Vuçiç dhe Nikoliç bëjnë thirrje për paqe: Do japim gjithçka që të ruajmë paqen
Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçic ka konfirmuar se të enjten, në orët e pasdites, do të takohet në Rashkë me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, siç tha, për t'i njoftuar me zhvillimet në Bruksel pas takimit të radhës me delegacionin e Kosovës.

"Do të japim gjithçka nga vetja që ta ruajmë paqen, ndërkaq nga Prishtina nuk presim asgjë", ka thënë kryeministri serb Vuçic, gjatë vizitës së tij në Beçej, transmeton rel.

Megjithatë, ai nuk ka dashur që para gazetarëve të komentojë detajet e takimit në Bruksel, duke thënë se nuk varet gjithçka nga pala serbe.

Ai ka theksuar se nuk dëshiron ta shkelë fjalën e dhënë Bashkimit Evropian dhe të dalë me informata në opinion.

Ndërkaq, kabineti i kryetarit të Serbisë, Tomislav Nikolic ka njoftuar se në takime të ndara me ambasadorët e Rusisë, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i ka informuar ata për rrjedhën e dialogut në Bruksel.

Siç thuhet në komunikatën e kabinetit të Nikolicit, ky i fundit i ka njoftuar ambasadorët lidhur me "sjelljen e delegacionit të Prishtinës" në bisedimet në kuadër të takimin të së mërkurës në Bruksel.

Gjithashtu, në komunikatë thuhet se bashkëbiseduesit e takimit kanë ardhur në përfundim që në ditët e ardhshme është e nevojshme "që të vazhdohet dialogu dhe të ruhet paqja dhe stabiliteti në rajon", si dhe se "nuk guxohet të lejohet që të arrihet deri te çfarëdo rrezikimi i sigurisë së qytetarëve në Kosovë".

Rrethi i dytë i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të mërkurën në mbrëmje në Bruksel, me nivel të lartë të përfaqësimit politik, ka përfunduar pa rezultate konkrete megjithëse shefja politikë të jashtme dhe siguri e BE-së, Federica Mogherini ka thënë se "është e inkurajuar me angazhimin konstruktiv, që kanë treguar të dyja palët".
Shtuar më 02/02/2017, ora 16:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori