Burrat që na lanë trashëgim atdheun
Pëlqej
Abonohu për lajmet me e-mail:
E-maili juaj:      Tani, kontrolloni e-mailin tuaj dhe konfirmoni abonimin!
nga Ferit Lika - Atë mot të 1912, ishin të shumtë ata që ndihmuan në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, me guximin dhe dëshirën për të rindërtuar një shtet të pavarur shqiptar. Stërgjyshërit a katragjyshërit tanë i dhanë udhë ëndrrës së vjetër të pavarësisë, 100 vjet më parë. Po kush ishin ata që i sollën në të vërtetë pavarësinë shqiptarëve? Studiues, vendës e të huaj, në këtë pikë shpesh ngatërrohen: qenë teqetë bektashiane që shkëndijuan të parat lëvizjen kombëtare; ishte kleri katolik apo qenë klerikët myslimanë që udhëhoqën gjithçka.[1]

Ajo që njihet dhe që në këtë rast nuk shkon drejt me pretendimet e historisë është se, rezultati më i lartë i Rilindjes qe konvergjenca dhe jo dallimi. Për herë të parë shqiptarët u ndien të tillë, pavarësisht nëse ishin të krishterë apo myslimanë, jugorë apo veriorë, në Shqipëri apo në mërgatën politike dhe kulturore. Me aktin e 28 Nëntorit 1912 u sanksionua e drejta e pamohueshme historike e kombit shqiptar, për të qenë i lirë e i pavarur në trojet e veta, krahas popujve të tjerë të Ballkanit. Kjo qe një e drejtë që buron nga qenia e tij si popull me gjuhë, kulturë, individualitet e histori të vetën.

Në çdo lëvizje e përpjekje mbarëkombëtare, sheh që një rol të rëndësishëm kanë luajtur rilindësit e mëdhenj shqiptarë, ku në të shumtën ishin prijës myslimanë me detyra fetare që nga imamë xhamish e deri te drejtues të lartë si myfti, kryemyfti, kadi e myderriz, ku në kushte e rrethana të vështira punuan për krijimin dhe ngritjen e shtetit shqiptar, si dhe në forcimin dhe konsolidimin e tij, duke ndihmuar në formësimin e vetëdijes kombëtare të popullit tonë. Roli dhe kontributi i jashtëzakonshëm i prijësve myslimanë, i atyre klerikëve të urtë që ishin përkrah patriotëve shqiptarë dhe në krye të çdo momenti vendimtar të historisë, duket se ka humbur në pluhurin e viteve e askush nuk është kujtuar për ta shpluhurosur. Ndër delegatët e zgjedhur në nëntorin e 1912, është me rëndësi të theksohet fakti se në mesin e tyre bënin pjesë edhe mjaft udhëheqës fetar të shquar, të cilët me punën e tyre i kishin shërbyer shumë çështjes kombëtare. Dihet tashmë se nga 40 firmëtarët e Aktit të Pavarësisë 27 ishin myslimanë dhe më shumë se 2/3 e delegatëve të nëntorit të dytë ishin myslimanë.

Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, klerikët myslimanë së bashku me ata të besimeve të tjera fetare, radhiteshin mes personaliteteve politike e shoqërore dhe krah përpjekjeve të lëvizjes kombëtare. Haxhi Vehbi Dibra, ishte ai i cili firmosi aktin e pavarësisë dhe dha fetvanë për flamurin me shqiponjën dy krenare dhe më pas u bë kryetari i parë i Pleqërisë (Kuvendit apo Senatit) shqiptare, u emërua nga qeveria e Vlorës si kryemyfti i Shqipërisë, pra kreu i myslimanëve shqiptarë.

Haxhi Vehbi Dibra (Agolli) (1867-1937), ishte komentuesi më i mirë i Kur’anit në gjuhën shqipe, personalitet e dijetar i madh.[2] Kur Ismail Qemali mungonte, ishte ai që e zëvendësonte në punët e qeverisë. Personalitete të tilla përveçse patriotë e atdhetarë janë marrë edhe me krijimtari, poezi e shkrime.

Haxhi Vehbi Dibra ka shkruar e botuar shumë punime, studime përkthime që janë botuar në shtypin e kohës, kryesisht në revistën “Zani i Naltë” (1923-1939). Vehbi Dibra ishte ai që përgatiti forcat shqiptare kundër pushtimeve malazeze e serbe. Përmes një urdhërese si kryemyfti i vendit futi në institucionet fetare (vula) simbolin e flamurit tonë kombëtar. Në fjalën e Imzot Visarionit, kryetar i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, mbajtur në ceremoninë mortore të Haxhi Vehbi Dibrës, shihet vlerësimi maksimal që i bën lideri ortodoks një lideri mysliman, kur thotë: “… Aj po ju len juve, shokë të Klerit Mysliman, idealin e tij që po forcohet dita ditës: Haxhi Vehbiu asht nga ata që i pjellë rrallë koha, Aj tashti prehet i sigurt se misioni i tij atdhetaro-fetar qindron ndër duer të mira si të juejat.”

Për herë të parë në Shqipëri e ndoshta edhe në botë, një kryeprift flet në varrimin e një kryehoxhe.Respekti ndaj Vehdi Dirbës shtrihej në masë në të gjithë Shqipërinë dhe fjala e tij dëgjohej kudo në ato kohë trazirash. “Kohnat, në të cilat jetojë dhesundojë punët e fes Muhamedanenë Shqipni, ishin kohnat e atynesëmundjeve shoqnore që kalojnëtë gjithë Kombet kur janë formuerishtas si shtet, dhe personalitetet endershëm ose prinjësit e Fes ndodhennë pozitë të vështirë shumë, pse fisetose Bajraktarët e Kombit janë nëpërpjekjet e tyne me ba për vehte tëparin e fesë për me realizue qëllimin e vet. Sa punë e vështirë, sa punë e madhe asht që të qëndrojë i pari i fesë i pa anshëm, por edhe që t’i bajëtë gjithë ta nderojnë e ta duan por edhe të gjithë ta ndigjojnë! Lipset të pranojmë se duhet nji dipllomaci dhe politikë e fortë, nji ideal ose dashuri Atdhetarije e madhe, që vetëm feja e ka ose e jep, me mujtë prinjësi i fesë t’jetë dhe të qëndrojë i patundun…”[3]
Historiografia shqiptare, zyrtare ose jo, përfshi të gjitha tekstet shkollore, jo vetëm të periudhës së diktaturës por edhe atë pas shembjes së saj, duket qartë që ka mangësi dhe figurave të larta fetare siç shihet i është ngrënë haku. Kjo mangësi të paktën dëshirohet që të mos përsëritet në këtë 100 vjetor.

40 firmëtarët e Dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, me rastin e këtij 100 vjetori janë shpallur nder i kombit nga ish-presidenti Bamir Topi, në qershor të këtij viti. Ai vendosi në Muzeun e Pavarësisë dekoratën “Nder i Kombit”, me motivacionin “Për meritat e tyre historike, si figura të shquara të kombit dhe rolin e tyre madhor në krijimin dhe shpalljen e shtetit të lirë e të pavarur shqiptar, si finalizim i luftës dhe përpjekjeve të pareshtura të popullit liridashës shqiptar në rrjedhë të historisë.”

Ndërsa pak ditë më parë Kuvendi i Shqipërisë, nderoi figurat klerikale në shenjë mirënjohjeje të pakufishme, e respekti të thellë, për veprën hyjnore dhe kontributin e pazëvendësueshëm të klerikëve shqiptarë në formimin e gjuhës, atdhedashurisë, vetëdijes kombëtare dhe të shtetit shqiptar, deri në vetësakrifikim.

H. Vehbi Dibra (Agolli), Hafiz Ali Korça, Sheh Ibrahim Karbunara, Hoxha Kadri Prishtina, Ymer Haxhi Prizreni, Ferit Vokopola, Xhemal Naipi, Hafiz Ibrahim Dalliu, Ismail Efendi Ndroqi, Said Najdeni, Zyber Hallulli e Daut Boriçi, ishin 12 klerikët myslimanë që u nderuan pas 100 vjetësh, siç shkruhej në pllakatën e dekorimit “në shenjë nderimi dhe mirënjohje përjetësisht”, por mjafton kjo mirënjohje, në kohën kur me qëllim apo jo, është lënë në harresë veprimtaria e këtyre njerëzve të mëdhenj për 100 vjet rresht.

Kleri mysliman, në përpjekjet dhe në luftën e gjatë për ruajtjen e identitetit kombëtar ka marrë pjesë në të gjitha ngjarjet më të rëndësishme. Në rrjedhën e ngjarjeve që përcaktojnë fatin e Shqipërisë e të shqiptarëve, padyshim gjen edhe ata, klerikët e nderuar të besimit mysliman, prania e të cilëve është e pashmangshme. Që nga eruditi Hoxha Tahsini, e më tej Daut Efendi Borici (në Lidhjen e Prizrenit), Hafiz Ibrahim Shkupi (në Kongresin e Manastirit), me Vehbi Dibrën e Sheh Ahmet Pazarin (në shpalljen e Pavarësisë më 1912 dhe ngritjen e flamurit), Hafiz Ali Korçën dhe Ismail Efendi Ndroqin (në Kongresin e Durrësit më 1918), Mutesim Këlliçin (në Kongresin e vitit 1920), Hafiz Ibrahim Dalliun në Tiranë, etj.

Në periudhën e postpavarësisë, mësimi i gjuhës shqipe ishte një çështje tashmë e rëndësishme për të gjithë patriotët shqiptarë. Shqiptarëve u mungonte shkrimi, abetarja, shkolla, shtypi, libri, jeta dhe vetëdija në gjuhën amtare. Pikërisht kjo është arsyeja pse protagonistëve të mendimit kombëtar shqiptar u takoi detyra të ishin poetë dhe “profetë”. Pushka apo pena? – kjo do të mbetet një prej pikëpyetjeve për shumë jubilenj të shtetit shqiptar.
Hafiz Ali Korça (1873-1957), drejtor arsimi, publicist, shkrimtar e poet, i përket atij brezi ideologësh e organizatorësh, që me veprimtarinë e tyre i bënë një shërbim të denjë çështjes së zgjimit dhe bashkimit kombëtar, çështjes së fesë e përparimit të kombit.

I shkolluar, poliglot, i njohur me klasikët arabë, persë e turq, shërbeu më së miri në këtë fushë. Lidhjet e tij me atdheun dhe dashuria ndaj popullit për liri e arsimim bëhen edhe më të forta e më të qarta kur shkruan: “…Vullneti i përbashkët i vazhdueshëm,bashkimi vëllazëror, ideali i vërtetëkombëtar, në pak kohë shtetin ebënë lulishte diturie e trëndafilishtë qytetërimi…”[4]Me këto bindje, islamologu, Hafiz Ali Korça i sapokthyer nga Stambolli pas studimeve, i përvishet punës së rëndë plot sakrifica për liri e pavarësi.[5]

Në Kongresin e Dibrës më 1909, Hafiz Ali Korça bëri një diskutim të rëndësishëm për çështjen e shkollave shqipe. Në diskutimin e tij, theksoi se: “…fqinjët tanë nga ana e arsimit kanë arritur një shkallë të lartë. Ne, për fat të keq, kemi mbetur si popull i Afrikës së mesme. Megjithatë në Shqipëri tërë gjuhët mësohen, po gjuha jonë përse të mos mësohet?”

Së bashku me kolegë të tjerë hapi Medresenë e Tiranës dhe ishte një ndër mësimdhënësit e parë të saj. Kërkoi hartimin dhe zbatimin e programeve bashkëkohore për të gjitha medresetë e Shqipërisë. Ai, gjithashtu, është hartuesi i një metode për mësimin e gjuhës arabe, artikullshkrues i rregullt i revistës “Zani i Naltë”. Përpjekjet e Hafiz Aliut për një moral islam të lartë dhe për një atdhe të lirë ishin permanente. Ai flijoi çdo gjë “…në kohë të Austro-Hungarisë nga shtrëngesa shiti kopshtin. Prej komitëve epirotë nuk shpëtoi fare gja prej shtëpisë, mbeti me gisht në gojë”, thoshte Abdyl Ypi në veprën “Kongresa e Dibrës dhe Hafiz Ali Korça”.

Vepra e Hafiz Ali Korçës bën pjesë në fondin më të mirë të veprimtarisë letrare dhe si teolog, poet dhe gjuhëtar dha një kontribut të vlefshëm në pasurimin e ideve përparimtare në jetën krijuese dhe në lëvizjen patriotike.[6] Veprimtaria gjuhësore, letrare e fetare, si dhe aktiviteti i tij i gjithanshëm gjatë lëvizjes shqiptare ende nuk ka gjetur vendin e merituar.

Kështu Hafiz Aliut i takoi të shërbente me penë për atdheun e tij, ashtu si ai edhe shumë fetarë të tjerë, siç ishte edhe Hafiz Ibrahim Dalliu (1878-1952), teologu, përkthyesi, poeti, publicisti, mësuesi e patrioti, i cili iu përkushtua shumë çështjes së arsimit dhe mësimit të shqipes djemve e vajzave. Në formimin me ndjenja patriotike te Dalliu ndikoi bashkëpunimi me atdhetarë tiranas. Në librin e tij “Patriotizma në Tiranë”, autori përmend mbi 150 burra aktivistë e veprimtarë të vendosur të kombit. Këto qenë motivet që Hafiz Dalliu u zgjodh delegat i Tiranës në Kongresin e Elbasanit më 1909, ku u vendos hapja e Shkollës Normale (e para shkollë e mesme pedagogjike në gjuhën shqipe në Shqipëri) e ku Dalliu u emërua mësues i kësaj shkolle të re. Mirëpo këto bindje e qëndrime ‘heretike’ të një shqiptari të përkushtuar e çuan Hafiz Dalliun në burgje mizore deri në dënimin kapital dhe përndjekje të egra. E gjithë jeta e Hafizit është e ngjeshur me ndjekje policore sepse ai luftonte padrejtësitë dhe mbronte interesat e Shqipërisë.[7]

Vendosja e diktaturës së shtetit monist cenonte interesat e të gjitha shtresave dhe të drejtat e masave popullore, prandaj Hafiz Dalliu nuk mund të pajtohej me regjimin ateist, komunist e diktatorial dhe pikëpamjet e tij i shprehte hapur qoftë edhe përpara nxënësve gjatë orës së mësimit. Ai nuk mund ta mendonte shtetin të tillë që merr nëpër këmbë të drejtat më elementare të qytetarëve, ndërgjegjen dhe bindjet e tyre fetare. Thuhet se atje ku ishin ngjarjet e mëdha të vendit, atje gjendej dhe Hafiz Dalliu. Vetë Hafiz Dalliu thoshte: “… Përderisa në vendin tonë do të dominojnë e do të administrojnë njerëz që nuk kanë menduar në të mirë të Atdheut, unë do të jem në opozitë…”[8]

H. I. Dalliu ishte i bindur se pa një shtet të stabilizuar, të qetë, të pasur e të sigurt njeriu nuk mund të ushtrojë besimin fetar. Shkrirja në një front të vetëm të përpjekjeve për përparimin dhe konsolidimin e Islamit me luftën për çështjen kombëtare, pa zvogëluar rëndësinë e njërës në kurriz të tjetrës dhe pa i dhënë njërës më shumë prioritet se tjetrës, në këto motive konsistonte sekreti i mundit plot vetëmohim i Hafiz Ibrahim Dalliut. Shqipëria dhe Islami janë dy nocione që detyrimisht qëndrojnë pranë njëri-tjetrit. I madhi Faik Konica ka thënë: “Të mos ishte Islami, populli shqiptar do të ishte shumë më tepër në numër por jo shqiptar”.

Hafiz Dalliu me shkrimet e tij u përpoq që të hapte shtigje drite në mendjet e në ndërgjegjen e bashkatdhetarëve, në atë periudhë tranzicioni dhe tepër kritike të historisë së kombit shqiptar të mbetur pa përkrahje e pa mbrojtje, mes armiqsh të shumtë e të pangopur.

Por persekutimi komunist nuk i kurseu as këta figura të larta. Duke parë burgosjet, ndëshkimet, persekutimet e atij regjimi shkatërrues kupton se diktatura komuniste nuk fali askënd por luftoi gjithkënd, kulturën e besimin, për të cilën përbënte rrezik.

Patriotët myslimanë me mbiemra të njohur, Toptani, Ndroqi, Qosja, Llagami, Karapici, Hidi, Elezi, Fortuzi, Këlliçi, Petrela, Stërmasi, Maçi, Bakiu, Tafaj, Hallulli, Harasani, Dauti, Myderrizi, Duka, Vathi, Bogdani, Sauku, Bali, Jahja, Kruja, Disha, Kafexhiu, Pazari, Vogli, Mema, Bodinaku, Xhepa, Kasa, Çela, Golemi, Neziri, Zëmblaku, Kazazi, Shkodra, Derhemi, Elbasani, Korça, Kraja, Podgorica, Ulqinaku, Boriçi, Myftia, Hoxha, Vokopola, Sharofi, Bushati, Alia, Bakalli, Kaduku, Selami, Tahsini, Vogli, Moglica, Dalliu, Kaduku, Karbunara, Gjilani, Ndroqi, Teqja, Vrioni, Dibra, Kraja, Estrefi, Tabaku, Kelmendi, Gjata, Prishtina, Dashi, Hastopalli, Bekteshi, Biçaku, Hyseni, Mullahi, Domnori, Ibrahimi, Dërguti, Aliu, Doraci, Reka, Varoshi, Vuci, Këlliçi, Osja, Kadiu, Bala, Ajazi, Voka, Rustemi, Bushati, Koçi, Najdeni, Bodini, Dhëmbo, Çoba, Gashi, Ahmeti, Langu, Boriçi, Muka, Gavoçi, Buharaja, Mullaj, Bakalli, Naipi, Prizreni, e plot të tjerë, vunë jetët e tyre seriozisht në rrezik përballë mërisë së injorancës dhe armikut, për hir të ardhmes së kombit të tyre, kombit tonë.

Ata s’janë më dhe atdheun që ata i shërbyen dhe e mbrojtën me jetën e tyre, tashmë na e kanë lënë ne trashëgim. Shqipëria erdhi në ditëlindjen e vet shtetërore, kur bota së cilës i takonte kishte shkuar drejt një ideje tjetër: Paneuropës, idesë utopike të Europës së sotme. Por shekulli i 21-të padyshim është shekulli i shqiptarëve. Kurrë pozita e tyre në mjedisin ndërkombëtar nuk ka qenë kaq e promovuar sa sot, kur gjithnjë e më shumë vendin e indipendencës po e zë ajo që quhet interdipendencë, kur vendin e pavarësisë po e zë identiteti.[9]

Referencat:
[1] Shqip, Rruga e mundimshme drejt pavarësisë, Monika Stafa
[2]Enciklopedi – 100 Personalitete Shqiptare të Kulturës Islame, Haxhi Vehbi Dibra (Agolli) (1867-1937), Botimet KMSH 2012, Fq. 256-260.
[3] Zani i Naltë, “Flet Imzot Vissarioni”, nr. 4, Prill 1937: Fq. 109-111
[4] H. Korça, Ali, “Shtat ëndrrat e Shqipërisë”, botuar në shtypshkronjën e shtetit, Tiranë, 1944: 79.
[5] Ahmedi, Prof. Dr. Ismail, “Hafiz Ali Korça – Jeta dhe vepra”, vepra 1, 2006: 29-32.
[6] Enciklopedi - 100 Personalitete Shqiptare të Kulturës Islame, Hafiz Ali Korça (1873-1957) Botimet KMSH 2012, Fq. 24-27
[7] Drita Islame, http://www.dritaislame.al/hafiz-ibarim-dalliu-1878-1951/
[8] Enciklopedi - 100 Personalitete Shqiptare të Kulturës Islame,Hafiz Ibrahim Dalliu (1878-1952) Botimet KMSH 2012, Fq. 80-83
[9]Shqip, Rruga e mundimshme drejt pavarësisë, Monika Stafa
Shtuar më 17/12/2012, ora 14:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori
 
A mendoni se Shqipëria do të kalojë fazën e grupeve në EURO 2016?
65.63 %
28.89 %
5.47 %
Total 9064 Vota!
 
Tauland dhe Granit Xhaka janë dy vëllezërit që përballen në skuadra të ndryshme për herë tëparë në një Kampionat Evropian

Tauland dhe Granit Xhaka janë dy vëllezërit që përballen në skuadra të ndryshme për herë tëparë në një Kampionat Evropian