Burgu i piratëve në parajsën tropikale
Seiceles

Anthony Denselow, BBC

Ka më shumë se 1 mijë piratë somalezë të dënuar në të gjithë botën. Disa prej tyre kanë përfunduar në një burg të financuar nga OKB në ishullin e vogël të Seiceles, në Oqeanin Indian. Dyqanxhinjtë indianë përgjatë plazhit nuk kanë dëgjuar kurrë për një burg në Montagne Posee, por një fshatar më thotë që të shkoj me makinë përpjetë në një kodër të mbuluar tërësisht me pemë bananesh.

Ndërsa deti bëhet i largët në horizont dhe rruga bëhet shumë e rrahur nga era, unë ndaloj që të pyes se nga duhet të shkoj. Gjej dy burra. Por sapo njëri prej tyre kthehet nga unë, e dalloj që në fakt ai është një i burgosur. Më kërkon cigare, pastaj para dhe në fund thotë: “Më jep çfarë të duash, unë nuk kam asgjë, jam nga Somalia”.

Ky është burgu i piratëve, i fshehur lart në kodra. Qindra metra më poshtë mes plazheve të bardha që shkëlqejnë, turistët e pjacës së lartë po paguajnë deri në 4500 dollarë për të qëndruar një natë nëpër vilat e kashtës.

Ata nuk dinë asgjë mbi këtë burg, që u hap tre vjet më parë nga Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin. Këtu, 66 somalezë po presin të gjykohen për pirateri ose janë dënuar sakaq dhe po presin të ekstradohen për në atdhe për të vuajtur dënimin.

Mëngjesin tjetër gjendem në Viktoria, kryeqyteti i ishullit, për të parë diçka magjepsëse që po zhduket përgjithmonë. Zemra e qytetit është një seli gjykate e stilit kreol, shumë e bukur. e bardhë me të zezë. Jashtë saj, nëpër stola, gjendet një grup me të burgosur me pranga. Është një skenë dikensiane që vështirë se mund ta imagjinoj të gjendet diku tjetër.

Gjashtë somalezë me rroba burgu janë prangosur në çift për t’u nxjerrë në gjykatën e vogël ku një gjykatës dhe një juri me nëntë anëtarë të veshur me të zeza, vështirë se ia hedhin sytë.

Këta të gjashtë janë arrestuar gushtin e kaluar qindra kilometra më në veri, më pranë Jemenit se sa Seicelesit. Ata janë akuzuar se kanë tentuar të ngjiten në bordin e një anijeje tregtare dhe u kapën nga marina holandeze me ndihmën e një helikopteri spanjoll.

Charles Brown është një jurist nga Prokuroria e Britanisë së Madhe i ngarkuar nga Prokurori i Përgjithshëm i Seicels për të ndihmuar në përndjekjen ligjore të piratëve.

Ai thotë se ata duken shumë të tronditur kur mbërrijnë për herë të parë në këto ishuj, por i përshkruan somalezët si “plot gjallëri dhe goxha inteligjentë”. Brown duhet të provojë se këta të gjashtë qenë duke sulmuar një anije për përfitim privat apo se ata u kapën duke drejtuar një anije pirate.

Të dyshuarit somalezë shumë rrallë gjenden me armë, megjithëse në disa raste ekuipazhi i helikopterëve i sheh ndërsa hedhin gjëra nga bordi i anijes. Ata janë gjetur me “parafernali piratësh” çengelë që i përdorin për t’u ngjitur në anije.

Shumica e të burgosurve pretendojnë se janë ose emigrantë ekonomikë ose thjesht peshkatarë, megjithëse, siç e vë në dukje Brown, varkat e tyre të kapura shumë rrallë kanë frigoriferë apo rrjeta peshkimi. Në një periudhë, kaq shumë piratë u kapën në det sa shumë prej tyre thjesht dërgoheshin në plazhet e Somalisë dhe liheshin të lirë.

Por këto ditë, me patrullimin intensiv të Oqeanit Indian, gjithnjë e më shumë prej tyre po dënohen. Këtu në Seiceles, 17 të tjerë u dërguan së fundmi në shtëpi në një burg tjetër të financuar nga OKB në rajonin relativisht të sigurt të Puntland në Somali, për të vuajtur dënime nga 10 në 20 vjet burg. Gjithsej, 59 prej tyre janë dënuar dhe riatdhesuar.

Alan Cole, i cili punon në programin e OKB-së kundër Piraterisë, më thotë se shumica e somalezëve janë të lumtur që po dërgohen në shtëpi për t’i shpëtuar dietës së burgut, e cila përbëhet nga orizi dhe toni. Por ai citon historinë e një somalezi që zgjodhi të qëndrojë – për të përfunduar studimin për një certifikatë për mësimin e gjuhës angleze. Ai ka marrë më shumë arsimim formal në një vit burgSeiceles se sa në 20 vjet në Somali.

Charles Brown beson se lufta kundër piraterisë po del me sukses, falë përpjekjeve të marinës ushtarake dhe monitorimit të imtësishëm të varkave që largohen nga bregu i Somalisë.

Asnjë anije tregtare e armatosur nuk është sulmuar kurrë dhe shumë prej tyre tashmë janë dhoma të sigurta ku ekuipazhi mund të tërhiqet ndërsa vijon të drejtojë anijen. Edhe investimet britanike në gjykata po ndihmojnë.

Njëfarë bumi ndërtimi është në zhvillim e sipër në Seiceles aktualisht, ku paratë ruse dhe arabe po kontribuojnë për disa zhvillime shqetësuese. Pyjet dhe plazhet e virgjëra po shkatërrohen nga betoni. Burgu në Montagne Posee nuk është e vetmja fortesë që mbikëqyr ish-koloninë e skllevërve. Tashmë ka pallate të shëmtuara gjigante të ndërtuara nga sundimtarët e Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilat po dominojnë panoramën mbi Viktoria.

Shtëpia e gjyqit me stil kreol – ku drejtësia “po jepet” – është bërë një muze dhe gjykata do të lëvizë te një pronë e stërmadhe e ndërtuar nga kinezët në periferi të qytetit.

Ndërkohë, të ardhurit e rinj të pasur deri në tronditje nga Gjiri Persik, shohin varkat e tyre të stërmëdha në gji, ndërsa turistët shumë të pasur vijojnë të rehatohen në hotelet e luksit. Dhe në të njëjtën kohë, piratët somalezë po presin të dënohen duke kthyer një skenë nga shekujt e kaluar.
Shtuar më 21/05/2013, ora 18:37

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori