Katie Holmes: “Jam një grua luftarake”
E martuar me aktorin Tom Cruise dhe nëna e një vajze shumë bukuroshe, Suri. Por Katie Holmes thotë se është e gjithanshme: producente, stiliste, imazh i firmave të ndryshme dhe tani edhe aktore e filmave horror

Katie Holmes nuk është vetëm “zonja Tom Cruise”. Përkundrazi, kundër çdo pritshmërie, aktorja amerikane 33-vjeçare duket se ka marrë në dorë kontrollin e plotë të jetës personale dhe profesionale. Aq më tepër tani që vajza e saj Suri është rritur, Kate ka vendosur që t’i kthehet me kohë të plotë kinemasë. Joey e serisë televizive “Dawson’s Creek” në vitin 1998, u largua paksa nga skena pas martës me Tom Cruise dhe nga vitit 2006 deri në 2010 u shfaq vetëm tri herë në kinema. Por pikërisht fundi i 2010-s dhe fillimi i 2011-s do të ishin muajt e saj të suksesit, që e arritën kulmin me rolin e Jackie Kennedy Onassis, në seritë “The Kennedys”. Tani në kinema sapo ka dalë filmi horror, “Mos ki frikë nga errësira”, i shkruar dhe prodhuar nga gjeniu meksikan Guillermo Del Toro, ku Holmes është protagonistja kryesore përkrah Guy Pearce. Me pak fjalë, Kate nuk donte të shijonte jetën në Hollywood nën hijen e të shoqit, duke u munduar që ta kthejë gjithë vëmendjen mbi veten. Tregon se është një grua e sigurt në vetvete, e vendosur të flasë për të gjitha projektet në punë, që në të vërtetë janë shumë.

Ajo tregon se rikthimi në ekranin e madh ishte shumë entuziast, dhe çdo gjë i duket më e lehtë duke pasur në jetën e saj një njeri si Tom. “ǒmund të them? Po jetoj një periudhë vërtet të bukur. Por edhe jeta ime përkrah Tomit dhe Surit është si një lloj feste që zgjat çdo ditë. Ai në shtëpi, ashtu si në kinema, vetëm të befason: plot energji dhe pasion, gjithmonë entuziast, për çfarëdolloj gjëje që bën. Unë jam e lumtur që jetoj përkrah tij, sepse energjia pozitive është ngjitëse. Tomi më bën ta ndiej veten gruaja më e bukur e botës. E thotë edhe tani, pas kaq shumë vitesh së bashku. Më pëlqen shumë të rri me të dhe nuk e humbas kurrë rastin që të flas mirë për bashkëshortin tim”. Katie vazhdon më tej duke e lavdëruar Tomin edhe si baba. “Është i kujdesshëm dhe i ëmbël. Bëhet copë që ne të mos na mungojë asgjë. Teksa e shoh bashkë me Surin, më bën të ndihem shumë mirë. Por Tom është një baba shumë i mirë edhe me fëmijët e tij të rritur, Isabella, 20 vjeç, dhe Connor, 17, që adoptoi bashkë me ish-gruan Nicole Kidman”. Zakonisht, kur ai luan larg familjes, Kate i shkon gjithmonë nga pas. Ajo thotë se nuk ka lidhje me xhelozinë, por me mungesën dhe dashurinë që ndien për të. “Është një mënyrë që keni gjetur për të kaluar më shumë kohë bashkë kur njëri prej nesh punon. Edhe kur unë xhiroj për shumë kohë larg shtëpisë, ai bën të njëjtën gjë. Dhe nëse unë jam shumë e zënë, ai për Surin bën gjithçka: babanë, nënën, dadon, mikeshën”. Familja, aktrimi, produksioni. Me gjithë këto impenjime gjeti edhe kohën për të prezantuar linjën e saj të veshjeve ‘Holmes & Yang’. “Ende nuk e besoj që veshjet e mia janë në shitje tek ‘Barney’s’. Pak nga pak nisa të afeksionohesha me modën dhe tani përpiqem të shprehem edhe në këtë fushë. Nisa vetë të dizajnoja veshjet për Surin. Pastaj u njoha me stilisten Jeanne Yang dhe nga bashkëpunimi ynë lindi ideja për të krijuar linjën tonë të veshjeve edhe për të rriturit”. Edhe Jackie Kennedy ishte konsideruar një ikonë stili. Holmes tregon se e gjeti veten në lartësinë e duhur duke e interpretuar. “Ajo ishte një grua me stil të jashtëzakonshme. Të qenit Jackie, të ndihesha si ajo, për mua ishte një nder i madh, ose më mirë një fat shumë i madh”. Imazhet e para të filmit të saj të ri kanë nisur të bëhen “kult” në internet. Por Katie tregon se asaj vetë nuk i pëlqejnë filmat horror. “Mua ai film më terrorizon. Nuk është lloji i filmit që më pëlqen të luaj, por jam e sigurt se shumëve do t’u pëlqejë”. Bukuroshja 33-vjeçare tregon edhe për jetën jashtë kinemasë. Kur të dy nuk punojnë rrinë në shtëpi, shohin filma apo bëjnë shooping. “Jeta me Tom, e thashë dhe e them gjithmonë, nuk është asnjëherë e mërzitshme. Çdo ditë ndryshon nga tjetra, është plot gjallëri dhe gëzim. Bashkë shkojmë shumë mirë. Jemi një nga ato çiftet e pakta që përputhen thuajse për çdo. Jam e lumtur përkrah tij”
(Gazeta Shqip)
Shtuar më 22/01/2012, ora 16:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori