Zgjedhjet në Serbi: Partia e Tadiçit kryeson me 39 %
Albeu.com
Blloku pro-europian i presidentit Boris Tadiçit duket se ka fituar bindshëm ne zgjedhjet parlamentare me 39 % të votave, duke lënë pas ultranacionalistët që fituan vetëm 29 % të votave.Rezultatet paraprake zgjedhore janë publikuara organizata vëzhguese CESID. Partia Demokratike e Serbisë e kryeministrit Vojisllav Koshtunica ka arritur të merr 11,6 përqind, ndërsa partia e dikurshme e Sllobodan Milloshevicit ka shënuar një rritje dhe ka fituar 8 përqind ose 21 vende në parlament, Ndërkohë, partia liberlademokratike ka marrë 5,2 përqind të votave ose 13 vende në kuvendin e ri serb. Pjesëmarrja në zgjedhje arriti në 60,7 për qind, një shifër e ngjashme me atë të zgjedhjeve presidenciale të shkurtit 2008. Votimi u zhvillua i qetë dhe pa incidente. Presidenti serb, Boris Tadiç, ndërsa votonte, deklaroi se ishte i bindur në fitoren e forcave pro-europiane në zgjedhjet legjislative, duke rikonfirmuar objektivin e tij për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian. "Jam i sigurt se këto zgjedhje do të kenë një rëndësi jetike për vendin tim dhe jam i bindur se qytetarët e Serbisë do të votojnë për të ardhmen e tyre europiane", - deklaroi Tadiç. "Ne kemi dy qëllime kryesore: të mbrojmë integritetin tonë territorial dhe sovranitetin tonë në Kosovë dhe të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian", - tha Tadiç. Ai u shpreh pro gjetjes së një "zgjidhjeje me kompromis për Kosovën nëpërmjet bisedimeve me shqiptarët". Ndërkohë, shefi i ultrancionalistëve serbë deklaroi se nuk do të negocionte me Bashkimin Evropian, nëse blloku europian nuk e pranonte se Kosova vazhdon të jetë pjesë e Serbisë. Por, pavarësisht nga fakti se proeuropianët i fituan këto zgjedhje të rëndësishme, sfida më e madhe për ta tani do të jetë krijimi i një koalicioni të qëndrueshëm që do t’u përgjigjet interesave të vështira të serbëve. (news24)
Shtuar më 12/05/2008, ora 05:22
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori