Ditari i Fevziut në ’91: Si rival i Berishës njihej vetëm Pashko
Blendi Fevziu njihet për aftësitë gazetareske në trajtimin e temave historike, por kësaj here ai është vetë protagonist historie. Asokohe ishte student, në fillimet e gazetarisë, kur në shkurt të vitit ’91 u rrëzua monumenti i bronztë i Enver Hoxhës, që “kapardisej” në qendër të Tiranës. Një ngjarje që kaloi dimensionet shqiptare, duke u transmetuar gjerësisht në median botërore. Ky është rrëfimi i Blendi Fevziut, ashtu siç e ka jetuar. Një pjesë nga ditari personal i tij, që së shpejti do të dalë i plotë në një libër…

Blendi fevziu (ne rreth) ne greven e urise ne shkurt 1991">1991
14 shkurt 1991">1991, e enjte

Blendi Fevziu, shkurt 1991">1991
PD bëri sot zgjedhjet e para për kryetarin. Nuk ka asnjë dyshim që Azem Hajdari nuk mund të jetë më kryetar i partisë, por po ashtu dihet se njeriu që do të zgjidhet sot kryetar do të jetë pa dyshim njeriu më i rëndësishëm politik i viteve të ardhshme. Errësira pati pllakosur kur anëtarët e Kryesisë mbërritën në PD. Kryesia e zgjedhur atë mëngjes dukej e shqetësuar. Arben Demeti rregullonte i vetëm dhomën, ku disa çaste më vonë do të zgjidhej kryetari i PD-së. Tefalin Malshyti la mbledhjen e studentëve për të hyrë aty. Të tjerët mbërritën duke sjellë diçka nga nata e ftohtë jashtë. I fundit, Genc Ruli. Azemi qe eliminuar dhe kandidaturat reale ishin dy: Sali Berisha dhe Gramoz Pashko. Arben Demeti propozoi edhe një kandidaturë të tretë: Aleksandër Meksin.
- Konkurrenca midis Pashkos dhe Berishës do ta shkatërrojë Partinë, deklaroi ai, prandaj unë propozoj Meksin si një kandidaturë të ekuilibruar. Një i tretë, Imami, shtoi edhe kandidaturën e Azem Hajdarit. Sipas statutit, fituesi duhet të merrte më tepër se gjysmën e votave të vlefshme. Diskutimet zgjateshin pa fund dhe askush nuk përcaktonte gjë.
- Unë mendoj se kryetar duhet të jetë Berisha, – deklaroi Neritan Ceka, i zgjedhur në Kryesi atë mëngjes.
- Edhe këta dy muaj, pavarësisht nga Azemi, njerëzit kanë njohur si kryetar Berishën. Preç Zogaj, i ngritur pas tij, e përkrahu edhe ai fort.
Votimi nuk zgjati shumë: Berisha – 9 vota, Pashko – 5 vota, Meksi – 4 vota, Hajdari – 1 votë.
Berishës i duhej edhe një votë për t’u ulur në karrigen bosh të kryetarit. Jam i sigurt se atë moment askush nuk e mendonte se në atë dhomë po zgjidhej jo kryetari i PD, por njeriu që do të drejtonte Shqipërinë së paku në katër vitet e ardhshme.
Duke votuar për të, ata po votonin njëherazi Presidentin që do të pasonte Ramiz Alinë. Votimi nuk u përsërit më. U vendos me konsensus që Berisha të ishte kryetar, por ai të vendoste kolegjialisht.
Kur ata dolën, ne ishim ende aty. Berisha i zbriti shkallët me hap energjik. Pashkoja dukej i prerë. Kjo është gjenerata e tretë politike që po krijon shteti shqiptar! Pas zgjedhjeve shkova në shtëpinë e një shoqeje të klasës për të festuar Shën Valentinin.
Në Tiranë ka rënë një borë e shkrirë dhe në rrugë janë shtuar patrullat me ushtarë të armatosur të Gardës. Nga apartamenti, në qendër, duket monumenti i lartë i Hoxhës përballë Muzeut Historik Kombëtar. Katër ushtarë qëndrojnë me pelerina të gjata dhe automatik në dorë përreth tij.Është Shën Valentini i parë që festojmë.

Blendi Fevziu (në rreth), 1991">1991
17 shkurt 1991">1991, e diel
Derën ma hapi vetë Gonxhja. Në apartamentin e tij të vogël dhe modest pranë Xhamllikut qe mbledhur komisioni i grevës së urisë së studentëve. Vendimi qe marrë, 723 veta kishin shënuar emrat dhe takimi i sotëm, më shumë se sa me të nesërmen, kishte të bënte me një mbrëmje të qetë. Magnetofoni prodhonte këngët e Bonyem dhe Mesila e Arian Manahasa kërcenin në tingujt e tyre. Arben Lika, Ardian Stefa dhe dy-tre të tjerë qëndronin më tutje. Blendi Gonxhe dhe Ridvan Peshkëpia më pyetën për situatën. I thashë se PD po hynte në mbledhje. Po ashtu PPSH kishte thirrur një plenum. Tani të gjithë prisnin nga ne. Nesër hyjmë, tha Gonxhja. Nuk kthehemi dot mbrapa edhe po na e kërkuan.
Nuk e di sa koshientë ishim për atë që po ndodhte, por pesha e të ardhmes së vendit kish ngelur në supet e atyre 6-7 djemve dhe vajzave 20-vjeçarë.
- Nesër, – më tha Gonxhja!
- Nesër, – iu përgjigja gati instinktivisht.
18 shkurt 1991">1991, e hënë
Pastaj mbaruan thirrjet, përshëndetjet, përqafimet dhe unë u zgjata të shihja në xham qindra shokë të mi që përgatiteshin për grevë urie. Ishte një gjendje e çuditshme. Djem të mrekullueshëm që përpiqeshin të visheshin trashë, vajzat që i shmangeshin kujdesit të prindërve, flamuri që rrinte lart i varur në skenë, ballët studentëve shtrënguar me rripa të kuq, muret plot parulla…
Ishte mbresa fillestare e dy sallave të mëdha, tri dhomave dhe dy korridoreve ku do të zhvillohej e para grevë urie legale në historinë e mjerueshme të Shqipërisë. Të porsafuturit zgjateshin në dritare, krijonin pas xhamave ca shenja entuziaste për të përshëndetur shokët e tyre jashtë. Nga gjithë ajo atmosferë, nga muzika, nga brohoritjet, këta e ndienin veten të vetmuar, larg asaj mbretërie kaq lehtësisht të arritshme. Atëherë braktisnin vendimet
e një nate më parë, injoronin listat, lidhnin kokën me rrip të kuq dhe nisnin shtyrjet te hyrja. Atje, në krah të djathtë, puthja e flamurit pa yll qe betimi më i thjeshtë e njëherazi më i mrekullueshëm. Pak larg derës qëndronin pothuaj të gjithë përfaqësuesit e forcave politike.
Isha në mes të Vangjush Gambetës dhe Eduard Selamit. Për një ditë zgjidhet, më tha Gambeta. Një ditë pa bukë nuk është dhimbje e madhe!
Zgjidhje nuk kish pasur. Emri nuk hiqej dhe thuajse 900 studentë pritej të hynin në të parën grevë urie publike në historinë e Shqipërisë.
Kaloi ora 16:00 e në pallat vazhdonin hyrjet. 723 studentë të regjistruar, dhjetëra të tjerë të futur në momentin e fundit, pedagogë, përfaqësi nga ILB-ja dhe një tjetër që priste të mbërrinte në çdo moment nga Elbasani.
Qindra spektatorë vështronin të befasuar këtë.
Më 16:30, Blendi Gonxhe doli për herë të fundit. Me megafonin që i zgjatën policët u bëri thirrje njerëzve:
- Tregohuni të përmbajtur. Ne kemi nevojë për ju, por ju nuk duhet të na prishni punë.
Zërin ia mbytën mijëra thirrje: Me studentët jemi ne!
Më 16:45 dyert u mbyllën dhe qindra studentë mbetën pas tyre. Kordonët e policisë bënë distancimin e parë prej turmës. Me një llahtari të brendshme ne ndiqnim largimin e prindërve, kërcënimin plastik të trupave speciale dhe rrethimin. Kishim mbetur të vetëm. Shumica kishin nisur sistemimin në salla. Vështrova edhe një herë në xham. Andej prindër, këtej studentë, midis rreshta të gjatë policësh. Kë ruajnë: fëmijët nga nënat, apo nënat nga fëmijët?! (Panorama)


Shtuar më 21/02/2013, ora 10:30

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori