Nga sot do të nisë aplikimi i rregullave të reja për futjen në Greqi, ja cilat janë

Të gjithë qytetarët shqiptarë dhe të huaj që pritën për ditë të tëra për të kaluar në doganën e Kakavijës për në Greqi kanë kaluar kufirin dhe pas mesnate, pika kufitare ishte bosh.

Por, duke filluar nga dita e sotme, Greqia do të fillojë të zbatojë regjimin e ri të hyrjeve në këtë shtet: vetëm 750 persona në ditë nga Kakavija dhe 300 të tjerë nga Kapshtica deri në orën 22:00 ose më saktë, deri në momentin kur kjo kuotë të plotësohet. Të gjithë këta persona duhet të paraqesin testin negative për COVID-19.

Ata që hyjnë në Greqi do të jenë të detyruar të qëndrojnë 7 ditë në karantinë.

POLICIA E SHTETIT: Rikujtesë mbi rregullat e reja për lëvizjen në Pikat Kufitare drejt Greqisë

Policia e Shtetit rikujton të gjithë qytetarët që duan të udhëtojnë në drejtim të Greqisë, se nisur nga masat kufizuese për shkak të COVID-19, duke filluar nga ora 06:00 deri në orën 22:00 të çdo dite në vijim, për të hyrë në Republikën e Greqisë, nëpërmjet PKK Kakavije do të lejohet të kalojnë vetëm 750 shtetas në ditë, ndërsa nga PKK Kapshticë vetëm 300 shtetas në ditë.

Për të hyrë në Republikën e Greqisë prej mëngjesit të datës 17 gusht qytetarët duhet të kenë me vete:

Çertifikatën e kryerjes së testit COVID-19, jo më vonë së 72 orë nga dita e udhëtimit dhe rezultati të jetë NEGATIV;

Testimi të jetë bërë nga autoriteti shtetëror (Instituti i Shëndetësisë) ose nga çdo spital apo klinikë e certifikuar dhe e njohur nga shteti;

Çertifikata të përmbajë të dhënat personale të personit, numrin e pasaportës ose të kartës greke, rezultatin negativ të testit, emrin e Institucionit ku është kryer testimi, adresën, numrin e telefonit, si dhe të jetë e përkthyer në gjuhën angleze;

Do të lejohen të hyjnë në Republikën e Greqisë shtetasit që kanë leje qëndrimi greke ose shtetësi greke, punëtorët sezonalë si dhe çdo shtetas që ka marrë konfirmim nga autoriteti përkatës;

Çdo shtetas që do të hyjë gjithashtu duhet të këtë plotësuar formularin PLF.

Sot, pas komunikimeve të pandërprera me homologët grekë është mundësuar që në PKK Kakavije të vijojë puna me ritëm duke u ardhur në ndihmë qytetarëve që janë në pritje në radhë, për të kaluar në shtetin grek.

Gjithashtu po pas komunikimeve intensive me homologët grekë, në këto momente në Kapshticë ka nisur puna normalisht e do të vijojë deri në orën 22:00 të mbrëmjes, ndërsa nga nesër në orën 06:00 të mëngjesit në të dyja pikat e kalimit do të aplikohen masat e raja anti-COVID.

Policia Kufitare apelon qytetarët që duan të udhëtojnë në drejtim të Greqisë që mos ndërrmarin udhëtime pa pasur me vete dokumentacionin e mësipërm, pasi Policia ka ngritur pika kontrolli në drejtim të Kakavijes si dhe në drejtim të Kapshticës.

Nuk do të lejohet asnjë qytetar që ka qëllim destinacionin final Greqinë të udhëtojë në drejtim të këtyre pikave pa pasur dokumentacionin e nevojshëm.


Shtuar 17.08.2020 06:35