Stacioni hapësinor në alarm nga mbetjet në orbitë
Ekipi u strehua në kapsulën e emergjencës pas frikës

Ekipi i austronautëve që po punojnë aktualisht në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar u strehua përkohësisht në kapsulat e emergjencës pasi disa mbeturina njerëzore rrezikuan të godasin stacionin dhe të rrezikonin dëmtimin e tij, njoftoi BBC.

Copat e mbeturinave qenë pjesë të një rakete të shpërthyer ruse dhe u dalluan të premten. Austronautët vendosën të strehohen te kapsulat e emergjencës pasi u pa se qe tepër vonë për të lëvizur platformën.

Copat e rrezikshme kaluan afro 335 metra larg stacionit, pas të cilit gjithçka u kthye në normalitet. Kjo është hera e tretë në 12 vjet që stacioni rrezikon të përplaset me mbetje me origjinë nga toka në hapësirë. Stacioni hapësinor është aktualisht nën drejtimin e tre rusëve, dy amerikanëve dhe një holandezi. Ata u urdhëruan nga qendra e komandës në tokë që të lëvizin në kapsulën Soyuz, e cila do të shkëputej për t’i dërguar austronautët shëndoshë e mirë në tokë në rast të dëmtimit të stacionit.

Agjencia hapësinore amerikane NASA monitoron rreth 22 mijë objekte që qarkullojnë në orbitë të ulët me tokën, por gjatë viteve vlerësohet se miliona objekte hanë hedhur në hapësirë nga projektet e eksplorimit të njerëzve. Mbetjet hapësinore kanë përmasa që variojnë nga disa centimetra deri në copa të mëdha raketash të shpërthyera apo satelitësh të dalë nga kontrolli. Të gjitha udhëtojnë me shpejtësi shumë kilometra për sekondë dhe mund të shkaktojnë dëmtime të rënda te satelitët apo te stacioni hapësinor në rast se përplasen.

Rasti kur u prodhuan më shumë copëza njëherësh ndodhi më 2007, kur Kina përdori një raketë për të shkatërruar një nga satelitët e vet. Shpërthimi shkaktoi më shumë se 3 mijë objekte që monitorohen nga toka dhe rreth 150 mijë objekte më të vogla. 24 Mars 2012.
(Gazeta Shqip)
Shtuar më 24/03/2012, ora 14:36

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori