Francezët bien në dashuri me një grabitës banke
Antiheroi

David Chazan, BBC


Një film i shfaqur për herë të parë këtë javë, tregon historinë e vërtetë të një grabitësi që vodhi miliona euro nga një makinë e blinduar. Shumë francezë besojnë se ai është trajtuar tepër ashpër – dhe janë të zemëruar për faktin se politikanë të lartë thyejnë ligjin, por nuk përfundojnë kurrë në burg.

Për sa u takon heronjve popullorë, Toni Musulin përbën një kandidat të pazakontë. Një shofer mezoburrë i një makine të blinduar, as i bukur dhe as karizmatik, ai flet shumë pak se qe ngushtë për para.

Ai u ndje në kurth nga një punë e vdekur, në këmbët e bosëve të mëdhenj dhe besonte se meritonte më shumë. Pavarësisht pagesës së tij të ulët, ai ia doli të blejë për vete një Ferrari të përdorur, por e mbajti atë sekret nga shokët e punës dhe dilte në xhiro me të çdo mëngjes.

Musulin dukej se qe një punonjës model, gjithmonë në orar dhe pothuajse kurrë i sëmurë, por një ditë, katër vjet më parë, doli nga ky rol. Priti derisa dy kolegët e tij dolën nga furgoni dhe papritur u largua së bashku me 11.6 milionë euro të thata nga Banque de France.

Gazetat e cilësuan si vjedhja e shekullit dhe, në vend që të dënohej, ai u bë një legjendë.

Ai nuk është tamam-tamam lloji i keqbërësit simpatik siç është rasti i Ronald Biggs në Britani, i njohur për vjedhjen e madhe të trenit dhe ndryshe nga grabitësit e trenit, ai nuk përdori dhunë.

Në një kohë zemërimi publik ndaj bankave shkatërrimtare, rritjes së papunësisë dhe korrupsionit politik, Toni Musulin u bë personazh i një kënge pop si një figurë e ngjashme me Robin Hudin. Më 2010, ai u dënua me tre vjet burg nga një gjykatë në Lion.

Një film simpatik për të dhe grabitjen e tij u shfaq në Francë këtë javë – me premierë pikërisht ditën kur qeveria u zhyt në krizë nga zbulimi se një ish-ministër pati fshehur 600 mijë euro në një llogari bankare në Zvicër.

Unë shkova ta shoh filmin ditën pasi Jerome Cahuzac – njeriu që u ngarkua nga Presidenti Francois Hollande për të luftuar evazionin fiskal – pranoi se kishte kryer vetë evazion fiskal.

Audienca e kinemasë shpërtheu në duartrokitje kur Musulin iku me paratë.

Të gjithë dukej se qenë në anën e tij – kundër bankave, kundër multinacionaleve dhe kundër politikanëve. Filmi përfundon me një këngë rep që lavdëron Musulin për faktin që i mori paratë pa dëmtuar askënd. Ndërsa dritat në kinema u ndezën, pashë fytyra që buzëqeshnin gjithandej.

Pyeta disa njerëz se çfarë mendonin për të. “Ajo çfarë bëri duhej të ndodhte”, më tha një grua. Një burrë pranë saj e përshëndeti veprimin e Musulin, por tha se nuk fliste dot, pasi ai vetë punonte për bankën.

Edhe në një vend ku politika e skandaleve është e zakonshme, zbulimi se taksidari pati bërë evazion fiskal për shumë kohë, e ka çuar zemërimin në nivele të larta. Njerëzit ndihen dy herë të mashtruar për shkak se Hollande erdhi në pushtet një vit më parë, pikërisht me premtimin për të pastruar politikën franceze.

Musulin kaloi katër vitet e fundit në burg, ndërkohë që asnjë politikan i lartë që është zbuluar se ka shkelur ligjin, nuk është burgosur kurrë. Kur ish-presidenti Jacques Chirac u dënua dy vjet më parë për keqpërdorim të fondeve publike, ai mori një dënim me burg, por me masë të pezulluar. Francezët dëshirojnë që tashmë të mbyllet epoka e kulturës së pandëshkueshmërisë.

Të rinjtë kanë tendencën të krahasojnë politikanët francezë me ato britanikë, gjermanë apo amerikanë, ku korrupsioni është më pak i toleruar. Shumë besojnë se politikanët janë fajtorë për gjëra shumë më të mëdha sesa Musulin, i cili tashmë pothuajse e ka mbyllur dënimin.

Avokatët e tij shpresojnë se do të lirohet nga fundi i këtij viti, por historia nuk mbaron me pak. Nga paratë që ai vodhi, rreth 2.5 milionë euro nuk kanë zbuluar kurrë. Policia zbuloi pjesën tjetër në një garazh dhe dyshon se hajduti i la ato qëllimisht aty për t’u zbuluar ndërsa fshehu pjesën tjetër gjetkë.

Musulin këmbëngul se i la të gjitha paratë në garazh dhe pretendon se nuk ia ka idenë se çfarë ndodhi me pjesën e humbur. Por hetuesit mendojnë se ai e ka planifikuar gjithçka që në fillim dhe se kjo është arsyeja se pse u dorëzua vetë me qetësi pas më pak se dy javësh arrati. Ai e dinte se do të dënohej vetëm me pak muaj burg për vjedhje pa dhunë.

Një prokuror është betuar se do të vijojë ta ndjekë, pasi ai të lirohet. Dhe nëse prokurori e kap atë bashkë me paratë, ka shumë gjasa që shumë njerëzve në Francë do t’u vijë keq për të. (Shqip)
Shtuar më 10/04/2013, ora 16:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori