Njeriu më i gjatë në botë ndalon së zgjaturi me ndihmën e mjekëve
Sultan Kosen është 29 vjeç, i gjatë 2,51 m dhe mban këpucë me numër 52. Prej 10 vjetësh vuan nga një sëmundje që e ka çuar drejt gjigantizmit. Që nga viti 2010 ai është pjesë e rekordeveGuines” si njeriu më i gjatë në botë. Por tani ai nuk po rritet më. Mjekët amerikanë në Universitetin e Virxhinias, Charlottesville, arritën të ndalnin gjigantizmin e mëtejshëm të të riut turk përmes një terapie të ndërlikuar farmaceutike.

Më parë atij i ishte hequr një tumor në gjendrat e hipofizës (gjendër endokrine e vendosur në bazën e trurit, që përpunon disa hormone dhe mbikëqyr funksionin e gjendrave të tjera endokrine) i cili e pengonte që të normalizonte aktivitetin e qelizave të tij, derisa e shndërroi në një gjigant.

I lindur në një qytet në jug të Turqisë, Kosen ishte një fëmijë si gjithë të tjerët deri në moshën 10-vjeçare. Më vonë tek ai u zhvillua një patologji e quajtur “akromegalia”, që e çoi drejt gjigantizmit. Falë, ose më mirë të themi për faj të kësaj sëmundjeje, emri i tij ka hyrë shumë shpesh në librin e rekordeveGuines”, si njeriu më i gjatë i planetit. Me një gjatësi prej 2,51 metrash, ai është aktualisht njeriu më i gjatë në botë.

Një gjë për të cilën i riu ndihet krenar dhe ka arritur të përfitojë nga gjatësia e tij jo e zakontë, është fakti se duke qenë i famshëm, ka udhëtuar në vende të ndryshme të botës, ku ka dhënë autografe apo ka bërë fotografi, por popullariteti i madh nuk ja “dëmshpërblen” do të gjitha vështirësitë që i është dashur të kalojë në jetë për shkak të përmasave të tij jo të zakonshme.

Prapa pamjes prej fitimtari fshihet në fakt, një histori shumë e trishtë, pasi ai asnjëherë nuk ka pasur mundësinë e një jete normale si të gjithë bashkëmoshatarët e tij.

Shumë herë ankohet se nuk arrin dot të gjejë një makinë që t’i përshtatet trupit të tij dhe mbi të gjitha, një të dashur: “Vajzat kanë frikë nga gjigantët”, - thotë i riu.
(Gazeta Shqip)
Shtuar më 14/03/2012, ora 18:05

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori