shkëlqim, me vlerë të përbashkët prej 3.6 milionë dollarësh, janë të stampuar dhe depozituar në kasafortë.

Sipas marrëveshjes së arritur me ish-presidentin Kurmanbek Bakiyev, i cili u rrëzua nga revolucioni i vitit 2010, minierat paguan 14 për qind të të ardhurave bruto për shtetin.

Komisioni shtetëror që hetoi marrëveshjen doli në konkluzionin se kjo pagesë është tepër e ulët dhe i bëri thirrje Parlamentit të rishikojë ose anulojë kontratën.

Mosmarrëveshja tashmë ka dalë në rrugë. Tetorin e kaluar, tre ligjvënës nacionalistë udhëhoqën një turmë mbështetësish që tentuan të sulmojnë selinë qendrore të qeverisë, duke kërkuar shtetëzimin e Kumtor. Treshja me origjinë nga pjesa jugore e vendit, e cila është e varfër, e pastabilizuar dhe etnikisht mikse, u dënuan javën e kaluar me 18 muaj burg secili.

“Ne thjesht mbështetëm vullnetin e njerëzve për t’ia kthyer Kumtorin kombit”, tha udhëheqësi i tyre, Kamchibek Tashiyev, kreu i grupit parlamentar të një partie nacionaliste. Mbështetësit e tyre organizuan protesta në qytetin jugor Xhalalabad muajin e kaluar dhe kërkuan lirimin e tyre brenda 7 prillit ose do të nisin protesta në rang kombëtar.

Udhëheqësit kirkizë e kanë parë prej kohësh Kumtorin si bileta e lotarisë që do ta çojë vendin drejt stabilitetit dhe mirëqenies. Më 1995, presidenti i parë i Kirgistanit të pavarur, matematicieni Askar Akajev, vizitoi minierën dhe deklaroi: “Ne po e transferojmë floririn nga malet te bankat dhe kjo do të na ndihmojë të bëhemi Zvicra e Azisë”.

Akajev u rrëzua më 2005 dhe shpresat e tij për ta bërë vendin Zvicra e re, që nga ajo kohë janë bërë një shaka e pamëshirshme. Me Prodhim të Brendshëm bruto për frymë prej vetëm 1,100 dollarësh, Kirgistani është 12 herë më i varfër se sa Kazakistani, i cili ka naftë, gaz, metale dhe ferma që prodhojnë drithë.

Kumtor prodhon 12 për qind të PBB-së në vit dhe zë më shumë se gjysmën e eksporteve. Vitin e kaluar, një copë akulli u rrëzua mbi gropën e minierës së hapur dhe shkaktoi rënie të prodhimit me 46 për qind, ose në 315 mijë onç flori. Të ardhurat ranë me 43 për qind në 534 milionë dollarë. E gjithë ekonomia e vendit hyri në recesion vetëm për shkak të rrëshqitjes së një akullnaje.

Dhe ndërsa drejtori i kompanisë së shfrytëzimit Michael Fischer pret që prodhimi të rikthehet në rreth 600 mijë onç këtë vit, nuk ka shenja se marrëdhëniet e tij me politikanët armiq do të përmirësohen tani shpejt.

“Ne kemi kaluar përmes dy revolucioneve, Parlamenti i parë demokratik u zgjodh dhe ne kemi menaxhuar marrëdhënie me shumë qeveri”, thotë drejtori, i cili është nga Zelanda e Re dhe ka punuar aty nga viti 2009. Ai ka mbikëqyrur punimet eksploruese, të cilat kanë ndihmuar në identifikimin e rezervave të reja dhe kanë zgjatur jetën e pritshme të minierës me së paku një dekadë. “Ne besojmë se jemi pjesë e Kirgistanit dhe ne do të jemi këtu edhe kur miniera të mbyllet në vitin 2026”.

Miniera, e cila u zbulua fillimisht në epokën sovjetike, prodhoi në total 8.7 milionë onç ar nga viti 1997 deri më 2012. Sipas të dhënave të vetë kompanisë, edhe 9.5 milionë onç të tjera pritet të prodhohen deri sa rezerva minerare të shterojë.

Kirgistani do të bëhet edhe më i varur nga Kumtor vitin e ardhshëm, kur Shtetet e Bashkuara pritet të mbyllin bazën e vet ajrore, në këtë vend, për të cilën paguajnë 60 milionë dollarë qira në vit.

Rusia, e lumtur që po sheh amerikanët duke u larguar nga kopshti i vet, ka premtuar se do të shpenzojë qindra milionë dollarë në një projekt të stërmadh hidroenergjetik në Kirgistan, por fillimi i punimeve nuk pritet të ndodhë edhe për shumë vite ndërsa plani për digën kundërshtohet ashpër nga fqinji i vet Uzbekistani.

Lotari me fat

Për 3,400 punëtorët me kontratë të plotë në Kumtor, pagat mujore prej 2 mijë dollarësh, – 10 herë më të larta se sa mesatarja kombëtare – kompensojnë vështirësitë e stërmëdha fizike. Pas një turni dyjavor pune në lartësi të madhe, atyre u jepet kohë pushim për të marrë veten.

Nurdin Usenov, një 35-vjeçar mbikëqyrës në fabrikë që erdhi këtu fillimisht në vitin 1997, e di se ka pasur fat.

“Unë mbaj familjen, fëmijët e mi arsimohen dhe madje unë mund të ndihmoj edhe të afërmit”, tha ai ndërsa qëndron në dhomën e kontrollit të mbushur me kompjuterë. “Një sipërmarrje e tillë nuk duhet të ndalohet”.

Bosi i kompanisë “Fischer” thotë se ka apeluar vendimet për gjoba mjedisore të stërmëdha. “Ne besojmë se këto pretendime janë të ekzagjeruara dhe pa bazë”, tha ai. “Projekti Kumtor funksionon në përputhje me ligjet e Kirgistanit dhe plotëson apo tejkalon standardet mjedisore të vendit apo ato ndërkombëtare”, thotë ai.

Presioni politik ka goditur edhe aksionet e kompanisë “Centerra”, të cilat kanë humbur tre të katërtat e vlerës që nga shtatori 2011, duke e reduktuar vlerën tregtare të kompanisë në 1.4 miliardë dollarë.

Kumtori është aseti kryesor nën pronësinë e kompanisë së regjistruar në Toronto, ku shteti i Kirgistanit ka nën pronësi 33 për qind të aksioneve.

Sipas dokumenteve publike, mes aksionerëve të tjerë të “Centerra”-s është edhe bosi amerikan John Paulson – i cili realizoi fitime gjatë krizës së borxheve në SHBA por nuk ka dalë shumë mirë në biznesin e floririt.

Satybaldiyev ka premtuar se nuk do ta shpronësojë minierën dhe shton se, pavarësisht presionit mbi qeverinë e tij, ai është i vendosur të qëndrojë në zyrë edhe dy vitet e ardhshme deri në zgjedhjet parlamentare.

“Për fat të keq, investitorët nuk është se po nxitojnë të vijnë këtu. Ata sërish po presin se çfarë do të ndodhë në mars, prill apo gjatë verës në Kirgistan. Pastaj presin të shohin nëse vjeshta është e qetë”, tha ai në rezistencën e tij shtetërore në periferi të kryeqytetit Bishkek.

“Çdo investim dashuron paqen. Por a e kemi ne këtë?”, tha ai, ndërsa ulet poshtë një muraleje të krijuar me gdhendje në dru ku paraqiten khanët historikë të Kirgistanit të ulur në rreth duke debatuar.

Pasi rrëzoi dy presidentë, Kirgistani ka lëvizur nga një sistem presidencial qeverisjeje në një sistem parlamentar. Por reforma nuk ka sjellë stabilitet: qeveria e Satybaldiyev është e treta në më pak se tre vjet.

“Ndryshimi i qeverisë përmes revolucionit duket se është bërë më shumë një normë se sa një përjashtim”, thotë Lilit Gevorgyan, një analist që mbulon rajonin. “Kjo është dobësia më e madhe në demokracinë e Kirgistanit”.

Kalorës luftëtarë

Salmurbek Daikanov drejton Partinë Kombëtare të Rezistencës, është një parti që nuk ka deputetë në Parlament por e kompenson këtë me aktivizëm të lartë në politikën populiste. Daikanov, i cili ka studiuar matematikë në Rusi, ka udhëhequr një turmë mbështetësish që thyen studiot e televizionit kombëtar gushtin e kaluar, duke bllokuar përpjekjen e parë të Kirgistanit për të dhënë me ankand licenca minerare për investitorë të huaj.

Ai kaloi 41 ditë në arrest dhe u akuzua për huliganizëm, por thotë se veprimet e tij parandaluan një konflikt edhe më të ashpër. Në disa raste, burra mbi kuaj kanë grabitur grupimet e hulumtimit të pasurive minerare dhe kanë rrahur punëtorët.

“E pse duhet të gërmojmë dhe shkatërrojmë tokën tonë për të nxjerrë flori thjesht për ta fshehur atë në bodrumet e një banke?” – pyet Daikanov. “Bota duhet të vendosë një moratorium për nxjerrjen e arit”.

Idetë e tij priten me shumë armiqësi në qytetin Kaj-Saj, 300 kilometra në lindje të Bishkekut dhe 90 kilometra larg Kumtorit. Qyteza jetoi me një minierë uraniumi që u mbyll më 1968 dhe u zëvendësua nga një fabrikë që prodhonte dioda dhe gjysmëpërçues deri në vitin 1993. Në fund, më 2005 u ndërtua një fabrikë që ekstrakton kuarc. Popullata e qytezës ka rënë në 2,500 vetë nga mbi 15 mijë dhe apartamentet e braktisura dallohen nga dritaret e thyera. Vendësit të papunë nxjerrin jetesën duke shkatërruar ndërtesat industriale të braktisura për materiale ndërtimi.

Banori vendës Cholponbek Zhumadylov, 31 vjeç, nuk ka pasur kurrë një punë të qëndrueshme. Ai, bashkëshortja e tij dhe një djalë i vogël jetojnë me pensionin e nënës së tij, gjithsej 4 mijë soms, (85 dollarë) në muaj.

Ai thotë se investitorët e huaj janë të shumëdëshiruar në Kaj Saj, i cili, si shumica e Kirgistanit gjendet mbi burime të mëdha natyrore ndërsa qeveria qendrore nuk ka para për zhvillimin e shfrytëzimit të këtyre burimeve.

“Nëse ata me ndershmëri punojnë dhe investojnë këtu, nëse japin punë për të rinjtë e zonës, të gjithë do të jenë të lumtur”, thotë ai. “Ne nuk kemi të ardhme dhe unë nuk e di se çfarë na pret. Por shpresoj që gjërat nuk do të jenë më kështu siç janë”.

Po t’i japësh këtyre njerëzve një pjesë në të ardhmen e Kirgistanit, do të mjaftojë për të stabilizuar vendin.

Votuesit në Kirgistan kanë treguar gjatë dekadës së fundit se nuk kanë ndër mend të tolerojnë regjime totalitare apo të korruptuara, gjë që është e vështirë të mendohet se ata do të tolerojnë të lihen pa pjesë në pasuritë kombëtare, argumenton një analist.

“Lajmi i keq është se do të duhen disa vite të trazuara për të lëvizur nga ndryshimet dramatike politike, për t’i dhënë fund kalimit nga një revolucion në një tjetër, deri sa njerëzit të shohin një vlerë te votimi dhe te dialogu politik, kompromisi dhe stabiliteti”, thotë ai.
Shtuar më 04/04/2013, ora 14:02

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori