Kundërofensiva e Ukrainës një sukses, por a do të arrijë të mbajë kontrollin e zonave të çliruara

The Economist

Kundërofensiva e ashpër e Ukrainës në frontet e saj lindore dhe jugore ka shkaktuar kaos tek forcat ruse. Forcat ukrainase kanë çliruar dhjetra fshatra dhe qytete në ato rajone të Ukrainës që Vladimir Putin i shpalli ilegalisht pjesë të Federatës ruse.

Kundërofensiva e Ukrainës fillimisht ishte e përqëndruar në rajonin e Kharkiv në lindje dhe Kherson në jug.

Por sa territore ka çliruar Ukraina deri më tani dhe a do të arrijë t’i mbajë në kontroll?

Ushtarët e Ukrainës kanë shënuar sukses mahnitës në lindje. Ata filluan një sulm të befasishëm më 5 shtator, duke goditur vijën mbrojtëse të Rusisë në jug-lindje të qytetit Kharkiv.

Humbjet e shpejta të bastioneve strategjike, duke përfshirë Izyum dhe Kupyansk, e detyruan ushtrinë ruse të tërhiqej.

Volodymyr Zelensky, presidenti i Ukrainës, pretendoi më 12 shtator se forcat ukrainase kishin rimarrë mbi 6,000 kilometra katrorë territor që nga fillimi i muajit, shumë më tepër se sa kishte pushtuar Rusia gjatë muajve të fundit, raporton abcnews.al.

Kundërofensiva e Khersonit në jug ka ecur me një tjetër ritëm. Sulmi i shumëpritur atje tregoi pak shenja përparimi gjatë muajit shtator.

Kjo ndryshoi në fillim të tetorit, kur forcat ukrainase zmbrapsen ushtarët rusë përgjatë bregut perëndimor të lumit Dnieper përtej qytetit të Dudchany, 30 km nga vija e mëparshme e frontit.

Ukraina vazhdoi të shënonte fitore të mëdha në veri të Khersonit më 4 tetor, duke i detyruar trupat rusë të rigrupohen rreth Mylove, 15 km në jug. Trupat ukrainase që atëherë vazhdojnë të përparojnë dhe besohet se po rigrupohen për të kaluar Snihurivka, 45 km në veri-lindje të qytetit Kherson.

Situata në terren vazhdon të ndryshojë dhe në disa vende është ende e paqartë. Ka zona ku forcat ruse kanë përparësi ose vazhdojnë të kryejnë sulm por që nuk i kanë në kontroll.

Ukraina padyshim mban vrullin. Në lindje, trupat e saj po përparojnë në Kreminna dhe Svatove në veri të Luhanskut, i vetmi nga katër rajonet e aneksuara ku Rusia pothujase ka marrë në kontroll të gjithë rajonin.

Forcat ukrainase shpresojnë se do të zmbrapsin rusët në pozicionet që ata kishin në Luhansk dhe Donetsk përpara pushtimit në shkallë të plotë në shkurt. Ukraina kërkon të marrë jugun e Khersonit, por mundësitë mund të jenë të pakta.

Fuqia e forcave ruse pritet të rritet, me mijëra trupat që do të jenë pjesë e ushtrisë së shpejti. Edhe nuk janë trajnuar mjaftueshëm, ata do të marrin pjesë në luftën e Putinit.

Por me ardhjen e dimrit brenda disa javësh, situata mund të ndryshojë, për sa i përket përparimit të forcave ruse.