Europa e Jugut në “gjumë”, por edhe për sa kohë ende?
Pjesa më e madhe e popujve të Europës Jugore, në mënyrë të çuditshme kanë qëndruar me stoicizëm, pas marrjes së disa prej masave më të ashpra të reduktimit të shpenzimeve nga qeveritë e tyre, masa të dhimbshme, që kanë ndikuar në kushtet e jetesës. Por shenjat tashmë po tregojnë se durimit po i vjen fundi.

Një grevë e përgjithshme, krejt e papritur në Spanjë të enjten që kaloi dhe kundërshtia në rritje ndaj Kryeministrit italian Monti janë disa nga treguesit që flasin për rritje të rezistencës popullore në një rajon që është në qendër të shqetësimit dhe të krizës së euros. Për momentin, Portugalia është e nënshtruar dhe madje, edhe Greqia. Skenat e shpërthimeve të dhunshme në rrugë duket se janë zhdukur nga lajmet dhe nga realiteti i përditshëm. Por ka sinjale që liderët politikë do të jenë shumë shpejt në linjën e zjarrit në të gjithë Europën, veçanërisht nëse do të kërkohen shkurtime të tjera të shpenzimeve për të reduktuar borxhin e lartë.

Atmosfera duket një kombinim i dy tendencave të kundërta: pranimit të mesazhit që reduktimi i borxhit kërkon sakrifica të mëdha nga të gjithë dhe të rritjes së ndjesisë që një dhimbje më e madhe ekonomike nuk mund të mbahet më nga popullatat që po vuajnë prej kaq vitesh. Problemi i politikanëve si Monti i Italisë dhe Rajoy i Spanjës është se masat shtrënguese për të reduktuar borxhin nën presionin e liderëve të vendeve më të fuqishme të Eurozonës mund të thellojnë recesionin dhe të krijojnë një nevojë për reduktime të mëtejshme edhe më të ashpra. Kanë mbetur shumë muaj përpara se reformat të tregojnë përfitimet e tyre dhe gjatë kësaj kohe, njerëzit me durimin e sotëm ose do të tregohen të pamëshirshëm në kutitë e votimit, ose do të dalin në rrugë në protesta masive. Investitorët kanë nisur sërish që të shfaqin shqetësime për vështirësitë ekonomike, por edhe me situatën politike të acaruar si në Spanjë, edhe në Itali, me interesat e bonos që kanë filluar të rriten, pas një qetësimi të pësuar në fillim të vitit. Sipas disa ekspertëve ka një lloj pranimi nga ana e popullsive, por pranimi i deritanishëm i situatës nuk është në një pozicion ekuilibri të stabilizuar. Njerëzit janë ngopur me fajësimin që u bëhet në mënyrë të vazhdueshme për situatën në të cilën ndodhen, e cila është e tmerrshme. Popullatat do të ishin të gatshme që të pezullonin gjykimet ndaj liderëve të tyre politikë dhe të pranonin sakrificat nëse do të besonin në të vërtetë që përfitimet do të ishin afatgjatë.

Sipas profesorit Erik Jones të Universitetit të Bolonjës kanë mbetur vetëm pak muaj që votuesit, pra njerëzit të shohin realisht atë që ka ndodhur me ta. Në momentin e ndërgjegjësimit, ata ose do të reagojnë ashpër në kutitë e votimit, ose do të dalin në rrugë, të nxitur nga niveli i lartë i pakënaqësisë dhe këtë do ta bëjnë në formën e grevave, apo mosbindjeve të tjera civile. Jean-Paul Fitoussi, profesor i ekonomisë në Paris, u shpreh në një konferencë për biznesin, para gazetarëve, se masat e shtrëngimit të shpenzimeve janë një mënyrë e rrezikshme që mund të shkaktojnë trazira sociale, në një moment të caktuar. Shumë spanjollë duket se janë tërhequr dhe i janë nënshtruar “shtrëngimit të rripit” që u ka vënë qeveria, e cila u zgjodh në nëntor pas një fitoreje të bujshme. Të premten, qeveria njoftoi se kishte ndërmend që të kursente edhe 27 miliardë euro nga buxheti i qeverisë qendrore ose e barabartë kjo me 2.3% të Prodhimit Kombëtar Bruto. Një sondazh i fundit nxori në pah se spanjollët e rritur do t’i pranojnë reduktimet në shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe ato të arsimit, por vetëm nëse këto masa do të sillnin sërish ekonominë në një moment pozitiv. Sindikatat përfaqësojnë vetëm një të pestën e punëtorëve në këtë vend dhe shumë njerëz nuk iu bashkuan grevës së përgjithshme të enjten, nga frika se mos humbisnin vendin e punës. Megjithatë greva kishte ndikim më të madh se revoltat e së shkuarës në shesh, shenjë që mund të thotë se spanjollëve mund t’u ketë sosur durimi, të cilët po përballen me përqindjen më të lartë të papunësisë në të gjithë vendet e Bashkimit Europian. Megjithatë pjesëmarrja në këtë grevë ishte e madhe. Pati edhe shumë përplasje mes forcave të rendit dhe grevistëve e protestuesve. “Ka shumë njerëz që i presin dhe i durojnë reformat e dhimbshme ekonomike, duke i cilësuar si një lloj dënimi hyjnor. Por kur papunësia e kalon çdo lloj mase, protestat është e pamundur që t’i ndalësh”, thotë Antonio Garcia Rubio, ekonomist në “United Left”, një parti e majtë që doli mirë në zgjedhjet e fundit në nëntorin e kaluar. Rajoy gjithashtu pësoi goditje në zgjedhjet rajonale në Andaluzi, më 25 mars, një shenjë tjetër kjo se mundësia e tij për të manovruar nuk është më aq e madhe sa mund të mendohej kohë më parë.

Fundi “i muajit të mjaltit” të Montit

Në Itali, ish-komisioneri i Komisionit Europian, tashmë Kryeministri Monti ka marrë mbështetje dhe vlerësime të mëdha nga vendet e pasura dhe të fuqishme të Europës, për mënyrën se si e menaxhoi krizën, kryesisht për ekspertizën ekomomike dhe për veprimet e ndërmarra. Por edhe ai, së fundi ndodhet në telashe në lidhje për një reformë të punës, që është në qendër të programit të tij për ta rindezur motorin e rritjes ekonomike të Italisë. Sindikatat janë duke planifikuar protesta dhe një grevë të përgjithshme dhe ndërkohë, sipas sondazheve, mbështetja e tij dikur shumë e madhe ka nisur që të bjerë dhe ai vetë është përfshirë në një sherr me partitë politike, te të cilat varet shumë në rastin e miratimit të ligjeve të reja në Parlament. Problemet politike janë pjesërisht për shkak të zgjedhjeve të pjesshme lokale në muajin maj. Politikanët janë të përfshirë nga ankthi dhe dëshira për të dalë nga hija e qeverisë teknokrate që u vendos në Itali pas largimit të asaj të Berluskonit. Njëherazi këto zgjedhje janë të rëndësishme edhe për performancën e partive politikezgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në pranverën e vitit të ardhshëm. Politikanët ka shumë të ngjarë të jenë në të njëjtën situatë edhe në Greqi, ku zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen më 6 maj. Kjo sepse vendi sërish ka ulur ndjeshëm pensionet, pagat, shërbimet e ndryshme dhe të gjitha për të përfituar paketën e dytë të shpëtimit financiar të dhënë nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Së fundi, ndryshe nga fillimi i vitit, kur pati protesta të mëdha e me pasoja për vendin, Greqia po përjeton një gjendje qetësie. Grekët duket se janë duke pritur zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme, për të dënuar klasën politike në tërësi. Sipas sondazheve, pritet që të paktën një e treta e votuesve të abstenojnë në këto votime. Njerëzit e shohin se edhe pse kanë kaluar gjithë verës së kaluar duke protestuar para Parlamentit, nuk kanë arritur që të pengojnë asnjë nga planet e qeverisë dhe situata sa vjen e po përkeqësohet. “Shkofshin në djall gjithë politikanët. Ne duhet që t’i dënojmë ata me votën tonë në zgjedhje”, thotë një punëtor grek i revoltuar. Ndërsa ata që janë më të tërhequrit në gjithë këtë situatë janë portugezët. Ata bënë vetëm një protestë të vogël më 22 mars, por ajo pati ndikim shumë të vogël ekonomik dhe sigurisht që nuk zgjidhi asgjë. E megjithatë, janë të shumtë sociologët që thonë se atmosfera e qetësisë dhe e nënshtrimit nuk mund të zgjasë shumë. Pakënaqësia është kudo, edhe pse për momentin, e fshehur dhe e fjetur deri-diku dhe nëse nuk do të ketë shenja të përmirësimit të situatës, atëherë gjërat do të ndryshojnë. Veçanërisht nëse do të merren masa të tjera shtrënguese. Tabloja nëpër Europë është e tillë që socialisht dhe politikisht njerëzit po e pranojnë situatën, por nuk po shohin dritë në fund të tunelit. Ata duhet të shohin rritje ekonomike, shtim të punësimit e përmirësim të situatave të tjera, ndryshe do të rinisin demonstratat, përplasjet dhe rëniet e qeverive…
(Gazeta Shqip)
Shtuar më 03/04/2012, ora 14:28

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori