Lajm i mirë për Shqipërinë, FIFA dënon Hungarinë

Përfaqësuesja shqiptare e futbollit merr një lajm të mirë nga FIFA, për ndeshjen e radhës eliminatore të Botërorit, kundër Hungarisë, që do të zhvillohet më 9 tetor. Kjo sfidë e “Puskas Arenas” do të luhet pa tifozë.

“Komiteti Disiplinor i qeverisë së futbollit botëror ka sanksionuar dhe gjobitur Federatën Hungareze të Futbollit për sjelljen raciste të një numri të konsiderueshëm tifozësh gjatë ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës, “Katar 2022”,  kundër Anglisë, e luajtur më 2 shtator.

Pas vlerësimit të të gjitha rrethanave të çështjes, veçanërisht seriozitetit të incidenteve (fyerjet dhe sjelljet raciste, hedhja e objekteve, përdorimi i fishekzjarreve, bllokimi i shkallëve), Komisioni ka vendosur që Hungaria të luajë ndeshjen e radhës si pritëse pa tifozë dhe, në rast të përsëritjes së shkeljes gjatë dy viteve të ardhshme, do të zbatohej dënimi me një tjetër ndeshje pa tifozë.

Komisioni ka vendosur gjithashtu për Hungarinë një gjobë prej 150 000 eurosh. FIFA kundërshton në mënyrë të prerë dhe të qartë të gjitha format e racizmit ose dhunës, si dhe çdo lloj diskriminimi ose abuzimi tjetër, dhe nuk do të tolerojë aspak sjellje të tilla të gabuara në futboll,” – lexohet në këtë vendim.

Shqipëria, e cila e mposhti 1-0 Hungarinë në “Elbasan Arena” falë finalizimit të Armando Brojës nuk do të ndjejë presionin e tifozëve hungarezë në “Puskas Arena”. Kuqezinjtë do të tentojnë fitoren në këtë transfertë, për të kërkuar me pas me çdo kusht suksesin kundër Polonisë, në shtëpi. 6 pikë në dy ndeshjet e radhës do të ishte përcaktuese për vendin e dytë në Grupin I, ku Anglia duket e se ka prenotuar vendin e parë.


Shtuar 21.09.2021 17:46