E FUNDIT/ Xhaxhai vret nipin në Shkodër
DOKUMENTI SEKRET/ Si Enver Hoxha donte të përvetësonte pasurinë familjes Zhapa në Turqi
Pëlqej
Ata tregtarë apo familje të pasura që nuk pranonin të paguanin “tatimin mbi fitimin e luftës”, përfunduan burgjeve e internimeve, ndërsa disa të tjerë që nuk tregonin se ku e kishin fshehur floririn, i vdiqën në tortura, në qelitë e errëta të Sigurimit të Shtetit. Kësaj “reforme” siç e konsideronte qeveria komuniste e Tiranës, disa vjet më vonë iu shtua edhe ajo e “ndërrimit të monedhës”, e cila bëri që mjaft nga tregtarët apo të pasurit e asaj kohe, të nxirrnin dhe dorëzonin paratë e tyre, pasi në rast të kundërt ato nuk kishin me vlerë.

Pas kësaj grabitjeje në masë që iu bëri qeveria komuniste e Tiranës shtetasve të saj, që nga fillimi i viteve ’50 e në vazhdim, me anë të Shoqërisë Komisionare, Tirana zyrtare filloi të interesohej për pasuritë e shtetasve shqiptarë jashtë vendit, kudo ata i dispononin nëpër shtete të ndryshme të botës. Kjo bëri që mjaft nga familjet e njohura shqiptare që dispononin mjaft prona të paluajtshme jashtë, si Vangjel Manushi, Vllazën Dabërdaku, Mediha Libohova, Enver Libohova, Ihsan Libohova, Ismail Tartari, Behire Vila, Vllazën Gurashi, Leka, Ali Hasho, Emine Shaska etj., të lëshonin prokura, që ato të shkonin në favor të shtetit shqiptar, i cili me anë të Shoqërisë Komisionare, i shiste ato, apo i jepte me qira.


Dhe si rezultat, vetëm nga sekuestrimi e shtetëzimi i pronave të familjeve të lartpërmendura, shteti shqiptar përfitoi vetëm në vitin 1961, plot 1 milion e 276.000 mijë dollarë. Pas kësaj, “oreksi” i qeverisë shqiptare u rrit ndjeshëm dhe po në atë vit, filloi tentativa e saj për përftimin e pasurisë së vëllezërve Vangjel dhe Konstandin Zhapa, pasuri e cila ishte e shtrirë në disa shtete, si Rumani, Greqi dhe Turqi. Sipas raportit sekret të kryetarit të Shoqërisë Komisionare, Vangjel Pecani, kjo pasuri ishte bërë “mollë sherri” midis këtyre tre shteteve që para vitit 1900.
Lidhur me këto dhe tentativa e shtetit shqiptar, për të manipuluar trashëgimtarët e Zhapajave të famshëm me origjinë nga Labova e Zhapës në Gjirokastër, të cilët jetonin në Shqipëri, na njeh ky dokument arkivor që publikohet për herë të parë në faqet e gazetës “Panorama“, ku Enver Hoxha ka vënë dhe shënimin e tij.

SHOQERIA KOMISIONARIA
TEPER SEKRET
Tiranë, më 10.11.1961
Lënda: MBI PASURINE E ZHAPAJVE NE TURQI
Kjo pasuri ndodhet në Stamboll, Turqi. Një pjesë e mirë e trashëgimtarëvekësaj pasurie të konsiderueshme ndodhen në vendin tonë dhe një pjesë në Greqi. Sipas të thënave kjo mund të jetë në miliona dollarë si pasuri e tundshme dhe e patundshme. Duke qenë kështu, kjo ka kaluar karakterin privat, mbi interesimin rreth të ardhurave, dhe gjithmonë ka qenë problem politik midis Rumanisë, Greqisë dhe Turqisë. Trashëgimtarët janë Vangjel dhe Konstandin Zhapa nga Labova e Gjirokastrës, të cilët nga të varfër, në një mënyrë ose në një tjetër arritën të bëhen milionerë, të vdesin të pamartuar, bile dhe njëri i çmendur.

Kjo ka ndodhur gati 100 vjet më parë. Qeveria greke që ka përfituar gjithmonë më anë të fesë, njërit prej këtyre i ka marrë një testament sekret dhe me atë del trashëgimtare. Ky ka qenë objekt diskutimesh midis Rumanisë dhe Greqisë, pse dhe Rumania pretendonte duke i quajtur qytetarë të sajë. Arriti puna deri aty sa këto dy shtete të ndërpresin marrëdhëniet diplomatike midis tyre aty nga viti 1900. Më 1896, gjykata e shkallës së dytë e Rumanisë, mbas 20 vjet seancash ka hedhur poshtë si pretendimet e Rumanisë, ashtu dhe ato të Greqisë dhe gjithë pasurinë ua kaloj trashëgimtarëve. Emrat e trashëgimtarëve përmenden në vendimin e gjyqit. Shumica e pasardhësve të tyre janë në vendin tonë dhe arrijnë të jenë nja 60 persona. Deri para luftës këta merrnin nga një fare të ardhure, ndërsa mbas luftës këto u ndërprenë dhe vuri dorë përsëri qeveria turke dhe greke. Më 1956, në grindjet politike midis Turqisë dhe Greqisë doli dhe çështja e kësaj pasurie dhe se kush do të vinte dorë mbi të.

Bashkia e Stambollit, ku ndodhet kjo pasuri, doli me një vendim që të mos e prek kush për një kohë prej dhjetë vjetësh dhe e la në administrimin e Patriakanës, me konditë që në rast se brenda kësaj kohe nuk do të dilnin trashëgimtarë, kjo i mbetet Duke qenë se ne kemi në dorë:
I. Vendimin e gjykatës së Rumanisë, që përcakton trashëgimtarët dhe këto ndodhen shumica në Shqipëri:
2. Dokumentet bankare, në sasi të vogla, por që ne mendojmë se janë të mjafta, që trashëgimtarët kanë të ardhura prej kësaj pasurie:
3. Të dhënë ku Vangjel dhe Kostandin Zhapa kanë lënë pare për të martuar tre vajza nga katundi i tyre:
4. Busti i Vangjel Zhapës ka qenë ngritur në fshatin e tyre për kujtim të tij dhe se ky katund është shqiptar, nuk dinë fare greqisht, rrëzon pretendimin se ata kanë qenë grekër etj. Të gjitha këto ne i kemi mbledhur dhe në bazë të tyre për të dalur në emër të trashëgimtarëve kemi përgatitur:
I. Aktin e trashëgimtarëve.
II. Prokurën e përgjithshme. Nga ana tjetër, nëpërmjet Legatës, kemi gjetur dhe një zyrë avokatore me influencë në qarqet qeveritare turke, e cila ka qenë e interesuar që më parë rreth pasurisë së Zhapajve dhe trashëgimtarëve të saj. Duke qenë të përgatitur kështu, kemi ftuar të interesuarit të kryejnë formalitetet, pa asnjë shpenzim nga ana e tyre, dhe të firmosin prokurën që keshëm përgatitur ne, se Komisionare.
Prokura është e përgjithshme dhe me të drejta të plota, për administrim, depozitim të hollash dhe deri në shitje, të lëna si zakonisht kur bëhen prokura për Turqi (në këtë rast), Sekretarit të Dytë të Legatës, shokut Lik Seiti. Të gjithë prokurat që ne i dërgojmë jashtë shtetit, i përpilojmë me këtë përmbajtje me qëllim për lehtësi pune. Për arsye se prokura ka edhe të drejtën e shitjes dhe të depozitimit të të hollave, dhe duke dyshuar se gjithçka mund të ndodhë kur këto i besohen një personi të vetëm, qytetarët Irakli Noçka, Sofokli Papajani, Qirjako Harito, Vangjel dhe Minella Karajani, dhe disa persona të tjerë, (gjithsej 18 veta), të influencuar prej këtyre refuzojnë që t’a nënshkruajnë prokurën.

Shumica e tyre, 42 veta, kanë pranuar ta nënshkruajnë pa vënë asnjë konditë dhe me besim të plotë. Arsyet e hartimit të prokurës në këtë formë janë:
1.Duke e parë nga zhvillimi i ngjarjeve rreth kësaj pasurie se ka qenë problem qeverish dhe jo personash, përfaqësuesi jonë në këtë rast është nëpunësi i Legatës tonë-nuk mund të lëftojë pa mos qenë i plotfuqishëm.
2. Në rast se mungon plotfuqishmëria gjyqet burokratike trashëguese të Turqisë ose nga nxitja e pretenduesve, mund të kërkohen që të paraqiten trashëgimtarët para gjyqit.
Kjo, sipas mendimit tonë, do të jetë shumë e vështirë për neve. Ne mendojmë se edhe sikur të duam t’i dërgojmë, mjafton që për disa prej tyre të mos lejojë qeveria turke, çështja mund të zvarritet me vjete dhe si konsekuencë ka rrezik të përfundojë në disfavorin tonë. /Panorama/
Shtuar më 02/09/2017, ora 09:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori