Kërcënoi disa firma, besniku i Trump largohet përfundimisht nga Gjermania

Pas dy vjetësh në detyrë Richard Grenell u tërhoq nga posti i ambasadorit të SHBA-së në Gjermani. Për një hap të tillë kishte kohë që spekulohej.

Postin e ambsadorit të SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell, përkohësisht e ka marrë tani zëvendësambasadorja Robin Quinville,njoftoi (02.06) një zëdhënës i ambasadës së SHBA-së në Berlin. Tërheqjen etij nga misioni diplomatik Grenell e deklaroi zyrtarisht një ditë më parë (01.06) gjatë një vizite tek presidenti Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Javën e kaluar diplomati 53 vjeçar u tërhoq nga detyra si drejtor ekzekutiv për koordinimin e shërbimeve sekrete të SHBA-së, pasi senati konfirmoi në këtë post, John Ratcliffe.

Eshtë e paqartë se me çfarë do të merret tani Grenell. Sikurse bëhet fjalë ai me gjasë mund të angazhohet për fushatën elektorale të presidentit Trump. Grenell konsiderohet si jashtëzakonisht besnik i presidentit Trump dhe krenohet vazhdimisht për lidhjen e mirë që ka me Shtëpinë e Bardhë.

Aspak miq në Berlinin politik

Si ambasador në Berlin Berlin Grenell e konsideronte detyrën e tij, që të përfaqësojë në mënyrë ofensive politikën e Trumpit në Europë – duke e bërë këtë madje më shumë në mënyrë jo konvencionale dhe jo diplomatike. Me mënyrën e tij aspak diplomatike, diplomati nga Michigani nuk bëri aspak miq në Berlinin politik.

Kontakti i tij më i mirë në radhët e qeverisë gjermane ka qenë me ministrin e Shëndetësisë, kristian-demokratin Jens Spahn. Në Ministrinë e Jashtme si dhe në zyrën e kancelares nuk pritej mirë mënyra si ai e drejtonte postin e ambasadorit të SHBA-së. Madje nga radhët e opozitës ka pasur herë herë kërkesa për ta shpallur atë si “person të padëshiruar” në Gjermani.

Ambasadori amerikan, Grenell kërcënoi hapur firmat gjermane me sanksione, nëse vazhdojnë të bashkëpunojnë me Iranin. Buxhetin ushtarak gjerman, Grenell e vlerësonte si shumë të vogël dhe kërcënonte me largimin e ushtarëve amerikanë nga Republika Federale. Po ashtu ai shprehej hapur kundër gazsjellësit të Balltikut Nord Stream 2.

Grenell është i ngarkuar nga administrata e presidentit Trump edhe si ndërmjetësues në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve./DW


Shtuar 3.06.2020 07:52