Finalja e Botërorit theu rekordet në rrjetet sociale
Kampionati Botëror i Futbollit është një ndër ngjarjet më të rëndësishme që zhvillohet njëherë në katër vjet. Ky kampionat është finalizuar këtë vit me fitoren e Gjermanisë, i cili fitoi për herë të katërt Kupën e Botës. Finalja e zhvilluar mes Gjermanisë dhe Argjentinës ishte edhe një nga ngjarjet më të komentuara në rrjetet sociale.

Që me fillimin e turneut të futbollit muajin e kaluar rrjetet sociale si Facebook dhe Twitter zbuluan një sërë veçorish që i dedikoheshin kampionatit. Zhvillimi i lojës, golat e shënuara, rezultatet e papritura, të gjitha këto kanë bërë që njerëzit t’i përdorin rrjetet sociale, si Facebook dhe Twitter, për të shprehur mendimet e tyre, pakënaqësitë apo edhe vërejtjet.

Gjatë gjithë zhvillimit të kampionatit ka pasur një bum komentesh, postimesh dhe pëlqimesh në rrjetet sociale Facebook dhe Twitter, por finalja i tejkaloi këto duke thyer rekordet në të dyja rrjetet sociale.

Facebook zbuloi se numri total i ndërveprimeve nga përdoruesit e saj, ku përfshihen komentet, posimet dhe pëlqimet rreth finales së Kupës së Botës, arritën në 280 milionë. Mbi 88 milionë përdorues ndërvepruan në Facebook gjatë finales, duke e bërë atë ngjarjen më të përfolur në rrjetet sociale në botë. Ky titull është mbajtur më parë nga Super Bowl në vitin 2013, shkruan krokodili.com.

Finalja theu edhe rekordet për cicërimet më shumë të dërguara në minutë në Twitter. Rekordi i mëparshëm ishte vendosur në këtë kampionat kur Gjermania mundi Brazilin 7 me 1 në gjysmëfinale. Twitter zbuloi se ishin postuar rreth 580,666 cicërima në minutë gjatë gjysmëfinales. Ndërsa në finale u postuan rreth 618,725 cicërima në vetëm një minutë.

Gjysmëfinalja megjithatë mban rekordin për cicërimat më të shumta të dërguara gjatë gjithë ndeshjes, ku u postuan rreth 35.6 milionë cicërima në krahasim me finalen që u postuan rreth 32.1 milionë cicërima.
Shtuar më 16/07/2014, ora 12:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori