"Duhet rimendojmë të gjithë modelin tonë social”
Në një intervistë të fundit, komisionerja europiane e drejtësisë, Viviane Reding, 60 vjeç dhe ministrja gjermane e Familjes, Kristina Schroder, 34 vjeç diskutojnë për dominimin mashkullor në sferat e larta të vendimmarrjes dhe kuotën gjinore. Ato nuk janë dakord me nevojën e një kuote shtrënguese, por të dyja duan që të shohin sa më shumë gra në pozitat drejtuese.

Zonja komisionere, përse ka nevojë Europa për një kuotë gjinore?

Reding: Për tri arsye. Së pari, sepse ka shumë studime që tregojnë se kompanitë e drejtuara nga gratë operojnë në mënyrë më të suksesshme. Dhe janë studime të cilat nuk vijnë nga lobet feministe, por nga institucione të tilla financiare si “Deutsche Bank”, “McKinsey” e të tjera. Argumenti i dytë është se 60% e të diplomuarve nga universitetet janë femra aktualisht. Dhe arsyeja e tretë është çështje drejtësie që këto femra më në fund të marrin atë që u takon me pozicione në krye të kompanive apo ndërmarrjeve e institucioneve të tjera. Një tjetër argument është se grupet me përqindje të lartë lindjeje janë duke shkuar drejt pensionit dhe ne nuk mund të bëjmë pa pjesëmarrjen e grave të reja.

Ministre Schreder, përse mendoni se Gjermania nuk ka nevojë për kuotë?

Schroder: Më vjen paksa çuditshëm që të mendoj në termat e kolektivitetit gjinor. Në sipërfaqe, një kuotë mund të stimulojë drejtësi, por në fakt, ajo tenton që të nxisë padrejtësinë për individët në vend që ta eliminojë atë. Unë mendoj se është absurde që imponosh një kuotë uniforme në kompani të ndryshme që variojnë nga ato për shembull të çelikut e deri te media. Arsyeja për praninë e kufizuar të femrave në postet drejtuese është se ekzekutivët e lartë pritet që të punojnë 70 deri 80 orë në javë. Kjo mban larg pozicioneve të tilla të gjithë ata që kanë detyrime familjare. Dhe për sa u takon femrave të diplomuara asnjëra prej tyre nuk ka shans që të shkojë drejtpërsëdrejti nga bankat e shkollës në një post drejtues.

Reding: Mënyra se si e thotë ministrja duket sikur me anë të kuotave duam që t’i çojmë gratë me forcë në pozicione drejtuese. Problemi është se e dimë fare mirë se janë të shumta gratë që duan dhe meritojnë që të kenë poste drejtuese, por pengohen në këtë drejtim. Unë personalisht kam folur me shumë kompani në të gjithë Europën dhe nga të gjithë më është thënë: “Jemi duke u përpjekur të zgjidhim problemin”, por thuajse asgjë nuk është arritur deri më tani. Numri i grave në bordet mbikëqyrëse dhe ato ekzekutive është rritur vitin e fundit nga 12 deri në 14%. Për mua kjo përqindje është shumë e ulët.

Si i shihni kuotat konkretisht ju zonja, Reding?

Reding: Dua të shoh që deri në vitin 2020 gratë të përbëjnë 40% të bordeve mbikëqyrëse të kompanive më të rëndësishme.

Schroeder: Le të imagjinojmë një ndërmarrje të rëndësishme me një bord që përbëhet nga tre anëtarë. Çfarë supozohet që të bëjë kjo kompani nëse do të futen kuotat? Nëse nuk ka një grua të përshtatshme në të gjithë kompaninë për këtë pozicion atëherë kompania do të detyrohet që ta kërkojë gjetkë këtë grua në mënyrë që të lejohet që të promovojë, për shembull një shef departamenti që ka punuar për kompaninë për 40 vjet me radhë?

Reding: Ky është një argument i rremë. Unë njoh shefen ekzekutive të “ArcelorMittal” në Afrikën e Jugut. Ajo është një grua që ka arritur të shkojë në majë në industrinë e çelikut. Veç kësaj, kuota ime parashikohet që të aplikohet edhe në rastet e bordeve mbikëqyrëse, detyra e të cilëve është monitorimi i politikave të korporatave që është diçka që mund ta bësh edhe pa qenë nevoja që të jesh inxhinier.

Schroeder: Jam e çuditur nga ky fokus në lidhje me bordin mbikëqyrës, sepse bëhet fjalë thjesht për simbolikë. Ne duhet që të promovojmë mënyra të reja të të menduarit të bordeve ekzekutive, sepse kultura e korporatave nuk formëzohet në bordet mbikëqyrëse.

Reding: Shumë mirë. Pra unë pres tani që ju të vendosni dy gjëra mbi tryezë: një kuotë për bordin ekzekutiv dhe një për bordin mbikëqyrës. Ky po që do të ishte progres.

Schroeder: Po por thelbi i çështjes nuk është që të detyrohen gratë të vendosen në strukturat që dominohen nga meshkujt. Në vend të kësaj ne duhet që të ndryshojmë vetë strukturat brenda kompanive. Shumë gra duan si të kenë një karrierë, ashtu edhe të kalojnë kohë me familjet e tyre.

Reding: Më duket se duam të njëjtën gjë.

Schroeder: Pikërisht, sepse unë zakonisht dua që njerëzit që kanë obligime familjare të jenë mirë edhe nga ana profesionale. Dua që të detyroj kompanitë që merren me çështjen e rritjes së vazhdueshme të përqindjes së grave në orën e punës. Nëse ato nuk do të mund të mbarojnë objektivat dhe detyrat që u janë vënë duhet të përballen me sanksione. Ky është thelbi i teorisë sime të kuotës fleksibël.

Reding: Por shembulli gjerman, veçanërisht, tregon se zotimet personale pa një nxitje nuk janë me efekt. Sigurisht që duhet t’i ndihmojmë gratë dhe burrat që të gjejnë një mënyrë për të bërë edhe punën e për të qenë dhe pranë familjes. Ja përse është e nevojshme rritja e kapacitetit të kujdesit për fëmijët, një zonë në të cilën Gjermania renditet shumë mbrapa krahasuar me vende të tjera europiane.

Zonja Reding, Presidenti i Komisionit Europian, Barrozo, është burrë dhe po ashtu është burrë edhe Presidenti i Këshillit të Europës, Herman van Roumpy, dhe Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz. A nuk duhet që më parë të vendosni rregulla të reja në shtëpinë tuaj para se të merreni me kuotat e vendeve të tjera?

Reding: Ju quani përgjegjës Komisionin Europian për faktin se 27 krerët e shteteve që e përbëjnë komisionin kanë zgjedhur meshkuj për detyrat më të larta. Unë nuk marr përgjegjësi për një gjë të tillë. Në fakt, ne e mbajmë në rregull shtëpinë tonë dhe jemi shumë efikasë në lidhje me këtë. Nëntë nga 27 anëtarët e komisionit janë aktualisht gradë dhe ky shembull përbën edhe modelin më të mirë të shpërndarjes së gjinive që është arritur ndonjëherë. Ndërkaq, gratë e kualifikuara shumë përbëjnë 50% të drejtuesve nën varësinë time. Aktualisht, 10 anëtare të Bashkimit Europian kanë rregullimin e kuotave, ndërkohë që të tjerët nuk e kanë. Ajo që duhet është një kornizë ligjore e qartë dhe është diçka për të cilën kemi nevojë menjëherë. Ka shumë mama që kanë pasur një karrierë dhe është e padrejtë që të thuhet se vetëm gratë pa familje mund të arrijnë majat.

Schroder: Unë në fillim kam përfituar nga kuotat kur partia më mbështeti si kandidate për në Bundestag në vitin 2002 dhe njerëzit ende ma përmendin këtë rast si një argument kundër meje sikur aftësitë e mia të mos vlenin fare në atë kohë.

Reding: Në karrierën time unë gjithmonë kam përfituar nga fakti që në politikë ka pasur gjithmonë shumë pak gra. Gratë duhet që të kenë të njëjtat të drejta në bordet mbikëqyrëse sikundër edhe burrat dhe shpresoj se do të jetoj deri në ditën që kjo do të ndodhë pra kur të kemi një shoqëri në të cilën për të zënë një vend pune nuk ka më rëndësi nëse je një burrë, apo një grua. Si mund të shkohet aty? Unë si komisionere europiane do të bëj gjithçka për të futur kuotën në bordet mbikëqyrëse.

Reding: Unë jam e bindur që edhe pa instruksione nga Brukseli do të gjejmë një zgjidhje të mirë në mënyrë që njerëzit të kenë një jetë familjare dhe të ndjekin edhe karrierën e tyre.
(Gazeta Shqip)
Shtuar më 29/03/2012, ora 13:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori