Basha sfidë Berishës: S’të kam hyrë në hak, më është rritur mbështetja në 97% te baza demokrate

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shprehur se përgjigja për të në bazën e partisë është rritur nga 95% në 97%.

Komentet ai i bëri gjatë një pyetjeje që i’u bë nga një gazetar, në konferencën me gazetarë të mbajtur ditën e sotme.

Gjithashtu Basha është shprehur se nuk i ka hyrë në hak Berishës, pasi sipas tij ai ka bërë gjithçka që çështja e tij të mbyllej sa më parë.

“Meqë ra fjala, mbështetja në bazë për mua ka kaluar 97 % këto ditë, jo 95%”, deklaroi Basha.

“Të dëgjoj akuza nga goja e Sali Berishës apo disa pseudo-mbështetësve të tij, tregon se kur bëhet fjalë për interesin e shqiptarëve, unë jam peng vetëm i perëndisë, vetëm i Zotit. Zotit mund t’i kem hyrë në hak, por Sali Berishës jo. Për 3 muaj kam bere gjithçka, jam ulur shumë herë me Sali Berishën, që të arrinim një zgjidhje që nuk dëmtonte PD. Kam pritur, që siç kishte deklaruar vetë, që këtë betejë ta bënte pa përfshirë PD dhe grupit parlamentar. Kur këtë veprim nuk e konkretizoi, atëherë kam marrë vendimin, të vetmin vendim që ishte në favor të PD dhe shqiptarëve. Një person përpiqet të bëjë gjithçka për të marrë një parti të tërë peng vetëm për interesat e tij. Deri para dy muajsh nuk kishte asnjë problem me mua, tani po.

Para pak muajsh ne kishim zgjedhje në PD, me parimin një anëtar një votë, dhe çdokush mund të kandidonte. Rezultati dihet, dihet përqindja dërrmuese e votave që kam marrë. Tani më thoni pak çfarë ka ndryshuar që atëherë? Përveç interesit personal të një individi, që përpiqet të hedh një parti të tërë në greminë. Unë nuk kam ndërmend t’i përgjigjem gënjeshtrave flagrante që thuhen kundër meje dhe që gjenerohen pastaj përmes një makinerie.

Aksionerë të fshehtë është edhe Edi Rama, edhe dikush tjetër. Sepse nuk është stili im, as rruga ime, por mbi të gjitha nuk ju shërben demokratëve e Shqipërisë. Vendimi im ka qenë prej lidershipi, vendim që duhet ta merrja e jo të shihja PD të zhytej në humnerë. Ky është vendim i marrë jo për mua, po për demokratët, dhe i qëndroj 100%”, u shpreh Basha./albeu.com/