PD tre mandate në opozitë, Berisha: Jo meritë e qeverisë, por për dobësinë tonë

Kreu i PD-së Sali Berisha deklaroi se partia e tij është për herë të tretë në opozitë dhe jo për meritë të qeverisë, por për dobësinë e opozitës.

Ai shtoi se për herë të parë në 30 vite dora e qeverisë është shtrirë mbi opozitën duke i krijuar idenë shqiptarëve sikur Rama është i pandalshëm.

“Jemi në mandatin e tretë në opozitë dhe jo për meritë të qeverisë por për dobësinë e opozitës. Kemi pasur një qeveri të bazuar në skandale. Ky udhëtim i opozitës në këto vite ka qenë udhëtim topitës. Në një mënyrë apo një tjetër për fatin më të keq si asnjëherë në këto 30 vite.

Dora e qeverisë u shtri mbi opozitën dhe te shqiptarët u krijua përshtypja se Edi Rama është i pamundshëm, nuk mund të mundet dhe opozita i bën fresk atij. Në këtë kontekst PD ndodhej para alternativës për ekzistencë, to be or not to be. Unë mendova se ajo duhet të ekzistonte.

Por ajo që të ekzistonte duhet të ndryshonte në mënyrë rrënjësore. Të paraqitet para shqiptarëve një parti tërësisht e ndryshuar. Ndryshe ata nuk kanë asnjë arsye që të na besojnë ne. Në një vit ia kemi dalë dhe kemi shënuar rritje për t’u paraqitur para shqiptarëve”, deklaroi Berisha.


Shtuar 9.10.2022 10:28