Hollande-Trierweiler, çifti më i fuqishëm i Francës
Në pedanën e një takimi zgjedhor në sheshin e një qyteti dëgjohej melodia e famshme e Edith Piaf “La vie en Rose”. Fransua Hollande sapo ishte zgjedhur Presidenti i parë socialist për Francën, në këta 16 vjet. Sakaq mori në krah partneren e tij dhe hodhi disa hapa valsi, por të dy ndalën duke menduar se ndoshta po ta tepronin do të dukeshin qesharakë. Më pas grupi i madh i njerëzve që i rrethonte nisi të thërrasë: “Puthje”. Në fakt, ishte Valerie ajo që kishte zgjedhur Piafin si kolonë zanore në këtë rast solemn fitoreje. Ishin zgjedhje që rifutën fizarmonikën në politikën franceze, një mesazh se tashmë në “Elize” ishte rikthyer “njeriu i zakonshëm”. Për sa i përket Valerie-s thuhet se ajo i dha edhe dorën e fundit fjalimit të fitores së partnerit të saj, Hollande. Të dy u ulën bashkë dhe e panë fjalë për fjalë fjalimin. Dhe si për ironi të fatit, gazetarja e politikës që tani ndodhet përkrah Presidentit të Francës, është ajo që në vitin 2004 në një shkrim për Fransua e cilësoi atë “djali i zakonshëm”. Valerie është një grua që mbron me shumë fanatizëm jetën e saj private dhe në këtë pozicion të ri në të cilin ndodhet, sepse aktualisht e gjithë vëmendja është drejtuar tek ajo. Dhe megjithatë, pozicioni i saj është një pozicion që nuk ekziston zyrtarisht në protokollin francez, e megjithatë tashmë ky është një realitet, pra që Zonja e Parë e Francës nuk është bashkëshortja e Presidentit. Dhe duke u nisur nga kjo mund të thuhet se tashmë në pallatin “Elize” ponisnjë traditë e re. Nuk dihet ende nëse ajo do ta vazhdojë apo jo punën e saj si gazetare. Sipas sondazheve të fundit të publikuara në media, francezët në shumicën e tyre duan që ajo të vazhdojë që ta mbajë punën që ka dhe të tregojë se është e pavarur. Por është e vështirë që të bëhet një ndryshim kaq i madh në një vend ku politika shpesh është seksiste. Dhe partnerja e parë e vendit që gjatë fushatës zgjedhore është përballur me disa gjykime jo shumë të “ëmbla” për të cilat e kanë paragjykuar dhe ajo në këto raste madje ka reaguar edhe duke komentuar personalisht fjalët e çuara në adresë të saj. Madje, së fundi një komentator radioje kishte shkruar në “Facebook” këtë koment në lidhje me partneren e Hollande: “Zonja gazetare një këshillë për ju: kur të shkoni në shtrat me meshkuj, bëjeni me mençuri, sepse një ditë ku i dihet mund të jeni edhe Zonjë e Parë e Francës”.

Hollande, 57-vjeçar, një person i moderuar është në fakt një personazh që më të kundërt me Sarkozinë nuk mund ta gjesh. Dhe jo në shumë aspekte, por kryesisht në atë të jetës private. Hollande është i qetë dhe shumë i matur. Madje, Bruni pak para votës presidenciale në një intervistë të saj deklaroi për gazetarët se nëse bashkëshorti i saj nuk do të zgjidhej sërish në krye të vendit, gazetat nuk do të kishin më përse të shkruanin. E megjithatë, jeta personale e Hollande ka qenë gjithmonë më e komplikuar se ajo e Sarkozisë që ka qenë shumëngjyrëshe, por transparente dhe e hapur për të gjithë. Sfida e Hollande tani është që ta menaxhojë pikërisht jetën personale dhe ta shndërrojë atë në një anë të fortë pro vetes. Ndërsa Valerie, 47 veç ka qenë një reportere politike për revistën “Paris Match” për dhjetëra vjet dhe ka mbuluar gjithmonë Partinë Socialiste dhe kjo i ka dhënë mundësi që të njohë mirë politikanët e së shkuarës dhe të së tashmes në detaje dhe në jetët e tyre intime. Kësisoj, Valerie ka njohur mirë jo vetëm partnerin e saj aktual, por edhe ish-partneren e tij, Royal, mamanë e katër fëmijëve të tij. Hollande dhe Royal ishte çifti i famshëm dhe më i fuqishëm politik në Francë deri në momentin kur ata u ndanë. Madje, nga shumëkush ata ishin edhe më të fuqishëm dhe të fortë se çifti Klinton edhe pse nuk vunë kurrë kurorë, sepse martesa u dukej shumë “borgjeze”. Në fillimet e tyre ata ishin shumë pro medias në jetën e tyre private, duke ftuar shpesh kamerat dhe gazetarët në shtëpinë e tyre për të fotografuar momentet kur ishin me fëmijët. Në vitin 1992, Royal në atë kohë ministër qeverie, sapo kishte sjellë në jetë vajzën e saj të parë dhe ishte pikërisht Valerie gazetarja që e mbuloi këtë lajm në median e saj. Fushata e kësaj radhe u karakterizua nga puthje dhe shfaqje afeksioni në publik nga të dy çiftet që konkurruan për Presidencë. Ndërsa ajo e 5 viteve më parë u karakterizua nga ndarja e çifteve. Përkatësisht Sarkozi dhe Royal u ndanë të dy pak muaj pas përfundimit të fushatës elektorale presidenciale dhe shumë shpejt u lidhën me partnerë të tjerë. Sarkozy u divorcua nga bashkëshortja e tij e dytë, Cecilja, e cila e la pak ditë pas betimit presidencial për një burrë tjetër. Ndërsa Royal u nda nga partneri i saj, i cili kishte disa muaj që kishte nisur një lidhje emocionale me një gazetare, me gazetaren, e cila tani është Zonja e Parë e Francës. Marrëdhënia e çiftit të parë aktual nisi në vitin 2005 dhe për shkak të kësaj marrëdhënieje Valeria la bashkëshortin e saj, babanë e tre fëmijëve. Por në atë kohë ky ishte zyrtarisht një sekret i cili doli në dritë vetëm shumë vite më pas. Vetëm pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2007, Royal deklaroi ndarjen nga babai i katër fëmijëve të saj duke i kërkuar Hollande që të largohej nga shtëpia, pasi e kishte marrë vesh lidhjen e tij me gazetaren e politikës. Por politika nuk mund të qëndronte jashtë lidhjes së tyre dhe ndarja e tyre, pra e çiftit më të rëndësishëm të politikës franceze dhe të Partisë Socialiste u pa edhe si një ndarje brenda Partisë Socialiste. Dhe këto konflikte zgjatën deri pak kohë më parë, kur Royal vendosi që të kandidonte kundër Hollande për kandidaturën presidenciale. Por duket se ka pasur ndonjë marrëveshje mes të dyve, sepse çifti i dikurshëm u shfaq paqësor dhe Royal ia hapi me qetësi dhe pa zhurmë rrugën ish-partnerit të saj i cili sot aktualisht është Presidenti i Francës. Duket se të gjitha palët bënë një përpjekje për paqe dhe ranë në një mendje për mbështetjen e Hollande.

Për sa i përket jetës private dhe shfaqjes së saj në publik Hollande duhet që të jetë shumë i kujdesshëm dhe të mos përsërisë gabimet e paraardhësit të tij që e shndërroi jetën personale në një telenovelë të vërtetë, sidomos në vitin e parë të qeverisjes. Goditja e fundit në rënien e popullaritetit të Sarkozisë ishte pikërisht shfaqja e tij prej ylli të Hollivudit me Brunin, të dashurën e tij në Egjipt dhe në vende të tjera të rëndësishme, vetëm pak muaj pas takimit të parë dhe pas divorcit të tij me Ceciljan. Edhe njoftimi i tij në një konferencë shtypi se ai ishte shumë serioz në lidhjen që kishte me Brunin pati një efekt shumë negativ dhe gjithçka u duk si e stisur dhe e sajuar. Gjithë shkëlqimi i 5 viteve të para ishte një disfatë e vërtetë për çiftin presidencial në ikje dhe duke e kuptuar me vonesë këtë gabim fatal, Bruni gjatë fushatës së dytë u përpoq që të jepte idenë e një çifti shumë të thjeshtë dhe të zakonshëm, por tashmë ishte tepër vonë. Francezët e kishin marrë mesazhin dhe asgjëje nuk mund t’i bëhej dermani.Posi do të jetë qëndrimi i zonës së re të pallatit “Elize”. Për nga mosha, profesioni dhe përvoja ajo duhet që të mos bëjë të njëjtat gabime si Bruni. “Unë jam dhe do të mbes një njeri shumë pasionant për sa u përket lajmeve dhe gazetarisë politike. Unë e njoh politikën, e njoh median. Bruni vinte nga një botë krejtësisht e huaj dhe e pangjashme me politikën dhe politikanët dhe ajo domosdoshmërisht i njihte kodet”, ka komentuar së fundi në një intervistë Zonja e Parë e Francës. Por kjo do të thotë nga ana tjetër që ajo do të ketë shumë ndikim te Hollande. Gazetarët për shembull u çuditën kur morën vesh se ajo kishte një zyrë të sajën pranë asaj të Hollande gjatë fushatës elektorale. Menjëherë nisën që të bëhen krahasime me Sarkozinë dhe ish-gruan e tij të dytë, Cecilja, e cila gjithmonë kishte një zyrë të sajën pranë zyrës së të shoqit edhe në periudhën kur ai ishte ministër i Brendshëm i Francës para se të bëhej President i saj. Disa madje nisën që ta quajnë Valerie-n “dukesha”, ajo e ka bërë të ditur se ka një personalitet të fortë dhe se do të vazhdojë që të jetë e tillë edhe gjatë viteve në pallatin “Elize”. Ndërkohë, pritet që të publikojë një libër të sajin në qershor me përshtypje, ese dhe foto nga fushata zgjedhore. Dhe në këtë mënyrë po tenton që ta mbrojë vetveten nga rreziqet e pozicionit të saj të ri. Por nuk është i lehtë ky ndryshim rolesh, sepse për 20 vjet në rolin e gazetares ajo ka qenë në pozicionin e njeriut që vëzhgonte, ndërkohë që tani është në rolin e njeriut që do të jetë në vëzhgim të vazhdueshëm. Hollande dhe Valerie e shprehin lidhjen dhe afeksionin e tyre në publik. Kjo u duk te puthja që i dhanë njëri-tjetrit momentin e fitores, te deklarata e dashurisë që i bëri Hollande publikisht duke e konsideruar Valerie-n “dashuria e jetës sime”, e madje edhe te celulari i cili nxjerr shprehjen “dashuria ime” kur i bie Valerie. Është një çift tashmë në një moshë të pjekur. Të dy kanë një të shkuar tjetër pas shpine dhe e dinë shumë mirë se nuk u mbetet edhe tërë jeta përpara ndaj janë të matur dhe përpiqen që të shijojnë çdo moment. Por Hollande që pretendon të jetë një djalë i zakonshëm ndodhet nën presionin që ta provojë një gjë të tillë. Ai ndërkohë ka shprehur dëshirën që të vazhdojë të jetojë në shtëpinë e tij e jo në pallatin presidencial, i cili ka 370 dhoma dhe 900 veta si staf. Por Hollande dhe partnerja e tij nuk janë të martuar. Ai ka katër fëmijë të rritur me Royal dhe Valeria është divorcuar dy herë dhe ka tre djem adoleshentë. Royal ka deklaruar se asnjë nga fëmijët nuk do të jetë i pranishëm ditën e betimit të Presidentit. Ajo ka deklaruar se është Fransua Hollande ai që është zgjedhur si President, dhe jo familja apo fëmijët.(Gazeta Shqip)
Shtuar më 16/05/2012, ora 12:06

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori