“Kam videon, ky ishte personi që e hipi në makinë”, Hoxha: Kush e zhduku Shenasi Lohën?

Gazetari Artan Hoxha ka zbardhur detaje të reja në lidhje me zhdukjen e Shenasi Lohës që prej mesit të marsit të këtij viti. I ftuar në Abc Live me Sibora Bitrin, Hoxha tha se Loha ka qenë fillimisht në Ekuador ku mund të ketë patur lidhje me trafikantët shqiptarë të kokainës dhe më pas është kthyer në vend përmes Kosovës.

Pas zhdukjes së tij, familjarët kanë shkuar te policia e Lushnjes dhe kanë kërkuar informacion, por ata i kanë thënë se nuk kishin të dhëna por se dyshonin se mund të ishte kthyer sërish në Ekuador.

Sipas Hoxhës, për herë të fundit, Shenasi Loha është parë në një restorant në Lushnje me një person të njohur si autor i një atentati me armë ndaj Edison Begajt në Vlorë.

Hoxha tha se i kishte këto pamje dhe do t’i publikonte më pas, ndërsa hodhi dyshime të forta mbi faktin se Loha mund të ishte zhdukur pikërisht në Shqipëri gjatë kësaj periudhe kur edhe është fiksuar për herë të fundit në kamera.

“Pasi kanë dalë nga restoranti ata kanë hipur në makinën e marrë me qira nga një person me inicialet M.P dhe kanë lëvizur nga ai restorant. Nga ky moment nuk ka më detaje për vendndodhjen e Shenasi Lohës”, tha Hoxha.