“Frikë” nga aleanca Putin Lukashenko, Ukraina shton mbrojtjen kufitare me Bjellorusinë

Ukraina po përforcon mbrojtjen e kufirit të saj me Bjellorusinë nga frika se Rusia mund të jetë duke përgatitur një sulm të ri, ka thënë një zyrtar qeveritar.

Zëvendësministri i Brendshëm Yevhen Yenin tha për BBC se Ukraina do të forcojë kufirin me Bjellorusinë me forca të armatosura dhe municione. Lajmi erdhi ndërsa Vladimir Putin udhëtoi për në Minsk për të takuar Presidentin bjellorus Aleksandër Lukashenko.

Bjellorusia ndan një kufi me Rusinë dhe Ukrainën. Presidenti rus më vonë urdhëroi forcimin e kufijve të Rusisë. Ai tha se shërbimet e sigurisë duhet të pengojnë shpejt çdo përpjekje për të shkelur kufijtë e Rusisë, për të luftuar rreziqet që vijnë nga jashtë dhe për të identifikuar tradhtarët. Ai tha gjithashtu se shërbimet speciale duhet të garantojnë sigurinë e njerëzve që jetojnë në pjesët e Ukrainës që Moska i pretendon si të sajat.

Në disa prej këtyre zonave, veçanërisht në Kherson, Rusia kohët e fundit pësoi ndryshime të rëndësishme ushtarake. Ministria ruse e mbrojtjes njoftoi se trupat e saj të vendosura në Bjellorusi do të kryejnë stërvitje të përbashkëta ushtarake me Bjellorusinë. Duke reaguar ndaj kësaj dhe vizitës, zoti Yenin konfirmoi: “Ne po ndërtojmë linjat tona të mbrojtjes në të gjithë kufirin me Rusinë dhe me Bjellorusinë.”

Ndërsa Bjellorusia nuk është përfshirë drejtpërdrejt në luftë, ajo lejoi trupat ruse të përdorin territorin e saj për të nisur pushtimin në shkurt. Minsku është nën presion të madh nga Moska për të rritur mbështetjen e saj në “operacionin special ushtarak”.

Por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i hodhi poshtë raportet “si trillime dhe të pabaza”. Presidenti Putin fluturoi në Minsk për bisedime me Presidentin Lukashenko, hera e parë në tre vjet e gjysmë që dyshja takohen në Bjellorusi.

Takimi është cilësuar si një “vizitë pune” dhe ka zgjatur më shumë se dy orë.
Moska ka vënë në shënjestër rrjetin elektrik të Ukrainës që nga tetori, si pjesë e një strategjie për ta lënë vendin pa ngrohje dhe drita gjatë dimrit të ftohtë.

Udhëtimi i shkurtër i udhëheqësit rus në Minsk mund të nënkuptojë më shumë mbështetje ushtarake për përpjekjet luftarake të Kremlinit, pasi Bjellorusia u dha trupave të Kremlinit një platformë nisjeje për pushtimin e Ukrainës shkurtin e kaluar.

Besohet se Bjellorusia ka rezerva armësh të epokës sovjetike që mund të jenë të dobishme për Moskën. Zoti Lukashenko, ndërkohë, ka nevojë për ndihmë me ekonominë e rënuar të vendit të tij. Ishte një udhëtim i rrallë në Minsk nga Putini, i cili zakonisht e pret Lukashenkon në Kremlin.

Moska ka vazhduar përpjekjet e saj të luftës pavarësisht sanksioneve perëndimore dhe furnizimit me sisteme të mbrojtjes ajrore perëndimore për forcat ukrainase.

I ulur pranë Lukashenkos përpara bisedimeve të tyre në kryeqytetin Minsk, Putini theksoi lidhjet e ngushta ushtarako-teknike të aleatëve. Ai tha se ato përfshijnë jo vetëm furnizime të ndërsjella me pajisje, por edhe punë të përbashkët në industritë ushtarake të teknologjisë së lartë.

Analistët thonë se Kremlini mund të kërkojë sërish një lloj mbështetjeje ushtarake bjelloruse për operacionet e tij në Ukrainë. Sipas Institutit për Studimin e Luftës, një institut hulumtues në Uashington, moti i ftohtë dhe burimet e shteruara të Rusisë nënkuptojnë se çdo sulm i madh rus ndoshta nuk do të ndodhë së shpejti.

“Kapaciteti i ushtrisë ruse, madje i përforcuar nga elementë të forcave të armatosura bjelloruse, për të përgatitur dhe kryer operacione ofensive të mekanizuara në shkallë të gjerë në muajt e ardhshëm mbetet i diskutueshëm,” thotë instituti në një raport të botuar të dielën.

Ai gjithashtu arriti në përfundimin se “nuk ka gjasa që Lukashenko të angazhojë ushtrinë bjelloruse (e cila gjithashtu do të duhej të ripajisej) në pushtimin e Ukrainës”.

Në Ukrainë, dronë të shumtë sulmuan kryeqytetin para agimit. Sulmi erdhi tre ditë pas asaj që zyrtarët ukrainas e përshkruan si një nga sulmet më të mëdha të Rusisë ndaj Kievit që nga fillimi i luftës.

Rusia lëshoi 23 dronë vetë-shpërthyes mbi Kievin ndërsa qyteti flinte, por forcat ukrainase rrëzuan 18 prej tyre, tha administrata e qytetit të Kievit në platformën Telegram. Nuk u raportuan viktima të mëdha nga sulmi, megjithëse zyra e presidentit ukrainas tha se sulmi vrau të paktën tre civilë dhe plagosi 11 të tjerë mes të dielës dhe të hënës.

Breshëria e dronëve shkaktoi ndërprerje emergjente të energjisë në 11 rajone qendrore dhe lindore, duke përfshirë rajonin e kryeqytetit, thanë autoritetet.

E hëna ishte Dita e Shën Nikollës, një rast që shënon fillimin e festave të Krishtlindjeve në Ukrainë dhe është kur fëmijët zakonisht marrin dhuratat e tyre të para të fshehura nën jastëkë./albeu.com/


Shtuar 20.12.2022 08:47