Julian Assange: Ne bëjmë një gjë shumë të thjeshtë: themi të vërtetën
Ne duam që të bëjmë një gjë shumë të thjeshtë: duam që të mbledhim, publikojmë dhe mbrojmë informacionet për të vërtetat e fshehura të botës dhe kjo është thelbësore në ndihmën që duhet t’u japim njerëzve, për të jetuar jetët e tyre. Ju mund të mendoni se nuk është kaq e vështirë, por në fakt, është, sepse ka shumë institucione të pushtetshme dhe individë, të cilët e marrin pushtetin pikërisht nga errësira në të cilën i lënë popujt në lidhje me aktivitetet e tyre të vërteta

Liria duket se është shndërruar për Julian tashmë në një kujtim të lumtur, që është zhdukur së bashku me jetën e qetë që bënte dikur. 16 muajt e fundit i ka kaluar duke mbajtur një byzylyk hekuri, që ia përgjon të gjitha lëvizjet. Është një objekt i çuditshëm ruajtjeje dhe vëzhgimi për një njeri që u shndërrua në një zë të fortë kundër një sistemi orvelian të vëzhgimit dhe të përgjimit. Tani duket se është me shpatulla pas murit dhe rrezikon që të ekstradohet në Suedi brenda pak ditësh. Ndërkohë edhe organizata e tij ka armiq të fuqishëm dhe është duke pasur probleme financiare për shkak të bllokadës që i kanë bërë shumë agjenci financiare. Por kur e sheh Assange drejt e në sy, e kupton fare mirë se ky djalë nuk ka aspak ndërmend që të dorëzohet. Ai vijon që të planifikojë sulme me median e tij kryengritëse dhe rebele, që vazhdon të lëshojë miliona dosje, në të cilat shfaqen pisllëqet e një bote që u është mbajtur njerëzve sekret, në kurriz të lirisë dhe të drejtave të tyre themelore. Julian është i qetë, një djalë shumë i përqendruar në qëllimet dhe pasionet e tij, por di të jetë edhe pasionant dhe i indinjuar kur e kërkon nevoja dhe ka shpesh një sens të thellë dhe të mprehtë humori që e bën të këndshëm dhe simpatik. Kësaj mund t’i shtosh edhe sensin e drejtësisë, që gjithashtu e ka të fortë dhe të mprehtë. E megjithatë, ky njeri, që me punën e tij arriti që të trondiste Shtëpinë e Bardhë, nuk është as i egër dhe i fortë, dhe as një Peter Pan, sikundër përshkruhet nga disa gazeta dhe revista. Ai është një figurë pa dyshim shumë karizmatike, pikërisht për shkak të kontradiktave që ka dhe vizionit romantik për botën. Julian i ngjan në fakt atyre revolucionarëve të shekullit të 19. Ai është i lumtur që gjithsesi dhe megjithatë puna e tij vazhdon dhe “Wikileaks” vijon të prodhojë lajm dhe informacion. Sipas tij, organizata vazhdon që të jetë e fortë dhe të paktën ka forcë që të përballojë një situatë financiare dhe për shumë kohë, pavarësisht problemeve që i kanë dalë herë pas here. Komponentë kryesorë të kësaj media janë të gjithë në rregull dhe vazhdojnë që të funksionojnë. Ja çfarë thotë në një intervistë të fundit për median...

Në një intervistë të fundit dhe një portret në media jeni përshkruar si një “komandant i mundur”, një përshkrim që i shkon më shumë një Che Guevara nën rrethim. Ndiheni i tillë?

Organizata ka një listë grupesh shumë të fuqishëm, të cilët janë të pakënaqur me ekspozimet që u kemi bërë disa dosjeve të rëndësishme në sajtin tonë në dy vitet e fundit dhe pikërisht këto grupe kanë vënë në punë tentativa të ndryshme për të na rrëzuar dhe për të na nxjerrë jashtë loje dhe funksioni. Ata janë në një proces ligjor përmes mekanizmave politikë, medias së fuqishme, si dhe bllokadës financiare për të na rrëzuar. Deri më tani, pavarësisht sulmeve, ne jemi në anën e fitimtarëve, sepse vazhdojmë që të kemi aftësinë tonë kryesore: atë të publikimit të dosjeve të ndryshme dhe të materialeve të tjera dhe nuk e kemi thyer premtimin që i kemi dhënë njerëzve, për të publikuar materialet më domethënëse dhe më të rëndësishme në lidhje me qeverinë amerikane. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se nuk kemi vështirësi me sulmet që po vazhdojnë.

Pas suksesit të “Wikileaks” janë idetë tuaja për një platformë interneti, që lejon dërgimin e materialeve anonime. Aktualisht, platforma nuk është në funksion dhe ndërkohë për shkak të punës së saj, “Wikileaks” ka të ngjarë që të jetë sulm i agjencive dhe firmave të sigurisë në të gjithë botën. A nuk mendoni se këto probleme mund t’i dekurajojnë ata që duan të thonë të vërtetën?

Ne i kemi të gjitha llojet e platformave, vetëm se për ne, sikundër për të gjithë botën, problemi teknologjik është vështirësuar, për shkak të vëmendjes së madhe që kemi nga shumë agjenci të fuqishme shtetërore dhe private dhe zhvillimit të teknologjive të spiunazhit në botë. Kemi punuar me mjete të ndryshme për të ecur përpara dhe për të bërë punën tonë, edhe duke ngritur platforma të tjera si “Friends of Wikileaks”.

Wikileaks” është goditur seriozisht nga një bllokadë financiare. Si jeni duke luftuar kundër kësaj embargoje financiare?

Prej gjashtë muajsh i kemi dërguar një ankesë Komisionit Europian dhe ata thonë se janë duke e hetuar çështjen dhe se nuk e kanë harruar ankesën tonë dhe ne, ndërkohë, kemi gjetur mënyra të tjera veprimi. Kështu kemi çelur edhe një çështje gjyqësore kundër “Visa” në Islandë.

Ju e keni konceptuar “Wikileaks” si një media kryengritëse, si një lloj guerili informacioni. Disa nga problemet e përjetuara nga “Wikileaks” vijnë nga kjo mënyrë agresive dhe revolucionare. A keni menduar ndonjëherë se kjo ishte një mënyrë e gabuar?

Nëse do të bëheshim një organizatë e zakonshme mediatike, si të gjithë të tjerat, atëherë do të kishim të gjitha kufizimet me të cilat përballen mediat sot dhe një nga këto kufizime është pamundësia për të thënë dhe komunikuar të vërtetën. Nëse këto organizata nuk do ta kishin këtë kufizim, atëherë nuk do të kishte dalë kurrë nevoja e një “Wikileaks”. Ne jemi në këtë formë, sepse organizatat mediatike që ekzistojnë në formën tradicionale kanë dështuar në dhënien e së vërtetës dhe nuk do të doja që t’i fajësoja për këtë dështim, sepse ka disa arsye historike që e mundësojnë këtë dështim që në themel dhe është shumë e vështirë që të reformosh median. Ne duam që të bëjmë një gjë shumë të thjeshtë: duam që të mbledhim, publikojmë dhe mbrojmë informacionet për të vërtetat e fshehura të botës dhe kjo është thelbësore në ndihmën që duhet t’u japim njerëzve për të jetuar jetët e tyre. Ju mund të mendoni se nuk është kaq e vështirë, por në fakt është, sepse ka shumë institucione të pushtetshme dhe individë, të cilët e marrin pushtetin nga errësira në të cilën lënë popujt në lidhje me aktivitetet e tyre të vërteta.

Është fakt i ditur tashmë se “Pentagon Papers” i shkruan “New York Times” 30 vjet më parë, sikundër po vijnë dosjet tuaja në sajtin tuaj tani...

Nëse je një burim dhe dëshiron që ta publikosh materialin tënd, përse duhet që të shkosh te “New York Times”? Kjo do të ishte çmenduri nëse i njohim mirë disa lloj gazetarësh, të cilët shpesh i zhdukin historitë e vërteta dhe i shesin burimet.

Janë të shumtë ata që ju kritikojnë për stilin tuaj të fshehtë të të bërit të gjërave. A ju duhet me të vërtetë një organizatë e fshehtë për të luftuar sekretet e kësaj bote?

Nuk mendoj se është e vërtetë se njerëzit na kritikojnë për fshehtësi. Një nga funksionet kryesore të “Wikileaks” është që të mbrojë burimet dhe t’u garantojë atyre fshehtësi. Ne nuk jemi CIA. Si një organizatë që nuk merr para nga publiku, nuk vret njerëz dhe nuk përdor forcë, ne kemi luksin moral që të përfshihemi në aktivitete që janë të nevojshme për të qenë sekret.

Kërcënimi më serioz ligjor kundër “Wikileaks” që ju ka goditur personalisht, vjen nga çështja e Bradley Manning, ushtari i ri amerikan që e kanë akuzuar se ju ka dhënë dokumente shumë të ndjeshme, të cilat i keni publikuar. Gjatë seancave paraprake është thënë se ekzistojnë prova se ju e keni ndihmuar Manning që të penetronte në rrjetet ushtarake…

Avokatët e tij kanë deklaruar se Departamenti Amerikan i Drejtësisë dhe SHBA me gjithë ushtrinë, po ushtrojnë presion ndaj tij për ta bërë të deklarojë implikimin me “Wikileaks” dhe për të më përfshirë edhe mua personalisht në këtë mesele. Ka njerëz që e kanë vizituar dhe flasin për kushte ekstreme të tij në burg.

A mendoni se ka ende vend për drejtësi, apo se SHBA kërkon që ta bëjë Manning një shembull për të çuar ndaj të gjithëve mesazhin që në të ardhmen të mos përzihen me ju?

Si të gjitha sistemet me autoritete shtrënguese, edhe ky amerikan synon në dhënien e shembujve. Për ta, Manning është një shembull. Gjithsesi, interesante është se SHBA nën Obamën ka persekutuar dhe ndjekur më shumë njerëz që guxojnë të thonë të vërtetën se sa të gjithë presidentët amerikanë të së shkuarës të marrë së bashku. Përse? Sepse administrata amerikane është duke u shndërruar në një administratë totalitariste në strukturë dhe e ndjen se duhet të bëjë gjëra të cilat nuk ka pasur mundësi që t’i bëjë në të shkuarën, apo ndoshta se po u shtohet frika nga njerëzit që kanë guxim të thonë të vërtetën.

Për shkak të ligjeve kundër terrorizmit të aprovuara pas 11 shtatorit, Bush mund të kishte shkuar edhe më larg…

Mendoj se është e kundërta. Administrata e Bushit ka qenë më e shtrënguar se Obama. Administrata e Bush ndaloi të burgosurit dhe i mbajti pa gjyq të ngujuar në Guantanamo dhe gjetkë. Administrata e Obamës, as që lodhet ta bëjë një gjë të tillë, po thjesht vret njerëz me sulme nga avionët me telekomandë dhe metoda të tjera, përfshi edhe qytetarët amerikanë. Pozicioni i Obamës është më i avancuar se ai i Bushit. Përse vallë? Ndoshta është një tendencë e qeverisë ose ndoshta në SHBA, duke qenë se janë demokratët në pushtet dhe republikanët në pozitë nuk ka ndonjë forcë që të kundërshtojnë kufizimin lirive civile. Nëse demokratët do të ishin në opozitë, ata do ta përdornin këtë argument për përfitime politike.

A e prisnit këtë nga Obama? Në fund të fundit, ai është një nga të paktët presidentë që nuk erdhi nga CIA, komuniteti inteligjent dhe komplelsi ushtarak industrial...

Po, e prisja këtë qëndrim nga ai. Nuk mendoja se gjërat do të kishin ndodhur kaq shpejt, por mund t’i shihnim para se të zgjidhej Obama, çfarë qëndrimi do të mbante me ndryshimin e pozicionit për imunitetin e firmave të telekomunikacionit si AT&T në SHBA për spiunimin masiv. Ai është një politikan që nuk ka qenë kurrë njeri me parime. Nëse do të lexosh librat e Obamës, do të shohësh që ai ka vetëm dy vlera. Vlera e parë është ajo e kompromisit. Ai e quan kompromisin si një virtyt dhe vlera të tjera duket se janë ato të kushteve të punës së të zinjve, por ai nuk duket se shqetësohet shumë për këtë çështje. Pra si një politikan që ka zhvilluar sistemin e kompromisit, në Shtëpinë e Bardhë, ai ka bërë kompromis me forcat rreth tij dhe forcat më të fuqishme janë ato që përfaqësojnë kompleksin ushtarako-industrial.

Pushteti financiar është një nga pushtetet që kontrollon botën. Ju njoftuat lançimin e dokumenteve për një bankë të madhe, por këto dosje nuk u panë në “Wikileaks”. Ku përfunduan?

Një nga këto dokumente lidhet me “Bank of Amerika”.

Pra e konfirmoni që është kjo bankë?

Po.

A ishin të rëndësishëm ato dokumente?

Kemi bërë vetëm një pamje paraprake të tyre dhe ato përfshijnë të gjitha gjërat që janë diskutuar në nivelet e larta të bankës. Materialin na e kishte dhënë një nga anëtarët ekzekutivë të bankës. Një nga ish-vullnetarët e “Wikileaks”, Daniel Berg, i ka prishur ato materiale. Ne vazhduam negociatat për një vit për t’i pasur ato nga të tjerë, por nuk ia dolëm dhe s’na mbetet veç të shpresojmë se burimi origjinal do të na i japë sërish.

Ju jeni shumë i talentuar me kompjuterët dhe mund të kishit një kompani tuajën dhe të bënit miliona. Por, siç keni deklaruar më parë, iu kushtuat projektit të “Wikileaks”, duke qenë se siç keni thënë, doni që të ndihmoni njerëzit që janë më të dobët dhe t’ua shtypni kokën bastardëve. Është ende e vërtetë kjo?

Oh, shumë. Sigurisht që viti i kaluar ka qenë një sfidë e madhe në shumë drejtime, por nga ana tjetër, jemi thellësisht të kënaqur: premtimet kryesore që bëmë, i mbajtëm dhe beteja jonë me Pentagonin dhe Departamentin e Shtetit ishte një fitore në pjesën më të madhe, sepse ne arritëm që të botonim informacionin dhe t’ia jepnim publikut. Sa për t’ua shtypur kokën bastardëve, kjo më jep vërtet shumë kënaqësi.

Thuhet se së fundi, ju i keni kërkuar një burimi të shërbimeve sekrete nëse do të jeni sërish njeri i lirë. Duket se nga burimi keni marrë këtë përgjigje: S’ka shans. A është e vërtetë kjo?

Po. Vlerësimi është se në Shtetet e Bashkuara ekziston një Juri e Madhe e fshehtë. Dhe sipas burimeve të mia do ta kem të vështirë. Megjithatë, të paktën sipas historisë, nuk ka qenë kurrë e lehtë që të fitohet kundër “Wikileaks”.
(Gazeta Shqip)
Shtuar më 04/03/2012, ora 18:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori