Bejruti, bashkëjetesa mes bumit dhe krizës imobiliare
Pëlqej
“Jo. Për çmimin nuk mund të bëjmë dot asgjë”, thotë zonja Haddad. Ajo po pret në hyrje të rezidencës që ka marrë emrin e saj “Residence Haddad”, një blloku banesash në lagjen “Hamra” të Bejrutit. Duhet të vendosni shpejt, thotë ajo, pasi apartamenti mund të jepet nga çasti në çast. Për këtë, hapësira brenda tij, të lë me gojë hapur: dymbëdhjetë metër katrorë, një ballkon i vogël, banjo e vogël, një rrip pllakash që shërben për kuzhinën e pllaka akoma të papërfunduara në dysheme. Një ëndërr e realizuar banimi për 700 dollarë në muaj, plus 50 dollarë kosto interneti. Ky është çmimi që duhet të paguash për qiranë. Rroga minimale në Liban aktualisht vërtitet te 450 dollarë në muaj. Në tregun imobiliar vendas, çmimet gjatë viteve të shkuara kanë kapur majat; kjo lidhet me një bum ekstrem të ndërtimeve e ofertave në këtë sektor. Pasi vendi po vuan njëkohësisht nga një valë e zgjeruar refugjatësh që vijnë nga vendi fqinjë, Siria. Mario Sassine nga Universiteti Saint-Esprit de Kaslik (USEK), në veri të Bejrutit, i shpjegon me dy faktorë arsyet për bumin në ndërtime e shtimin e ofertës për tregun imobiliar në Liban:

Fundi – zyrtar – i pushtimit sirian në vitin 2005, që vendit të vogël për herë të parë prej shumë vitesh, i dhuroi më në fund një lloj stabiliteti politik.
Kriza globale financiare qysh prej vitit 2007: ku shumë investitorë i tërhoqën në atë kohë paratë e tyre nga SHBA dhe Europa, për t’i riinvestuar diku tjetër. Para së gjithash, investitorët nga shtetet e Gjirit Persik sollën shuma të mëdha në Liban; këto u përdorën pikësëpari për ndërtimin e pronave imobiliare. Renditjet krahasimisht të mëdha bënë që edhe interesi i shumë libanezëve jashtë vendit për t’u kthyer në vendlindje të rritej: kështu u rrit volumi i të gjitha transaksioneve brenda tre vitesh nga rreth 4,3 miliardë dollarë (2007) në më shumë se 9,4 miliardë dollarë (2010).
Sot, kryeqyteti libanez, Bejruti, i ngjan gjithnjë e më shumë një kantieri ndërtimi unik, ku sheh ngado prospekte grataçielash gjithë shkëlqim dhe tabela reklamuese e billborde që flasin mbi projekte ndërtimore aktuale e ato të së ardhmes. Mirëpo simptomat e para për fundin e këtij bumi, janë lënë me ç’duket akoma në hije. Që kur vendi fqinj, Siria, është mbytur në shkatërrim e dhunë si pasojë e luftës civile, investitorët e huaj po i kthejnë sërish shpinën Libanit: vetëm rreth 1,8 për qind e të gjitha transaksioneve në tregun imobiliar janë ato që bëhen nga të huajt që nuk posedojnë një pasaportë libaneze – një shifër skandaloze. Para së gjithash, investitorët nga vendet e Gjirit, e kanë braktisur tashmë tregun imobiliar libanez. Mund të mendosh se tregu imobiliar libanez dalëngadalë po tronditet. Megjithatë, Bejruti vlerësohet si një ndër tregjet më të shtrenjta në botë në sektorin imobiliar. Përqindja e hipotekimit është thuajse katërfish më e lartë se sa mesatarja e rrogës mujore. Dhe megjithatë, investohet ende në tregun imobiliar. Vetëm se cilët janë pra investitorët për të cilët bëhen gati akoma kaq shumë projekte ndërtimi?

Sipas ekspertit Sassine, para së gjithash po investojnë biznesmenë të kamur libanezë. “Libanezët shqetësohen vetëm për dy gjëra”, thotë Sassine. “Pak a shumë, si ta ngrysin ditën në këtë vend jostabël – e të përfitojnë prona”.

Rritje e jashtëzakonshme e çmimeve të qirave

Rami Yazbek është një profesionist i tregut imobiliar libanez. Që prej vitit 2007, 25-vjeçari është aktiv në këtë sektor, e ndërkohë ai ka themeluar edhe ndërmarrjen e tij të parë “Yazbek Real Estate”. Me katër bashkëpunëtorë, ai rri ulur në një zyrë të bollshme në rrugën përgjatë bregut në Xhunieh, në veri të Bejrutit. Krenar, ai tashmë tregon për tetë apartamentet e veta. Ca prej tyre ai i jep me qira për miqtë; paratë e tij ai i fiton para së gjithash me shitjen e apartamenteve, shtëpive e vilave, duke përfaqësuar investitorë të mëdhenj. Sidoqoftë, Yazbek e sheh të ardhmen e tij në biznes, jo më të lidhur direkt me Bejrutin. Për të siguruar më shumë apartamente që shohin nga deti, duhet të shtrihemi drejt Veriut. Shumica e apartamenteve, që Yazbek i ka vënë në ofertë, kanë çmime për metër katrorë te rreth 1600 dollarë. Në Bejrut, ato kapin shifrën e rreth 4500 dollarëve. Shumë libanezë, prej kohësh nuk mund t’i arrijnë dot të tilla lagje të kryeqytetit të tyre. Në krahasim me to, çmimet e banesave e apartamenteve në Xhunieh e rrethina, janë me shumë leverdi. Problemi më i madh për tregun imobiliar në Bejrut në sytë e Yazbekut, janë refugjatët sirianë: ata bënë që të kishim papritur çmime të papara te qiramarrja, pretendon ai.

Mario Sassine kundërshton me argumentet se: “për qiratë e larta që u vishen kësisoj refugjatëve sirianë, nuk janë shkaktarë ata. Sirianët që mund të arrijnë të paguajnë qira me këto çmime marramendëse, gjenden në Europë, apo diku gjetkë në vendet e Gjirit, por jo në Liban”. Sassine e ka dëgjuar shpesh një arsyetim të tillë, ku faji i vihet sirianëve, dhe mendon se me këtë arsyetim, tentohet të lihet në hije një problem më i madh: refugjatët sirianë për shumë sipërmarrës libanezë, janë krahë pune me shumë leverdi. Dhe kështu që ndodh jo rrallë që dy punëtorë sirianë të zëvendësojnë një libanez. Kjo, në vendin e vogël, me një popullsi të dendur, sjell me vete një bombë të vërtetë sociale. E vëmendja e drejtuar vetëm te çmimet e qirave, po çon në çorientim të fokusit atje ku duhet, sipas Sassine.

Refugjatët ndihen jo të mirëseardhur

Një ndër refugjatët atje është edhe mjeku sirian, Fayez Aloush. Kirurgu erdhi drejt Bejrutit në korrik 2013 nga Homsi. Ngaqë ai nuk mund ta ushtronte dot zanatin e tij si mjek atje, punon si mësues për një organizatë humanitare norvegjeze që kujdeset për fëmijët sirianë në kampin e refugjatëve palestinezë, Shatila; për këtë, ai merr 650 dollarë në muaj. Me këtë rrogë, është thuajse e pamundur që të gjesh një apartament në Bejrut. Aloush ndërkohë ka gjetur një banesë të vogël në Aramun, ku paguan një qira prej 250 dollarësh në muaj. Atij i duhet të harxhojë tri orë në ditë për të shkuar në vendin e punës. Edhe Aloush tashmë e ka vënë re se prania e tij atje nuk shkakton ndonjë gëzim te libanezët. Dhe kështu nuk ekziston vetëm rreziku që tregu imobiliar libanez të rrënohet, por edhe që tensionet sociale mes libanezëve e refugjatëve sirianë në të ardhmen e afërt, të përshkallëzohen – me pasoja që nuk mund t’i dimë. “Libanezët na urrejnë për arsye të ndryshme. Shumë prej tyre na e thonë këtë troç, drejt e në sy”, thotë Fayez. Në situatën aktuale, për shkak të çmimeve të larta të qirave, ata kanë edhe një arsye më shumë për të na urryer, mendon ai. “Por çfarë të bëjmë ne?”

E sigurt është se: refugjatët sirianë nuk janë arsyeja kryesore për shpërthimin e çmimeve të qirave në Liban. Shumë më tepër janë çmimet e nxehura të shitjes në sektorin imobiliar të viteve të shkuara, faktorë që çuan më pas në çmimet e larta të qirave. Edhe sirianët luajnë rol të rëndësishëm për zhvillimet e ardhshme të tregut – gjithsesi të tjera nga sa priteshin ndoshta. Sassine sheh një problem në vend, që tregu imobiliar libanez mund ta hidhte mbarë vendin në një krizë të madhe. “Unë kam frikë se çmimet këtu do të njohin një rritje të atillë, sapo të përfundojë lufta civile në Siri”. Shumica e punëtorëve sirianë që punojnë në ndërtim pastaj do të ktheheshin në vendin e tyre, për të rindërtuar shtëpitë, fshatrat e qytetet e tyre. “Pastaj do të kishim kantiere pa punëtorë. Ky pastaj do të sillte versionin libanez të krizës së tregut imobiliar”. A.P.

Marrë me shkurtime nga ZENIT
(Shqip)
Shtuar më 26/08/2014, ora 16:19
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori