Ali Tepelena, sundimtari i rreptë në krahët e gruas së dashur
Pas tablove, statujave, afreskeve, relieveve dhe gravurave kushtuar Skënderbeut, përmes të cilave u përjetësua qëndresa shqiptare gjatë shekullit XV, prej autorëve të huaj është realizuar një numër i madh veprash artistike edhe për figura të tjera të shquara. Ali Pashë Tepelena ka qenë ndër personalitetet më të njohura që tërhoqi vëmendjen e artistëve europianë në fillimet e shekullit XIX. Asokohe kur orientalizmi në vendet perëndimore qe në modë, afërsia e Aliut me Europën ndikoi pozitivisht për t’u hapur rrugën piktorëve, arkitektëve dhe artistëve të tjerë, për të udhëtuar lehtësisht dhe për të krijuar më shumë vepra arti mbi shqiptarët dhe viset shqiptare.

Fakti që pashai tepelenas kishte nën kontroll edhe troje greke, i dha mundësinë të bëhej mikpritësi i arkeologëve e artistëve që interesoheshin e studionin rrënojat e Greqisë së lashtë. Pritja që i bëri Bajronit në sarajet e Tepelenës ndikoi më shumë në popullaritetin e tij, posaçërisht në meset e artistëve, disa prej të cilëve erdhën enkas për të pikturuar portretin dhe vendet ku ai sundonte. Ende nuk mund të përcaktohet se cili ka qenë artisti i parë i ftuar prej pashait, por duke u mbështetur nga veprat që njihen deri më sot, del se arkitekti, arkeologu dhe piktori C. Cockerell, autori i gravurave të bukura “Berati 1813”, “Trimat shqiptarë në ndjekje të armikut”, ka realizuar edhe portretin më të hershëm të tij. Deri vonë njihej vetëm portreti në grafikë, i botuar në librin me shënime nga udhëtimet në Sicili, Greqi dhe në Shqipëri të T. S. Hughes (Travels in Sicily, Greece and Albania, London 1820), por nga kërkime të tjera mësohet se për Aliun është realizuar edhe një pikturë me përmasa më të mëdha. Siç ka shkruar vetë Cockerell, ai qëndroi tri ditë të plota pranë sarajeve të pashait. Pasi përshkruan pallatin madhështor të Aliut, dëshmon më tutje se iu desh shumë kohë për të pikturuar pamjen e fasadës dhe mjediset e brendshme ku ai banonte, si dhe njerëzit e tjerë që jetonin apo lëviznin aty. Tablonë me subjektin e sipërcituar – ku Ali Tepelena me një grup shqiptarësh me veshje karakteristike përbëjnë pjesën më interesante të saj – piktori i ri (në atë vit ishte 25 vjeç), sapo e përfundoi ia dërgoi të atit në Londër. Pas katër vjetësh (1818), tabloja e mahnitshme, siç vlerësohet në librin ku edhe u riprodhua pas më shumë se 150 vjetësh (The Life and Work of C. R. Cockerell, London, 1974, f. 15), u ekspozua në Akademinë Mbretërore të Arteve në Londër. Po në atë botim gjejmë edhe përshkrimin për paraqitjen, mjedisin si dhe pushtetin e Aliut, që vetë Cockerell ngjan se e ka dhënë përmes gjuhës së pikturës. Për Aliun thotë se mbante një kësulë të kadifenjtë, një mantel të bukur e të gjatë dhe tymoste nga një llullë e gjatë perse… Pranë vetes mbante një armë të vogël, të zbukuruar mrekullisht me diamante, një bri për mbajtjen e barutit, ndërsa në dorën e djathtë mbante edhe një freskore prej puplash… Aliu ka ndërtuar rrugë, ka fortifikuar kufijtë, ka shtypur banditizmin dhe i ka dhënë Shqipërisë një pushtet me rëndësi në Europë... Përshkrime të njëjta paraqiten me gjuhën e ngjyrave po ashtu në litografinë e piktorit J. Cartwright, të realizuar në vitin 1917. Në të dyja veprat pashai shqiptar shfaqet me pamje autoritare, me qëndrim impozant dhe i rrethuar nga një mjedis e rekuizitë luksoze. Ndryshe nga Cockerell që kaloi për pak kohë nëpër trojet shqiptare, Cartwright qëndroi më gjatë, madje pati edhe marrëdhënie diplomatike me Aliun si përfaqësues i Mbretërisë së Bashkuar.

Ndërsa dy autorët anglezë ishin të parët që u futën në sarajet e pashait, francezi Louis Dupre mbetet piktori që realizoi tablotë më të bukura dhe më të njohura për Aliun e të afërmit e tij. I ardhur nga Parisi në vitin 1819, ai qëndroi një kohë më të gjatë në Pashallëkun e Jugut, duke gjetur edhe rastin më të mirë për ta pikturuar. Është shkruar se Aliu nuk pranoi t’i pozonte (pak kontradiktore kjo me hobin e njohur të Pashait ndaj arteve, veçanërisht piktorëve që mund ta portretonin, siç janë edhe dy rastet e mëparshme me autorët anglezë). Dupre ruajti rastin për ta vërejtur kur ai po shëtiste në liqenin e Butrintit. Nga kjo përpjekje u realizua tabloja tashmë e njohur me titullin “Ali Pashë Tepelena në liqenin e Butrintit”, e cila u ekspozua për herë të parë në Sallonin e Parisit të vitit 1824 me titullin: Ali Tebelen, pacha de Janinna, à la chasse sur lac Butrinho (Ali Tepelena, pashai i Janinës, duke gjuajtur në liqenin e Butrintit). Figurat e tjera të shqiptarëve me veshjet e tyre tradicionale, të pikturuara në të njëjtën barkë, e japin më të plotë personalitetin e Aliut si dhe atmosferën e asaj kohe. Më e njohur dhe më e përhapur se tabloja është litografia që jep vetëm portretin. Figura e Pashait aty është krejt e ngjashme me portretin në tablo. Duket si një fragment i shkëputur nga piktura që e vendos atë sipër varkës në liqen. Mund të jetë nxjerrë që andej, por duke gjykuar nga pikturimi i hollësishëm i portretit, mund të jetë edhe e kundërta; në fillim është bërë portreti dhe më pas e gjithë tabloja. Qëndrimi impozant, si dhe pikturimi me imtësi i fytyrës, mjekrës, veshjeve dhe gjithë stolisjeve e ornamenteve, e bën jo pak të lëkundur duke e vënë në dyshim mendimin që përmendëm lidhur me kundërshtimin e Aliut. Madje nga disa dëshmi të mëvonshme, del se piktorë të tjerë janë porositur nga vetë Aliu apo të afërm të tij për të realizuar vepra arti, njëlloj siç ndodhte me monarkët e vendeve më të civilizuara të kohës. Nga dokumentet që kanë dalë në dritë vitet e fundit, dëshmohen marrëdhënie të afërta midis Aliut dhe artistëve, siç është edhe rasti i piktorit Giovanni Luisieri që erdhi për të pikturuar në Pashallëkun e Jugut, në kohën kur bënte pjesë në grupin e Lordit Elgin, drejtuesit të ekspeditës arkeologjike për skulpturat e Akropolit në Athinë dhe veprave të tjera të antikitetit grek.

Pas këtyre tablove, të cilat patën ndikim në krijimet e mëvonshme, u realizuan edhe cikle me litografi e gravura për jetën e Aliut. Vetëm një vit pas vdekjes, gjashtë prej punimeve në fjalë u riprodhuan në përmasat 375 x 270 mm në librin e W. Davenport (Historical Portraiture of Leading Events in the Life of Ali Pacha, Vezir of Epirus), përkatësisht pikturimeve të artistit George Sidney Hunt. Edhe pasi trupi i Aliut u nda midis Janinës dhe Stambollit, artistët evropianë vazhduan për disa vjet të pikturonin portretin e tij, duke u mbështetur në krijimet e mëparshme, në përshkrimet e shkrimtarëve dhe historianëve, apo në fantazinë e tyre artistike. Të tjerë që udhëtuan nëpër trojet shqiptare dhe greke, në mungesë të Pashait pikturuan mjediset ku ai kishte jetuar dhe vepruar në fillim të shekullit XIX. Në vitin 1846, Dominique Papety vizatoi dhomën ku pashai u vra sipas urdhrit të Portës së Lartë (Chambre oú fut tué Ali Pacha). Pak vite më vonë, Poer Beresford pikturoi dhomën e pritjes (Auidence chamber of Ali Pacha). Një shekull më pas, Edith Durham nga Jugu vizatoi rrënimet e sarajeve në Tepelenë. Ndërsa në punimet e tjera me titujt: Seraglio di Ali Pacha in Prevesa, Mort d’Ali Pacha, Tomb of Ali Pasha, Palace of Ali Pasha, artistët K. H. Halerstein, Dufrenoy dhe J. D. Harding pikturuan sarajet nëpër krahina të tjera si dhe vendvarrimin e tij në Janinë. Inkursionet e autorëve të huaj drejt vendbanimit të Aliut vazhdojnë edhe në ditët e sotme, siç është rasti i shkrimtares së njohur holandeze Tessa de Loo, e cila në librin e saj Een varken in het paleis, përkthyer në shqip me titullin Miq te Ali Pasha, e befasuar që aty ku dikur ngrihej pallati me një korridor, tani zhgërryhej në baltë një derr me pulla të hirta në kafe, thërret e revoltuar: “Ku kishin mbetur ata: shqiptarët me “fustanellat e tyre të bardha, me një mantel të qëndisur me ar…”? I vetmi reliev me portretin e Bajronit që u vendos në muret e kalasë në vitin 1990, monumenti i Aliut në bronz që u ngrit në hyrje të qytetit në vitin 1997, qoftë dhe disa tablo të realizuara në vite prej artistëve shqiptarë, janë ende pak për të përkujtuar një nga periudhat e rëndësishme të historisë kombëtare në gjysmën e parë të shekullit XIX, që lidhen me figurën kontradiktore të këtij pashai sa rebel e shtetformues, aq edhe mizor e i pabesë.

Kundërshtitë e personalitetit të Aliut janë pasqyruar edhe përmes veprave të autorëve europianë. Por në se në librat me kujtime dhe nëpër monografitë janë evidentuar më tepër krimet, dhuna dhe dredhitë politike, në veprat e artit është vënë në dukje pamja e tij autoritare, si strateg dhe diplomat. Në kundërvënie me librat e mësipërm, që e paraqesin atë si despot oriental me sundimin diktatorial apo disa herë edhe mizor, artistët e kanë pikturuar të qetë dhe paqësor, madje në disa tablo e kanë dhënë përmes tonesh të buta, në çaste idilike, si një burrë i dashuruar. Njihen disa vepra arti ku Aliu është vizatuar në krahët dhe prehrin e gruas së vet, Vasiliqisë së re dhe të bukur, çka na bën të besojmë se ai ishte një objekt dhe subjekt frymëzimi, pra dhe nga rastet e rralla në pikturën e kohës kushtuar figurave të rangut të tij, ashtu siç ishte e rrallë edhe martesa e tij e habitshme sa dhe “romantike” e brenda kodit zakonor shqiptar me një grua 42 vjet më të vogël. Madje për ta nxjerrë në pah çastin intim pranë prehrit të Vasiliqisë, piktorët e kanë shkruar edhe në titujt e tablove të tyre dashurinë midis këtij çifti unik në llojin e vet. Piktori francez Alexander Colin*, vepra e të cilit është kopjuar më pas edhe nga dy autorët e tjerë A. V. Sixdeniers* e S. Kristidhi*, tablonë origjinale e titulloi: Ali Tepelen, pacha de Janina, dans le bras de Vasiliki, sa femme chérie (Ali Tepelena, pashai i Janinës, në krahët e Vasiliqisë, gruas së tij të dashur). Tituj të përafërt kanë përdorur për tablotë e tyre edhe artistët e njohur P. E. Jacobs*, C. M. Geoffroy*, T. Vryzakis*, si p.sh Ali Pasha dhe Vasiliqia etj. Nga riprodhimet e shumta, disa herë edhe nga kopjimet në mënyrë identike prej autorëve pasardhës, këto vepra janë përhapur gjerësisht duke u bërë tepër të njohura. Madje nga përsëritja e motiveve të ngjashme, hasen rrallë rastet kur piktorët evropianë kanë hedhur në telajo e ngjyra vrasjet, asgjësimet apo arrestimet që ai u ka bërë kundërshtarëve të tij, siç paraqitet te tabloja e një piktori grek me titullin The arrest of Katsantoni by Ali Pasha, apo në gravurën e një autori italian Sterminio dei Kardikiotti (Asgjësimi i Kardhiqotëve). Krahas dy vështrimeve më zotëruese, në veprat e artit janë pasqyruar sakaq edhe episode të tjera, përfshi ngjarje të rëndësishme me rrezatim përtej ballkanik që lidhen me figurën e këtij personazhi historik aq kontradiktor. Përveç autorëve të cituar më sipër, me figurën e Ali Pashë Tepelenës apo personazhe të afërm të tij, me pikturimin e mjediseve të ndërtuara apo të rikonstruktuara në kohën kur ai sundoi, si dhe me jehonën e bëmave të tij në vitet në vazhdim, janë marrë edhe artistët H. Allen, R. T. Berthon, T. Couture, E. Delacroix, A. Faucher, E. Finden, A. Friedel, C. A. Hardiviller, J. Hartmann, R. Havell, W. Haygarth, H. Adlard, T. Higham, G. Janet, M. Julien, T. Kelly, S. S. Kirkup, W. L. Leitch, L. Leolir, C. Linzen, J. Mauzaisse, R. Monvision, J. Morier, C. Motte, C. Muller, J. Odevaere, M. Passano, A. Priedet, P. Revoil, G. A. Sasso, F. Stone, Z. Tilliard, S. Vedura, H. Vernet, W. Wenzel. Pjesa më e madhe e tyre janë trajtuar si zëra të veçantë në faqet e kësaj Enciklopedie.

Somario

Njihen disa vepra arti ku Aliu është vizatuar në krahët dhe prehrin e gruas së vet, Vasiliqisë së re dhe të bukur, çka na bën të besojmë se ai ishte një objekt dhe subjekt frymëzimi, pra dhe nga rastet e rralla në pikturën e kohës kushtuar figurave të rangut të tij, ashtu siç ishte e rrallë edhe martesa e tij e habitshme sa dhe “romantike” e brenda kodit zakonor shqiptar me një grua 42 vjet më të vogël. Madje për ta nxjerrë në pah çastin intim pranë prehrit të Vasiliqisë, piktorët e kanë shkruar edhe në titujt e tablove të tyre dashurinë midis këtij çifti unik në llojin e vet.


Ende nuk mund të përcaktohet se cili ka qenë artisti i parë i ftuar prej pashait, por duke u mbështetur nga veprat që njihen deri më sot, del se arkitekti, arkeologu dhe piktori C. Cockerell, autori i gravurave të bukura “Berati 1813”, “Trimat shqiptarë në ndjekje të armikut”, ka realizuar edhe portretin më të hershëm të tij. Deri vonë njihej vetëm portreti në grafikë, i botuar në librin me shënime nga udhëtimet në Sicili, Greqi dhe në Shqipëri të T. S. Hughes (Travels in Sicily, Greece and Albania, London 1820), por nga kërkime të tjera mësohet se për Aliun është realizuar edhe një pikturë me përmasa më të mëdha.

Siç ka shkruar vetë Cockerell, ai qëndroi tri ditë të plota pranë sarajeve të pashait. Pasi përshkruan pallatin madhështor të Aliut, dëshmon më tutje se iu desh shumë kohë për të pikturuar pamjen e fasadës dhe mjediset e brendshme ku ai banonte, si dhe njerëzit e tjerë që jetonin apo lëviznin aty. Tablonë me subjektin e sipërcituar – ku Ali Tepelena me një grup shqiptarësh me veshje karakteristike përbëjnë pjesën më interesante të saj – piktori i ri (në atë vit ishte 25 vjeç), sapo e përfundoi ia dërgoi të atit në Londër.





Ndërsa dy autorët anglezë ishin të parët që u futën në sarajet e pashait, francezi Louis Dupre mbetet piktori që realizoi tablotë më të bukura dhe më të njohura për Aliun e të afërmit e tij. I ardhur nga Parisi në vitin 1819, ai qëndroi një kohë më të gjatë në Pashallëkun e Jugut, duke gjetur edhe rastin më të mirë për ta pikturuar. Është shkruar se Aliu nuk pranoi t’i pozonte (pak kontradiktore kjo me hobin e njohur të Pashait ndaj arteve, veçanërisht piktorëve që mund ta portretonin, siç janë edhe dy rastet e mëparshme me autorët anglezë).







Diciturat:



1. A. Colin, Ali Tepelena, pasha i Janinës në krahët e Vasiliqisë, gruas së tij të dashur. Ekspozuar në Sallonin e Parisit të vitit 1931.

2. P. E. Jacobs, Ali pasha me të preferuara e tij, Vasiliqinë, 1842, koleksion privat gjermani.

3. Ali Pasha dhe Vasiliqia, litografi e vitit 1833, nga Julien sipas tablosë së piktorit R. Monvision.

4. R. Movision, Ali Tepelena dhe Vasiliqia, tablo e vitit 1833.

5. Fragment nga tabloja piktorit L. Dupre, ekspozuar në Sallonin e Parisit të vitit 1824

6. Vizatim i piktorit E. Delacroix, Paris 1824.

7. J. R. Hartman, Portreti i Aliut, 1822, Muzeu Mertropolitan, Nju Jork.

8. Vasiliqia, vizatuar nga C. Linzen.

9. Ali pashë Tepelena në krahët e Vasiliqisë, litografi nga A. Sixdenieris.

10. S. Kristidhi, Ali Pashë Tepelena dhe Vasiliqia, tablo e vitit 1900. (Gazeta Mapo)


http://www.mapo.al/2013/01/26/ali-tepelena-sundimtari-i-rrepte-ne-krahet-e-gruas-se-dashur/
Shtuar më 27/01/2013, ora 16:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori