“Ia kalova dhe burrit”, shqiptarja realizon ëndrrën, punon si shofere autobusi në Belgjikë

Ajkune Olluri ka treguar se të drejtosh mjete të rënda nuk është vetëm një punë burrash. Prej një viti, shqiptarja nga Kosova punon si shofere autobusi në Belgjikë, ku jeton prej shumë vitesh. Në një intervistë për “Abc-ja e mëngjesit”, ajo tregoi se e ka pasur gjithmonë ëndërr të bënte këtë punë.

“Erdha në Belgjikë kur isha 17 vjeç. Jam martuar në moshë të re. Kam 5 fëmijë. Iu jam përkushtuar atyre dhe nuk kisha njeri të afërt këtu. Po kisha ëndërr që të isha shofere autobusi. Pasi punova për 4 vite në një fabrikë, nuk rrija dot gjithë ditën ulur dhe vendosa që të bëhem shofere.

Më ka përkrahur shumë babai im, burri dhe vajza e madhe.”, tha ajo duke shtuar më tej se ka pasur dhe shumë skeptik që nuk besonin se do t’ia arrinte. “Ka ndodhur që nuk kanë pasur besim. Nëse e do diçka me shpirt, është shumë e thjeshtë dhe mundesh ta arrish.”, tha Ajkune.

Mes të tjerash, ajo tregoi dhe një rast që kishte rastisur në rrugë me burrin e saj, i cili punon si shofer kamioni. “Na rastisi para disa ditësh. Unë isha me autobus ndërsa ai me kamion. Unë isha me një autobus dy herë më të gjatë. Kur erdhi në shtëpi më tha ‘Ma ke kaluar tani moj grua’, tha ajo.