Po kthehet në luks, shqiptarët po pinë më pak kafe se një vit më parë

Kafja e mëngjesit, nga një rutinë e përditshme për shqiptarët po kthehet në luks. Rritja e çmimeve në lokale, por edhe shtrenjtimi i vazhdueshëm i jetesës, ka ulur ndjeshëm konsumin. Të dhënat e doganave tregojnë se për gjysmën e parë të vitit, importet e kafes kanë rënë me rreth 12%.

Në periudhën janar- qershor 2022 janë importuar rreth 3643 tonë kafe, krahasuar me 4133 tonë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shtrenjtimi i faturës për kafe dhe makiato po shkaktohet pjesërisht edhe nga kostot e shtuara për produktet bazë. Sot, 100 gramë kafe e bluar kushton mesatarisht 131 lekë, çmim ky 9,2% më i lartë se një vit më parë.

Personat që e preferojnë kafen me qumësht dhe sheqer duhet të marrin parasysh edhe rritjen e çmimit të qumështit me 17,3%, tani në 137 lekë për litër, ndërsa sheqeri është shtrenjtuar me 38,7% për vetëm një vit, në 113 lekë për kilogram.

Për ngushëllim, më shtrenjtë për kafen po paguajnë edhe europianët. Çmimi i kafesë në vendet e Bashkimit Europian, u rrit mesatarisht 16,9 %. Çmimi i qumështit të freskët u rrit mesatarisht 24,3%, ndërsa inflacioni vjetor i sheqerit ishte 33,4%, më pak se në Shqipëri./A2 CNN