Të jetosh edhe kur “vdekja” të merr gjithçka, si po bëhet shpresë për të tjerët nëna që humbi vogëlushen nga leuçemia (VIDEO)

“Piranjat” në Abc të moderuar nga Arilena Ara dhe Florjan Binaj, këtë të diel na kanë sjellë një histori e cila na tregon se sa e rëndësishme është jeta, dhe se si mund të gjejmë forca për të ecur përpara edhe kur shpesh marrim goditje të forta, e kur këto goditje bien mbi fëmijët tanë.

Një javë më parë në “Piranjat” sollëm historinë e fëmijëve të prekur nga leucemia të cilët duhet të luftojnë fort me vdekjen për të vazhduar jetën.

Por kjo e sotmja është një histori e trishtë, prekëse, por me mesazhe të forta për jetën.

Rrëfimi vjen nga Antonela nëna e “engjëllit” të vogël Luna e cila për dy vite luftoi fort me sëmundjen e leuçemisë, por nuk ia arriti të fitojë luftën.

Antoneta ka rrëfyer në “Piranja” historinë e jetës së saj nga momenti që mori vesh për sëmundjen e rëndë nga e cila ishte e prekur vajza e saj dhe deri ditën që ajo ndërroi jetë.

Për Antonelën përballja me sëmundjen ishte vërtetë e rëndë fillimisht, por ajo tregon se e vogla e saj edhe pse nuk mund të fliste, por përmes syve i jepte energji për të gjetur forcë dhe për të kërkuar shpresën kudo dhe kurdo për të ecur përpara e për të ëndërruar që asgjë nuk do të mund t’i ndante ato.

Fatkeqësisht Luna e vogël nuk ia doli mbanë, por edhe pse ende një foshnje ajo i dha një energji pozitive nënës së saj Antonetës por edhe gjyshes Anitës, që jo vetëm të ecnin përpara edhe pas ikjes së saj, por t’i vijnë në ndihmë çdo familjeje dhe fëmije që përballet me këtë sëmundje të keqe, në mënyrë që askush mos i humbë shpresat, sepse gjithmonë ka vend edhe për mrekullitë. /Abcnews.al/