Helmut Kohl, kancelari 4 x 4
Burrështetasi i madh, luftëtari polemizues – si në një xham zmadhues fokusohet skena domethënëse për Helmut Kohlin:Një ditë më parë u hap Muri i Berlinit, tani kancelari Kohl këndon në ballkonin e Bashkisë Schwneberg në Berlinin Perëndimor himnin kombëtar, së bashku me paraardhësin e tij socialdemokrat Willy Brandt dhe ministrin e Jashtëm, Hans-Dietrich Genscher, i shoqëruar nga fishkëllimat e zemëruara të skenës së majtë alternative të qytetit.

Në fjalimet e mëparshme Genscher dhe Brandt kishin thënë se liria e udhëtimit në RDGJ duhet të pasohet tani nga liria politike, qytetarët e RDGJ-së duhet të jenë në gjendje të përcaktojnë të ardhmen e tyre. Helmut Kohl, si oratori i fundit shkon një hap më tej: “Një RDGJ që përparon në reforma për të arritur më shumë liri, e mbështesim pa dyshim për shkak të detyrimit tonë moral për unitetin e kombit tonë gjerman. Bëhet fjalë për Gjermaninë. Është fjala për unitet dhe drejtësi e liri. Rroftë një atdhe i lirë gjerman, rroftë një Europë e lirë dhe e bashkuar!”

Kohl, një europian i bindur. Një atdhe i lirë gjerman, një provokim në veshët e një pjese të të majtëve, të cilëve u dukej kanosëse një Gjermani e madhe nga kujtimet e së shkuarës. Edhe te fqinjët europianë shqetësime të tilla përziheshin me gëzimin e rënies së murit. Kryeministrja britanike, Margaret Thatcher thirri madje një konferencë ekspertësh për natyrën e gjermanëve. Por Kohl ia doli të largonte dyshimet. Me një shëtitje në pyll ai fitoi më në fund miratimin e shefit të Kremlinit, Mikhail Gorbaçov, për bashkimin gjerman dhe për tërheqjen e trupave sovjetike nga RDGJ. Më pak se një vit pas hapjes së murit, në natën nga 2 për 3 tetor 1990 në portën e Brandenburgut, simbolit të ndarjes, arriti të festohej me fishekzjarrë ribashkimi.

Helmut Kohl, siç është thënë shpesh, e ka kapur me zemër mantelin e historisë. Por dëshira e tij e vërtetë ishte gjithmonë një Europë e bashkuar. Si djalë i ri nga Ludvigshafeni në Rin pak pas luftës, ai së bashku me shokët e tij të idealit shkulte hunjtë që shënonin kufirin francez aty pranë. Më vonë si politikan, doktori i historisë nuk mbante asnjë fjalim pa fraza si këto: “Për ne gjermanët, kjo duhet theksuar shumë qartë, vazhdimi konsekuent i politikës të integrimit europian është çështja jetike. Për ne nuk ka alternativë tjetër përveç politikës së integrimit europian”.

Njeri i pushtetit dhe këmbëngulës. Prirja e dytë e Kohlit ishte gjithmonë pushteti. Pushteti për të zbatuar atë që ai mendonte se ishte e drejtë, por ndoshta pushteti edhe si qëllim në vetvete. Që në moshën 29-vjeçare ai hyri në Parlamentin e landit; në moshën 33-vjeçare ai ishte kryetar i grupit parlamentar, më i riu në ndonjë parlament gjerman landi. Gjashtë vjet më vonë ai ishte Kryeministri i landit të tij. Ai kishte qenë dy vjet kryeministër dhe në vitin 1971 aplikoi për postin e kryetarit federal të CDU-së. Në atë kohë ai nuk fitoi ende, por në qershor 1973 Helmut Kohl u bë kryetari i kristiandemokratëve dhe qëndroi i tillë për 25 vjet.

Franz Lambert dhe organoja e tij ishin pjesë e ritualit të kongreseve të partisë CDU të epokës Kohl, si dhe vera e Pfalzit. Natën vonë, Helmut Kohl ulej me qejf pranë Lambertit dhe luante në tastierë. Partia ka qenë gjithmonë baza e tij e pushtetit, shtëpia e tij, siç i pëlqen të thotë. Kohl e njihte partinë në të gjitha degëzimet, u telefononte kryetarëve të partisë në qarqe në fshatra, për t’u uruar ditëlindjen. Kështu pati dështuar edhe një përpjekje për puç brenda partisë në vitin 1989, pas një serie humbjesh të zgjedhjeve në lande. Që kur Kohl mori postin e kryetarit të partisë në vitet shtatëdhjetë, qëllimi i tij i vërtetë ishte: “Unë dua të bëhem kancelari, unë dua të fitoj zgjedhjet dhe të bëhem kancelar.”

Ai për pak e arriti këtë që në vitin 1976. Me shumë pak diferencë fitoi koalicioni i Helmut Schmidt-it me PSD dhe liberalët. Përkohësisht u duk sikur baza e pushtetit të Kohlit po tronditej. Franz-Josef Strauss, kryetari elokuent i partisë motër bavareze CSU, arriti të dalë në vitin 1980 kandidat i përbashkët për kancelar i partive të Unionit. Kohl e mbështeti atë besnikërisht gjatë fushatës zgjedhore, por Strauss nuk arriti të fitojë.

Që nga ai moment Kohl ishte udhëheqësi i padiskutueshëm i opozitës. Dhe kur në vitin 1982 një kongres i partisë SPD-së i refuzoi kancelarit të vet Helmut Schmidt mbështetjen në çështje të rëndësishme të politikës së jashtme dhe financiare dhe si rezultat edhe partneri në koalicion, liberalët, u distancuan nga socialdemokratët, aty Kohl rrëmbeu pushtetin.

Kohl vë theksa të rinj në politikën ekonomike dhe sociale. Ai krijoi një koalicion të ri me liberalët dhe përmbysi Schmidt-in. Në deklaratën e tij qeveritare në tetor 1982, Helmut Kohl njoftoi “tranzicionin shpirtëror dhe moral” dhe i shpalli luftën gjithçkaje, për të cilën ishte e majta në Gjermani: “Ne jemi të bindur se iniciativa e lirë dhe rendimenti për secilin e për të tërën janë më mirë se kontrolli dhe dominimi shtetëror. Ne kemi besim te qytetari, i cili e merr të ardhmen e tij në duart e veta”.

zgjedhjet e parakohshme të Bundestagut në janar 1983, pas një fushate të ashpër Kohl mundi të shënojë një fitore vendimtare. Pastaj qeveria e tij vuri theksa të rinj në politikën ekonomike dhe sociale. Borxhi jashtëzakonisht i lartë vjetor i shtetit ra. Por papunësinë as Kohl nuk e vuri dot nën kontroll. Pakënaqësia në rritje çoi në vitin 1987 në një rezultat shumë më të keq zgjedhor dhe në vitin 1990 Kohl do të kishte humbur, sikur të mos ishte ribashkimi gjerman.

I nënvlerësoi shpenzimet e ribashkimit. Me gjithë meritën e madhe për bashkimin e kësaj Gjermanie, shpenzimet që do të vinin ai i nënvlerësoi krejtësisht. Dhe kështu financat e shtetit dolën gjithnjë e më shumë jashtë kontrollit dhe pas një bumi të shkurtër të ribashkimit edhe papunësia u rrit. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1994, Kohl, megjithëse kishte një rival të dobët, mezi arriti të fitojë. Në vitin 1998, ai nuk kishte më asnjë shans.

“Ne kemi kandiduar dhe unë kam kandiduar, për të fituar zgjedhjet. Ne i kemi humbur zgjedhjet. Është krejtësisht e qartë se socialdemokratët dhe të kuq e gjelbrit kanë fituar zgjedhjet. Në këtë rezultat nuk ka absolutisht asgjë për të diskutuar. Dhe prandaj unë përfitoj nga rasti për t’i thënë kryeministrit Gerhard Shrëder: I uroj në interes të vendit tonë një dorë të mbarë në këtë detyrë të re, të rëndësishme që merr përsipër”. (MAPO)
Shtuar më 02/10/2012, ora 16:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori