Ishulli përrallor i Filipineve bëhet bazë detare
Pëlqej
Përballja me Kinën

Andrew R.C. Marshall dhe Manuel Mogato, Reuters

Permballja me Kinen (1) DN-ST-93-03490 Permballja me Kinen (3) Permballja me Kinen (4)

Barrierat koralore me rizofora sigurojnë jetesën e një popullate të madhe peshku. Ujërat e thellë blu nuk preken nga musonet që janë të zakonshme në Filipinet Perëndimore.

Por një vizitë e pritshme e Presidentit të SHBA-së, Barack Obama, në Azi këtë fundjavë, mund të shënojë fillimin e ndryshimeve dramatike në Gjirin e Gocave të Detit, një gji i ngushtë dhe i thellë perfekt për kartolina në ishullin Palauan. Ky është vendi që Filipinet shpresojnë ta transformojnë në një port për fregatat e luftës dhe rrjedhimisht për anijet amerikane – të cilat do të sigurojnë prani force në Detin e Kinës së Jugut, një zonë me pretendime të shumëfishta territoriale.

Zhvillimi i këtij ishulli të largët parajsë në një bazë ushtarake detare mund të acarojë edhe më tej tensionet me Kinën, e cila pretendon sovranitetin mbi detin e madh dhe të pasur me energji të Jugut të Kinës, zonë që është edhe një nga rrugët detare më të rëndësishme të planetit. Kina ka pasur probleme me këto pretendime përballë aleatëve të SHBA-së, Filipineve e Vietnamit. Brunei, Tajvani dhe Malajzia pretendojnë gjithashtu pjesë të detit.

Obama do të niset të shtunën për një udhëtim njëjavor në katër vende të Azisë. Por pasiguritë e krijuara nga mbyllja e pjesshme e qeverisë që filloi të martën, mund ta detyrojë atë të shtyjë për më vonë këtë udhëtim.

Për momentin, gjithsesi Obama ka në plan të ndalojë në Manila, vizitë që shihet si një sinjal i fortë i mbështetjes së SHBA-së për Filipinet pavarësisht se Uashingtoni ka folur shpesh për qëndrimin asnjanës në mosmarrëveshjen për Detin e Kinës së Jugut.

Rindërtimi i marrëdhënieve me Filipinet, përfshirë ndihma për të përmirësuar ushtrinë e vet të keqpajisur, ka qenë pjesë e rëndësishme e planit të SHBA-së për zhvendosjen e fokusit të marinës së vet në Azi, në përpjekje për të kontrolluar fuqinë në rritje të Kinës.

Presidenti Benigno Aquino ka nisur një program modernizimi me vlerë 1.8 miliardë dollarë, për të ndërtuar baza të reja ajrore dhe detare në Gjirin Subuk, baza më e madhe amerikane në Azinë Juglindore deri në vitin 1992, kur kjo bazë u mbyll.

Në letra është edhe zhvillimi i Gjirit të Gocave të Detit, i cili gjendet 550 kilometra në jugperëndim të Manilës. “Ai do të jetë një mini-Subik”, tha Komodori Joseph Rostum O. Peña, komandant i marinës perëndimore të Filipineve në komentet e para publike mbi planet për ndërtimin e bazës.

Një port këtu do të zgjerojë fushën e veprimit të dy fregatave të Filipineve që më herët kanë shërbyer në Rojën Bregdetare të SHBA-së, si dhe do të vendosin kontrollin në ishujt Spratly, në pjesën jugore të Detit të Kinës së Jugut.

Planet afatgjata për zhvillimin e portit u zbuluan nga Aquino pasi SHBA dhuruan dy fregatat, të cilat tashmë janë anijet më të mëdha në dispozicion të Filipineve. Gjiri i Gocave të Detit gjendet rreth 160 kilometra larg ishujve Spratlis.

“Në Manila, udhëheqësit duhet të lëvizin përtej retorikës mbi frymën e re të partneritetit dhe të fillojnë të detajojnë aksionet specifike për fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të Filipineve”, tha Patrick Cronin, një ekspert i sigurisë për Azi-Paqësorin me bazë në Uashington.

Kjo përfshin ndërtimin e një shtëpie permanente për dy anijet më të mëdha të luftës së Filipineve. Kjo nënkupton gjithashtu gjetjen e zonave strategjike, ku Shtetet e Bashkuara mund të qarkullojnë trupa, anije dhe aeroplanmbajtëse, vende që duhet të jenë pranë territoreve të pretenduara nga Pekini. “Gjiri i Gocave të Detit mund të jetë zgjidhja më e mirë”, tha Cronin.

Gjithnjë e më e fuqishme

Kina është bërë gjithnjë e më e fuqishme në mosmarrëveshjen për detin e Kinës së Jugut, një nga problemet më të mëdha të sigurisë për Azinë. Më 3 shtator, Filipinet akuzuan Kinën se po përgatitet të ndërtojë një strukturë të re në një cekëtinë në det në dhunim të Deklaratës së Sjelljes, një marrëveshje jodetyruese për kodin e sjelljes në det e firmosur në vitin 2002 nga Kina dhe dhjetë vende të tjera të rajonit.

Është propozuar që Deklarata e Sjelljes të bëhet e detyrueshme për zbatim, por bisedimet për këtë kanë ecur shumë ngadalë.

Kina ka paralajmëruar vazhdimisht Shtetet e Bashkuara të qëndrojnë jashtë mosmarrëveshjes për Detin e Kinës së Jugut. Uashingtoni zyrtarisht nuk ka marrë anë, por në korrik, sekretari i Shtetit, John Kerry, deklaroi se vendi i tij ka interesa strategjike në lirinë e lundrimit në këtë shteg detar me trafik të lartë dhe kërkoi që Deklarata e Sjelljes të miratohet sa më parë.

Kodi i propozuar nuk do të hyjë në trajtimin e pretendimeve territoriale të vendeve të zonës por do të krijojë rregulla për sjelljen e anijeve për të reduktuar rrezikun e keqkuptimeve që mund të shkaktojnë një konflikt.

Kina “nuk ka nxitim” për të nënshkruar Kodin e Sjelljes, tha ministri i saj i jashtëm Wang Yi në gusht. Bisedimet mes Kinës dhe zyrtarëve të organizatës rajonale ASEAN në Pekin në shtator u mbyllën pa rezultat. Media shtetërore e Kinës paralajmëroi në qershor se një “kundërsulm” kundër Filipineve mund të bëhet i pashmangshëm në rast se provokimet kundër Pekinit vijojnë.

Ngurrimi i Kinës për të nënshkruar Kodin e Sjelljes ka bindur Manilën të fuqizojë me shpejtësi ushtrinë e vet, tha një diplomat i Filipineve.

“Natyrisht ne dëshirojmë të zgjidhim mosmarrëveshjen me mjete paqësore, – tha ai në kushtet e anonimatit. Gjithsesi, ne duam kapacitetet e nevojshme që t’i detyrojmë shtetet e tjera të mendojnë dy herë para se të ndërmarrin ndonjë veprim të çmendur në zonat e diskutueshme”.

Në Manila, zyrtarë të SHBA-së dhe të Filipineve po hartojnë një marrëveshje kuadër për të përmirësuar aftësinë e këtij kombi aziatik të mbrojë kufijtë e vet detarë dhe të rrisë numrin e anijeve amerikane e avionëve të stacionuar atje. Një marrëveshje shpresohet të realizohet para mbërritjes së Obama-s, por një zyrtar i lartë i Filipineve tha se ka disa probleme ligjore që duhet të zgjidhen paraprakisht.

Filipinet janë një ish-koloni amerikane dhe kanë mëdyshje mbi praninë e ushtrisë amerikane në territorin e vet. Presidenti populist Aquino është shumë i vetëdijshëm për këtë. E ndjera nëna e tij Corazon ishte presidente kur Senati i Filipineve votoi më 1991 për të shfuqizuar marrëveshjen për bazën detare amerikane, gjë që detyroi ushtrinë amerikane të largohet nga vendi një vit më vonë. Por Aquino është betuar se do të fuqizojë në mënyrë radikale aftësinë e Filipineve për të mbrojtur veten deri më 2016-n, kur do të largohet nga posti. Kjo gjë kërkon ndihmën amerikane, thonë analistët dhe plani i Uashingtonit për t’u përqendruar në Paqësor mund ta ndihmojë atë të diskutojë në kushte më të barabarta.

Faza e parë e ndërtimit në Gjirin e Gocave të Detit do të kushtojë rreth 11.5 milionë dollarë dhe do të përfundojë më 2016, tha Komodorri Peña. Transformimi i gjirit në një bazë të fuqishme detare gjithsesi do të kushtojë shumë më tepër.

Ndërkohë, popullata vendëse ka shprehur pakënaqësi. Ata jetojnë me peshkim dhe janë zemëruar. “Ne nuk lejohemi më të peshkojmë në gji, tha Jesus Agpai, 48 vjeç, kreu i një kooperative peshkimi vendëse duke bërë me shenjë nga katër anije të vogla të marinës ushtarake të Filipineve. Ai ka frikë se anijet më të mëdha do të ndotin gjirin dhe do të frikësojnë peshqit.

Banori vendës Lorenzo Layacan, 67 vjeç, tha se katër nga pesë krerët e fshatrave përreth kundërshtojnë ndërtimin e bazës së re detare nga frika se në zonë do të shfaqen bordellot, njësoj si në gjirin Subik për t’u shërbyer marinarëve amerikanë. “Ata janë të frikësuar se gratë e reja do të bëhen prostituta”, tha Layacan. (Shqip)
Shtuar më 03/10/2013, ora 15:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori