20-vjeçarët, brezi i humbur i Europës
Java e kaluar shënoi kulmin e krizës së papunësisë në shumë vende të Bashkimit Europian. Ata që e vuajnë kryesisht më shumë këtë situatë të rëndë janë të rinjtë e kualifikuar. Ja çfarë mendojnë disa prej tyre nga Athina në Madrid

Të jesh i ri është gjithmonë diçka e bukur, por edhe e vështirë. Por të jesh mbi të njëzetat dhe të jetosh në Europë nuk ka qenë kurrë më parë kaq stresuese. Mbi 28% e italianëve, nga 16 deri në 24 vjeç, janë të papunë. Të tjerët janë duke u përpjekur që të zënë ndonjë punë me kohë të pjesshme të paktën sa për të paguar sigurimet shoqërore. Kryeministri i ri italian, Monti, është zotuar që në fillim të mandatit që të ndihmojë të rinjtë, në mënyrë të veçantë, duke premtuar, veç të tjerash, që t’ua lehtësojë për shembull hapjen e një biznesi, por masat shtrënguese të buxhetit e kanë bërë thuajse të pamundur këtë ndihmë dhe shumëkush tashmë ndihet i pashpresë. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për Italinë, sepse kjo do të ishte gjysma e së keqes. E gjithë Eurozona është përfshirë nga kjo krizë, nga mungesa e shpresës që ndihet dukshëm te të rinjtë. Sipas Eurostat, instituti zyrtar i statistikave të Bashkimit Europian, 16.3 milionë njerëz janë të papunë në 17 vende, pjesë të Eurozonës. Historia e një brezi të humbur është duke u shndërruar në një skandal për të gjithë kontinentin. Në Spanjë, 51% e të rinjve nga 16 deri në 24 vjeç janë të papunë. Në Greqi kjo shifër është 43%. Kriza e Eurozonës po përkeqësohet gjithnjë e më shumë. Në rastin e Italisë, kur Kryeministri deklaroi se shtetit i duhej një periudhë sakrifice në shumë vende të saj, sakrificat tashmë ishin bërë. Marrim një shembull, qytetin e vogël të Civita Castellana, 65 kilometra në veri të Romës. Ai është një nga qendrat më të mëdha industriale të rajonit. Vite më parë, thuajse 90% e njerëzve ishin të punësuar në uzinat dhe punishtet e porcelanit për të cilat qyteti është i famshëm. Dhe në këtë vend, ajo që tashmë konsiderohet si “krizë”, erdhi shumë më shpejt se kudo gjetkë. Vendi nisi të vuajë pasojat e globalizmit me konkurrencën e porcelanës kineze shumë të lirë dhe të mirë. Si pasojë, shumë fabrika u mbyllën dhe mijëra vetë mbetën pa punë. Sa për krizën e borxheve, ajo u shfaq në vitin 2008, që do të thotë se edhe ata që e kishin një vend pune, nisën që ta humbisnin në masë. Humbjen më të madhe e pësuan të rinjtë që pas shkollimit nuk gjenin dot punë. Tani ky problem me të cilin po përballet ky qytet i vogël italian është shndërruar në problemin e një kontinenti të tërë. Ja rrëfimet e disa të rinjve nga vende të ndryshme...

Itali

Maria Francesca Zozi, 26 vjeçe, e diplomuar për arte

Zakonisht dëgjoj të më thonë se kam zgjedhur një degë me të cilën do të vdes urie, sepse tregu nuk ka kërkesa. Mua më duket e padrejtë që të jetë kështu. Qeveria investon në sektorë të ndryshëm pa shkurtime dhe po redukton shpenzimet për artin, median dhe shkollimin. Kjo është qesharake. Puna është se sektori publik që ka në vete pjesën më të madhe të trashëgimisë sonë artistike është i korruptuar dhe ineficient. Unë kam shumë projekte në mendje dhe do të doja të ndiqja shumë kurse për t’u thelluar, por nuk kam para dhe nuk di ku të punoj më pas.

Elissa Di Pietro, 25 vjeçe, e papunë, shitëse

Kam kërkuar shumë për një punë kur lashë shkollën 6 vjet më parë. Gjeta punë si shitëse më në fund në Romë, me një kontratë me afat të shkurtër. Punëdhënësi im ma rinovoi sërish kontratën derisa një ditë ma ndërprenë. Më pushuan mua dhe dy të tjera. Kam një vit e papunë dhe nuk kam asnjë shans që të gjej më. Si unë, janë pjesa më e madhe e shitëseve sot.

Michaela Stentella, 26 vjeçe, juriste

Sapo jam diplomuar për ligje dhe nisa të trajnohem në një firmë në qytetin tim, Viterbo. Sigurisht që nuk më paguajnë. Të vetmit që paguhen për këto lloj trajnimesh janë fëmijët e avokatëve. Monti flet për liberalizimin e profesioneve dhe kjo na e bën edhe më të paqartë të ardhmen. Nuk kam asnjë ide se ku do të punoj që të marr ca para.

Elena Cirioni, gazetare radioje

Kam punuar për dy vjet si kursante në një radio lokale që nuk më pagoi kurrë për punën. Për fat gjeta një mundësi tjetër, në një radio private. Punoj 20 orë në javë dhe më paguajnë 200 euro në muaj. Ëndrra ime ka qenë që të bëhem aktore dhe shpresoj ende. Problemi është se në Itali kultura është braktisur plotësisht nga shteti dhe nuk ka para për aktorët e rinj.

Greqi

Viktimat e mëdha të krizës ekonomike greke janë të rinjtë, gratë dhe burrat që nuk i njohën kurrë kohët e mira të bumit dhe tani duhet që të mbajnë mbi shpatulla programet më të rrepta të reduktimit të shpenzimeve, me të cilat është përballur Europa e pasluftës. Me papunësinë në një pikë rekord, për herë të parë që nga vitet ‘60, është arritur shifra 18% e popullsisë e papunë. Një në katër të papunë është i ri. E ardhmja është edhe më e errët me biznese që po mbyllen vazhdimisht. Mungesa e punës, perspektivës dhe trajnimeve profesionale paralajmërojnë një të ardhme edhe më të vështirë. Do të duhen të paktën dhjetë vjet që vendi të marrë veten nga rrënimi në të cilin ndodhet aktualisht. Grekët e rinj po zhvendosen në masë, në kërkim të punëve jashtë vendit, kryesisht në Australi dhe shtete të tjera europiane.

Christos Xeraxoulis, 24 vjeç, i papunë, shef kuzhine

Jam një shef kuzhine i shkolluar dhe prej muajsh jam në kërkim të një pune. E kam çuar CV time në shumë hotele dhe restorante në të gjithë Greqinë, por vetëm 50% e aplikimeve më janë përgjigjur, por edhe ato negativisht, që do të thotë se pjesa tjetër e hoteleve ose janë mbyllur, ose janë në vështirësi financiare. Po shoh edhe për punë në vende të tjera të Europës, ku kam ca të afërm, por nuk kam marrë përgjigje. Por jam optimist. Greqia duhet të ndryshojë. Gjithçka duhet ndërtuar nga e para. Kanë ndodhur aq shumë gjëra të këqija, sa nuk mund të çndreqeshin më. Ne arritëm vërtet aq në pikë të hallit, sa të importim limonët dhe ullinjtë nga Argjentina.

Evangelina Hadzichristofi, 26 vjeçe, e papunë, dizenjatore

Kam gjithë vitin e kaluar që kam kërkuar për një punë. Është vështirë që ta gjesh. Jam dizenjatore e ambienteve të brendshme dhe ajo çka kam bërë tani janë vetë internshipet pa pagesë, sepse askush nuk të paguan më. Kam kërkuar për punë të tjera jashtë profesionit tim, si për shembull sekretare, recepsioniste, shitëse etj., dhe përgjigjja që kam marrë ka qenë gjithmonë “jo”. Jam në një moment që po numëroj çdo monedhë që po nxjerr nga xhepi dhe shpesh u kërkoj prindërve që të më ndihmojnë. Po aplikoj për punë jashtë vendit dhe jam në pritje.

Spanjë

Është fatkeqësi që të jesh në të 20-at në Spanjën e sotme. Sipas shifrave të fundit, të papunët e rinj përbëjnë shumicën e të papunëve në tërësi dhe numri i tyre në vend ka kaluar kufirin e 5 milionëve. Dhe të mendosh që ky brez të papunësh shpesh është konsideruar si më i mirëshkolluari në vend. Edhe nëse të rinjtë mund të quhen me fat për të pasur një punë, pjesa më e madhe zënë punë me një pagë shumë të vogël, sa për të mbuluar sigurimet shoqërore. Opsionet më të zakonshme janë internshipet pa pagesë, por me shpresë se do të paguhen një ditë, punët me kohë të pjesshme që i lejojnë punëdhënësit që t’i pushojë nga puna të rinjtë pa paralajmërim. Aktualisht situata është shumë kritike siç e theksoi edhe vetë Kryeministri në fjalimin që mbajti në Bruksel, në të cilin i kërkoi atij më shumë realizëm për Spanjën e cila po bën përpjekje të jashtëzakonshme për të kursyer dhe për të reduktuar deficitin, përpjekje me kosto shumë të madhe sociale. Vendi është në prag të një tjetër recesioni, që këtë herë do të ishte dërmues. Një dhjetëvjeçar më parë, në Spanjë doli termi “mileurista” ose “njëmijë eurosh” për ata të rinj që punësoheshin vetëm me 1 mijë euro në muaj, që për kohën ishte pak. Tani situata është aq e rëndë, sa të rinjtë ëndërrojnë për atë 1 mijë eurosh.

Eduardo Cana, student, 23 vjeç

Po studioj gazetari dhe ekonomik dhe deri më tani ia kam dalë të gjej ndonjë punë të vogël tek-tuk si kamerier nëpër bare dhe lokale, në ndërtim, në mbledhjen e frutave gjatë verës. Nuk kam marrë kurrë më shumë se 7 euro në orë. Kam punuar më pas edhe në një gazetë, por pa para. Ndërsa një mikesha ime punon në gazetë për më pak se 400 euro në muaj. Kontrata e saj aktuale mbaroi dhe ata më thirrën që ta zëvendësoja, por me gjysmën e rrogës së saj. Mua m’u duk një ofertë e turpshme dhe ua përplasa surratit. Në qershor, mbaroj shkollën dhe nëse nuk më del ndonjë gjë këtu në vend, do të iki jashtë.

Adriano Justicia, 25 vjeç, fotograf i papunë

Jam fotograf dhe kam edhe një diplomë për filma, por nuk kam mundur kurrë të gjej një punë në këto profesione. Kam punuar si kameraman në disa fondacione bamirëse me një pagë shumë të vogël. Jam shkolluar në Berlin ku edhe punova pa para për t’u kualifikuar. Erdha në Spanjë dhe nuk po gjej asnjë punë. Nëse situata vazhdon e tillë, do të kthehem në Berlin dhe do të punoj sërish pa para në atë studio, ndërsa natën do të laj pjatat për të mbajtur veten gjallë.
(Gazeta Shqip)
Shtuar më 31/01/2012, ora 15:21

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori