Wall Street nervozon OKB-në
Albeu.com
Të mbledhur në takimin e Pallatit të Qelqtë, i druhen përhapjes së situatës edhe në vendet respektive. Liderët ndërkombëtarë, akuza Bushit për trazirat financiare.Zgjedhjet financiare të Wall Street dhe të administratës së Xhorxh Bushit u vunë në qendër të sulmeve në mbledhjen e së martës të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, teksa krerët e shteteve, njëri pas tjetrit, vërenin me zemërim se trazirat e fundit të tregjeve amerikane kërcënojnë të gjithë ekonominë globale.

"Nuk mund të lejojmë që babëzia e pakufizuar e disave të injorohet nga të gjithë", tha Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva në fjalën e hapjes, i cili reflektoi më së miri gjithë humorin e takimit.

Asambletë e Përgjithshme të përvitshme vazhdimisht hedhin hije mbi Nju Jorkun çdo shtator, duke u përqendruar sidomos tek agresiviteti i tij i tepruar. Por këtë është vit është Nju Jorku, ose më saktë Wall Street-i, ai që po projekton hijet e veta në të gjitha shtetet që bëjnë pjesë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Praktikisht çdo president apo monark që merrte pjesë në mbledhje bëri me pakënaqësi vërejtjen mbi trazirën financiare, e cila ishte temë bisede edhe gjatë takimeve jozyrtare korridoreve të selisë.

Me lidershipin financiar të lëkundur kaq fort, mes disa prej pjesëmarrësve ndihej një lloj kënaqësie që administrata e Bushit - e cila prej vitesh i jep leksione shteteve të tjera për benefitet e tregut të lirë - po heq dorë nga ilaçi i vet, duke propozuar mbështetje të fortë ndaj firmave financiare.

Por u vërejtën gjithashtu edhe shqetësime serioze mbi faktin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i kanë marrë masat e duhura për të parandaluar dëmet ndaj ekonomisë së vet dhe të tjerave, duke e bërë shumë të vështirë gjetjen e fondeve shtesë për ndihmën ndaj vendeve më të varfra në botë.

"Kriza financiare globale vë në rrezik të gjithë punën tonë", tha sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Mun, i cili në fjalën e tij ngriti pikëpyetje mbi sa besim duhet pasur te tregjet e lira. "Duhet të kuptojmë më rrënjësisht etikën e biznesit dhe të qeverisjes, me më shumë predispozicion pozitiv, si edhe të jemi më pak kritikë ndaj ‘magjisë së tregjeve të lira‘".

Presidenti amerikan Xhorxh Bush, në fjalimin e tetë dhe të fundit na Organizatën e Kombeve të Bashkuara, me të cilin pati marrëdhënie jo të lehta gjatë qëndrimit në pushtet, nxitoi të siguronte liderët botërorë se administrata e tij po ndërmerrte "hapa të sigurta" për anashkalimin e krizës ekonomike në Amerikë, e cila "do të kishte efekt të tmerrshëm në ekonomitë e tjera botërore".

Duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimit të betejës kundër terrorizmit, ai i kushtoi një paragraf të vetëm planit të shpëtimit nga kriza financiare. "Kemi arritur të vendosim stabilitet në tregje, duke mos lejuar falimentimin e kompanive me peshë", tha Presidenti amerikan. Më pas vërejti se shumë prej shteteve vërenin me shumë vëmendje reagimin e Amerikës, pasi "ekonomitë sot janë të lidhura me njëra-tjetrën më shumë se kurrë më parë".

Por për disa liderë shtetesh, plani për mbështetjen financiare të kompanive është hipokrit, duke qenë se Uashingtoni prej kohësh u kërkon të tjerëve të bëjnë të kundërtën.

"Ajo që po shohim këtu është devijimi nga drejtimi i dikurshëm politik", tha Mark Maloç Braun, ministër kabineti britanik dhe ish-zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara. "Që të gjithë tani po sjellin në mend atë këshillë të paharrueshme të bërë pambarimisht nga institucionet financiare amerikane", tha politikani britanik. "Është një ndryshim qëndrimi ndaj asaj që dikur amerikanët do ta përshkruanin si sjellje me standarde të dyfishta".

Asambleja e Përgjithshme për shumë kohë ka shërbyer si megafon për armiqtë e betuar të Amerikës, si Fidel Kastro, Presidenti i Kubës apo Mahmud Ahmedinexhadi, Presidenti i Iranit. E veçanta e mbledhjes së të martës ishte se kundërshtitë u ngritën nga aleatët më të afërt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe jo prej atyre që amerikanët janë mësuar t‘i etiketojnë si "të huaj".

Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, e përshkroi gjendjen si krizën më të rëndë financiare që prej kohëve të Depresionit të viteve ‘30, ndërsa sistemin financiar me fjalët "i luajtur mendsh". Ai propozoi një samit në nëntor të këtij viti ku të shqyrtohen problemet dhe të krijohen rregullore më të përshtatshme ndërkombëtare për tregjet financiare. Shumë prej liderëve të tjerë ranë dakord me këtë propozim.

Sarkozi tha gjithashtu se kishte folur personalisht me bankierët e Ëall Street-it, të cilët i qenë përgjigjur se nuk e kishin idenë mbi përgjegjësit e krizës. Kur bankat dhe fondet e investimeve shtinë në dorë fonde të majme nuk përtojnë të tregojnë gjithandej për suksesin dhe fitimet e tyre, shtoi Sarkozi, "por kur vjen fjala te humbjet, ngrenë supet dhe nuk e dinë kush është përgjegjësi".

Gjatë një shfaqjeje të shkurtër para reporterëve në shoqërinë e Presidentit të ri të Pakistanit, Asif Ali Zarbari, Presidenti Bush pranoi se liderët e tjerë e kishin pyetur gjatë për krizën dhe përgjegjësinë e administratës së tij, "si edhe më kërkuan sqarime nëse Shtetet e Bashkuara kishin planin e nevojshëm për t‘i bërë ballë krizës ekonomike".

Ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Zalmai Khalilzad, tha se gjatë takimeve nuk kishte dëgjuar ankesa nga shtetet e tjera lidhur me krizën, dhe la të kuptohej se liderët e shteteve e kanë kuptuar se Amerika ka përveshur mëngët për t‘u përballur me të. "Jemi shumë elastikë dhe po lëvizim me shpejtësi për ta anashkaluar", shtoi.

Ministri britanik, Maloç Braun, vërejti se liderët e shteteve do qenë shumë të lumtur të siguroheshin se Shtetet e Bashkuara kanë në plan të vënë në dispozicion një financim vigan për mbështetjen e kompanive financiare në krizë.

Ndërkohë që dyshimet nuk janë ngritur vetëm në selinë e Kombeve të Bashkuara, por edhe më parë. Ndër zërat më të lartë mbi këtë temë ka qenë ai i kancelares gjermane Angela Merkel, e cila gjatë takimit të G8-ës, mbajtur para një viti, kërkoi me ngulm që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe të mbikëqyrnin me rigorozitet aktivitetet financiare.

Por në asamblenë e së martës vërejti se Shtetet e Bashkuara as që ia vunë veshin. Ajo shfaqi gjithashtu edhe një lloj dëshpërimi për faktin që tani Shtetet e Bashkuara po i drejtohen Evropës për ndihmë, pasi i shkaktuan botës aq shumë dëme të cilat mund të qenë shmangur.

"Ne bëmë atë që duhej bërë", tha kancelarja më pas në një intervistë për gazetën gjermane "Münchner Merkur". "Ne adoptuam një rregullore të përshtatshme të Bashkimit Evropian në statutin tonë kombëtar", por amerikanët, kur iu kërkua të bënin të njëjtën gjë thanë se "kjo nuk është për ne".
Shtuar më 26/09/2008, ora 16:00
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori