Turqia e Erdoganit, 20 vjet akrobaci për rikrijimin e Perandorinë Osmane

Nga Lucio Caracciolo “La Repubblica

Përktheu: Alket Goce-Albeu.com

Më 3 nëntorin e vitit 2002, partia e tij korri një fitore të madhe në zgjedhjet parlamentare.

Ajo datë është çertifikata e lindjes së “Sulltanit të ri”. Një ditë historianët do të flasin për “Epokën e Erdoganit” për të përshkruar 20 vitet e fundit të Republikës Turke, të karakterizuara nga epërsia e presidentit aktual të saj.

Cilido që ka ndonjë lidhje me të, pavarësisht nga gjykimi i tij politik apo ideologjik, e percepton peshën e personalitetit të tij egocentrik. Të gjithëve na kujtohet deklarata e ish-kyeministrit italian Mario Draghi, që e cilësoi hapur një “diktator”.

Por ajo që ka rëndësi nuk është dhe aq shumë fuqia e madhe e Erdogan, por aftësia e tij për t’i ofruar vetes një referencë si për masat islamike-konservatore në thëllësi të Anadollit, po ashtu edhe për një pjesë të madhe të elitës kemaliste. Ambicia e Turqisë për t’u ngjitur në rangun e një fuqie të madhe botërore, mbështetet pikërisht tek ky “kompromis historik”.

Në këtë mënyra ajo ka kryer shndërrimin më shumë se 30-vjeçar nga një vend gardian i NATO-s në kufirin jugor të Bashkimit Sovjetik, në një fuqi autonome, të përqendruar në interesat e saj kombëtare. Në fakt më shumë se kombëtare, perandorake.

Periudha 20-vjeçare e Erdoganit në krye të vendit, e ka diktuar trajektoren gjeopolitike të Turqisë – e mbijetuar mrekullisht nga Lufta e Parë Botërore – mes njëmijë kontradiktash, pasigurish dhe disfatash, dhe drejt rikonfirmimit të ndikimit të saj historik perandorak. Pra edhe të Kalifatit. Prandaj edhe Erdogan e sheh veten si mbrojtës të myslimanëve kudo që janë. Origjina e tij ideologjike e Vëllazërisë Myslimane nuk është më e rëndësishme si dikur – edhe sepse Vëllazëria duket se gjendet në një krizë me pasoja – por kjo ndikon edhe në vizionin e tij për botën.

Por kjo nuk e pengon atë për të riparuar të paktën pjesërisht marrëdhëniet e privilegjuara me Izraelin që Turqia kishte krijuar në shekullin e kaluar, pa hequr dorë nga mbështetja për kauzën palestineze, për atë pak peshë që ka ende kjo e fundit në botën arabo-islamike.

Nëse shohim sot hartat e Euroazisë dhe Afrikës, do të zbulojmë se sa i përhapur është imperializmi turk. Nga Azia Qendrore në Lindjen e Mesme, nga Afrika Veriore në Sahel, nga Ballkani në Mesdhe, bien menjëherë në sy gjurmët e rënda të ndikimit turk.

Ne italianët dimë diçka për të. Njëqind vjet pas ekspeditës ushtarake të Giolitti-t në Libi, të nënshtruar nga osmanët, turqit i gjejmë sërish në Tripoli. Nesër ndoshta edhe në Cyrenaica, objektivi i tyre strategjik, sidomos nëse rusët do të dërgonin mercenarët e Wagner që ndodhen aktualisht në Libinë Lindore.

Strategjia e Erdoganit dhe e forcave të armatosura që e mbështesin atë, është ta shndërrojnë fuqinë e Anadollit në një fuqi detare. “Atdheu Blu”, një markë e shpikur nga një admiral që nuk e simpatizon aspak presidentin e saj, konfirmon mbështetjen e strukturave të thella të shtetit turk për ekspansionizmin e tij neo-perandorak.

Sigurisht që ky vizion nuk është një shpikje e Erdoganit. Është misioni afatgjatë që i shoqëron turqit, ideja e të cilëve për veten e tyre është dukshëm më e lartë se sa burimet që kanë në dispozicion. A është një aftësi e presidentit turk ruajtja e ekuilibrimit mbi këtë kontradiktë?

Po. Të paktën deri tani. Përpjekja për rikrijimin e perandorisë, e nxit Erdoganin të lëvizë jashtë vizionit të SHBA-së mbi NATO-s, ndonjëherë edhe haptazi kundër, por pa u prishur me Uashingtonin. Marrëdhënia e tij intensive me Vladimir Putinin, e balancuar nga ndihma ushtarake e Ankarasë për ukrainasit, është dëshmi e sjelljes balancuese të Erdoganit.

Kjo Turqi nuk do t’i vendosë kurrë të gjitha “vezët” e saj në një shportë. Kështu pas vendosjes së ndikimit në Tripoli, Erdogan inkurajoi zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare me Italinë, historikisht një nga partnerët evropianë më të vlerësuar në Ankara. Ndoshta vitin e ardhshëm, nën presionin e luftës, të inflacionit galopant, dhe të kundërshtimit të segmenteve të konsiderueshme të opinionit publik ndaj paternalizmit të tij të ashpër, por mbi të gjitha për shkak të qëndrimit të tej-zgjatur në pushtet, Erdogan nuk do të arrijë t’i fitojë sërish zgjedhjet. Por cilido që do ta pasojë në krye të vendit vështirë se do të devijojë nga kursi gjeopolitik i 20 viteve të fundit. Edhe sepse nëse do ta provonte, nuk mund të ishte i sigurt nëse do ta çonte deri në fund mandatin e tij. /albeu.com


Shtuar 7.11.2022 10:05

Tags: