DOSSIER/ Si e arrestoi Sali Berisha, Arben Ristanin
Pëlqej
Nga Lorenc Vangjeli - Çfarë e ka mbajtur peng nga e shkuara ish-kryetarin e KQZ-së, Arben Ristani. Jeta plot dritë-hije e juristit të njohur që PS e konsideron shkaktar të prishjes së standardeve zgjedhore, historitë e tij të vjetra me dy presidentë, Sali Berishën e Alfred Moisiun. Marrëdhëniet e vjetra të ish-gjyqtarit Ristani me shtypin dhe si mbërriti nga drejtimi i sallave të gjyqit në qelitë e burgut si i dënuar penalisht. Një portret i paautorizuar i kreut të KQZ-së.

Zemërata e Berishës
Gjyqtarët e vjetër komunistë u përfshinë në vitin 1992, – vit kur Ristani dhe një grup i madh kolegësh të tij mbaruan universitetin, – në një valë shkarkimesh nga detyra. Vakuumi i krijuar nisi të mbushej me studentë që sapo kishin mbaruar fakultetin dhe një vit më pas, edhe me juristët e “përshpejtuar” të dalë në seri nga serra e shkollës së Plepave, në Durrës.

Konkurrenca me ta ishte fare e lehtë për t´u fituar dhe për herë të parë, me firmën e ish-presidentit Berisha, Ristani emërohet gjyqtar në Gjykatën e Tiranës në vitin 1992. Tre vjet rresht gjyqtar dhe pedagog i jashtëm në universitetin që sapo kishte mbaruar, kjo ishte një karrierë për t´u pasur zili, por normale për atë kohë.

Deri sa fati do të shënonte ditë të zeza, krejt papritur edhe për atë që dukej si i shënjuari vetëm i ditëve të bardha. Në vjeshtën e vitit 1993, Aleksandër Frangaj, atëherë kryeredaktor kurajoz i “Koha Jonë”, detyrohet të kalojë në arrest shtëpie në Lezhë, në pritje të gjykimit të tij penal: akuza, kishte nxjerrë sekretin shtetëror për kalimin e një autokolone me tanke drejt veriut të Shqipërisë. Në Shqipërinë e atëhershme, me një president të konsideruar më tej ai armik i shtypit, ky ishte një mëkat i frikshëm.

Frangaj do të gjykohej në Lezhë, ku kishte shkuar për ta gjykuar si i komanduar pikërisht gjyqtari i ri Ristani. Avokat mbrojtës i Frangajt, ishte Spartak Ngjela. Në një sallë të mbushur me kolegë të Frangajt dhe deputetë të opozitës, Ngjela foli gjatë, pa harruar madje as “të drejtën anglo-saksone” dhe e “hutoi” prokurorin lokal që mbronte akuzën, i cili madje tërhiqet prej saj.

Frangaj fiton pafajësinë e firmosur nga Ristani, kurse ky i fundit, fiton mërinë e ish-presidentit Berisha. Që për një përkitje të rastit, ishte dhe fqinj me Ristanin në apartamentin e tij të vjetër në Brakë.

Ky ishte dhe momenti që e ndau njeriun më të fuqishëm të vendit, me juristin që dukej se kishte një të ardhme të garantuar. Një ndarje që në fakt do të vazhdonte gjatë, me vite dhe do të kalonte dhe mes problemesh shumë më të rënda se kaq. Sepse ky do të ishte vetëm fillimi.
>
Ajo që do të vijonte, do t´i ngjante si një kurdisjeje fatkeqe rrethanash, po ashtu dhe një loje ku më i dobëti do të priste vetëm faljen nga më i forti që nuk harron kurrë. Deri në ditën, kur të paktën, sipas kritikëve të tij nga PS-ja, do të bënte shërbimin e jetës për Berishën.

Arrestimi
Në mesin e viteve ’90, shtypi kritik ishte shndërruar përfundimisht në shqetësimin e pafundmë të ish-presidentit Berisha. Basti i tij me botuesin Nikollë Lesi dhe drejtuesit e saj, Aleksandër Frangaj dhe Martin Leka, do të vazhdonte dhe më tej. Thjesht pritej rasti për të rigoditur. Dhe ai erdhi me një padi të bërë nga ministria e Mbrojtjes, e drejtuar atëherë nga i ndjeri Safet Zhulali.

“Të dënohet me burg kryeredaktori Frangaj dhe gazetari Leka që kanë nxjerrë sekretin ushtarak-shtetëror”. Sot tingëllon qesharake se sekret atëherë quhej fakti që oficerët ishin të detyruar të linin armatimin e tyre personal në repart dhe se nuk mund ta merrnin më, si më parë, në apartamentet e tyre vetjake.

Të dy gazetarët arrestohen dhe në prill 1994 dalin në gjyq. Gjyqtar i tyre ishte sërish Ristani. Vetëm 25 vjeçar, Ristani do të gjykonte kështu procesin më të rëndësishëm të jetës së tij, do të gjykonte për fajësinë a pafajësinë e dy, pothuaj, bashkëmoshatarëve të tij. Natyrisht ishte nën një presion të madh: nga njëra anë shtypi opozitar, por dhe ai ndërkombëtar, shoqatat e gazetarëve vendase dhe të huaja, institucionet e të drejtave të njeriut dhe nga ana tjetër, “fqinji” i pushtetshëm në rrugën e Brakës që i donte me çdo kusht në burg gazetarët.

Dhe sa kohë që vazhdon procesi, një tjetër element hyn në lojë: Nikollë Lesi bën një lëvizje “të dëshpëruar”. E fton Ristanin në një lokal dhe në këmbim të pafajësisë së gazetarëve të tij, afron madje dhe një shpërblim. Ristani nuk pranon, ai e refuzon fort këtë ofertë, por si njeri, kishte dhe ai dobësitë e tij. I kërkon Lesit ta ndihmojë me dy viza greke për të afërmit e tij. Ajo çfarë nuk dinte Ristani dhe Lesi, ishte që në tryezën pranë tyre, agjentë të SHIK-ut të drejtuar atëherë nga Gazidede, kishin xhiruar dhe fotografuar gjithçka. Madje, dhe momentin e dorëzimit të pasaportave.

Nuk mund të thuhet me saktësi sesa ka ndikuar ky “nder” i Lesit tek vendimmarrja e Ristanit, por vendimi i firmosur prej tij nuk do të kënaqte Berishën. I cili, megjithatë, bën një veprim të pamendueshëm për karakterin e tij të rrëmbyer në atë kohë: ndonëse njoftohet në moment për rezultatin e përgjimit të gjyqtarit Ristani, ai nuk ngutet. Pret dhe në fakt nuk pret shumë. Ose më saktë, jo më shumë se dy apo tre javë. Kur një short “fatkeq” e detyron Ristanin të gjykojë një tjetër çështje të nxehtë.

Një anije e kapur me naftë kontrabandë pret vetëm firmën e tij që të dalë nga gjendja e sekuestrit në portin e Durrësit. Ai e bëri këtë dhe vetëm dy ditë më pas, ndërsa Ristani mbahet i mbyllur në një mbledhje që zgjat më shumë se tre orë në gjykatën e Tiranës, në cepin tjetër të saj, në apartamentin e tij në Brakë, kishte mbërritur policia dhe agjentët e SHIK-ut me një mandat për kontrollin e tij.

Kërkonin për para të fshehura, që duhet të ishin shpërblimi i mundshëm për lirimin e anijes me naftë. Gjërat rrokullisen në një mënyrë të rrufeshme poshtë e më poshtë. Ristani arrestohet nën akuzën e shpërdorimit të detyrës – dhënien e një vendimi haptazi të paligjshëm dhe një mitmarrjeje të pavërtetuar. Qëndron vetëm pak kohë në qeli me të njëjtit njerëz që i kishte dënuar vetë më parë nga pozicioni i gjykatësit.

Ndonëse nuk pranon asgjë në proces, vendimi për të ishte marrë: dënohet me burg me një vit heqje lirie, vendim që i kthehet me kusht për dy vjet. Dhe i rikthehet liria. Duket se dhe në këtë pikë, dora e “fqinjit” ishte ndalur pikërisht në “hedhjen e lopatës së fundit me dhe” mbi një karrierë të shkatërruar dhe një jetë njerëzore të frakturuar dhembshëm.

Por fati, edhe në këtë rast, nuk e kishte harruar Ristanin. Për të, pas rënies së thellë, do të kishte sërish ngjitje, madje të bujshme. Deri në vitin 1997 do të ishte avokat dhe do të mbronte dhe një tjetër personazh të njohur të kohës. Ristani do të mbronte me sukses të pjesshëm Ilir Hoxhën, të birin e Enver Hoxhës, të akuzuar në mënyrë qesharake, sepse kishte guxuar të mbronte të atin në një gazetë periferike të kohës.

Kaq dukej se do të mbushte kupën në mërinë e tij me “fqinjin” president, por ndërkohë kishte ardhur viti 1997, kur ish-presidenti kishte halle shumë më të mëdha për veten e tij. Madje, edhe atë të gjetjes së një avokati personal. Ristani rifutet në shërbim shtetëror, kësaj radhe si inspektor në ministrinë e Drejtësisë, deri në vitin 1998, më pas kalon katër vjet të tjerë në profesion të lirë si avokat deri në momentin kur fati i keq duket se i kishte perënduar përfundimisht.

Tek presidenti tjetër
Një tjetër ish-president do të behej fati i tij i mirë dhe i keq në të njëjtën kohë për juristin me halle. Alfred Moisiu do t´u besonte rekomandimeve të jashtëzakonshme për juristin e aftë dhe do ta ftonte Ristanin në kabinetin e tij të ngushtë me detyrën e këshilltarit juridik. E kaluara dukej se ishte harruar dhe se për ish-avokatin karriera do të rridhte e qetë në paradhomën komode të një presidenti të zgjedhur me konsensus dhe që e pëlqenin të gjitha palët. Por, dhe kjo histori, do të ndërlikohej shumë shpejt.

Në grindjet që nisën mes Moisiut dhe ish-kryeministrit Nano, në vitin 2003, për herë të parë hyri një element i ri në luftën politike të ditës, ai që në median e kohës, do të quhej lufta mes stafeve. Dhe stafi i kryeministrit Nano duket se ishte furnizuesi i medias me disa të vërteta të hidhura për dy nga këshilltarët e zotit Moisiu. Një nga ta ishte vetë Ristani. I zhgënjyer, Moisiu i kërkon llogari vartësit të tij për detajin e të shkuarës që ai i kishte fshehur. Por nuk kishte mundësi të bënte më shumë, veç t´i komunikonte se rrugët e tyre tashmë ishin ndarë. E megjithatë, kjo thyerje e radhës, nuk do të thoshte se rruga e Ristanit drejt karrierës personale ishte e mbyllur përfundimisht.

Ai i rikthehet sërish avokatisë deri në vitin 2006. Dhe plot tre vjet më parë, më 31 korrik 2006, Ristani ishte një nga emrat e propozuar nga Partia Demokratike për të qenë anëtar i KQZ-së.

Në një nga seancat më dramatike dhe më qesharake të Kuvendit të shkuar, kur aleatët e sotëm e sulmuan Jozefina Topallin me vazo lulesh, ai votohet në godinën e ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, bashkë me kandidatët për KKRT-në dhe Këshillin Drejtues të RTSH-së. Si anëtar i KQZ-së, ai punon me një tjetër ish-gjyqtar dhe mik të vjetër të tij, Çlirim Gjata dhe kalon provën e zjarrit me zgjedhjet lokale të shkurtit 2007.

Bie pak në sy, por nuk dihet se pse, një vit më pas, në vjeshtën e 2008-s, largohet nga KQZ-ja dhe emërohet nga presidenti Bamir Topi si drejtor i shkollës së magjistraturës. Vetëm për katër muaj, sepse tashmë arrin sërish në majë: emri i tij ishte i pari i propozuar nga Berisha për kryetar të KQZ-së. Në shkurt 2009, ai votohet nga Kuvendi si arbitër i zgjedhjeve. /tema/
Shtuar më 30/09/2014, ora 19:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori